Ballina Argëtim Kuriozitete Si u zhvillua gjuha njerëzore? Shkencëtarët nuk e dinë ende

Si u zhvillua gjuha njerëzore? Shkencëtarët nuk e dinë ende

Nga Bridget Alex

Njerëzit kanë gjuhë, që nuk i kanë kafshët e tjera. Kjo është e qartë, por se si ka ndodhur kjo, ende nuk dihet. Që nga koha e Darvinit , shkencëtarët janë habitur me evolucionin e gjuhës. Ata mund të vëzhgojnë produktin e sotëm:Njerëzit kanë sot kapacitet për të ditur një gjuhë, qoftë të folur apo të shkruar.

Dhe ata mund të nxjerrin përfundimin e gjendjes fillestare:Sistemet e komunikimit të majmunëve të tjerë, sugjerojnë aftësitë e pranishme tek paraardhësi ynë i përbashkët. Por pyetja 1 milion dollarëshe, është ajo që ndodhi midis:Si kaluam nga komunikimi si i majmunëve, në gjuhën e plotë njerëzore?

Shumica e shkencëtarëve, mendojnë që kjo ndodhi në faza , pasi paraardhësit tanë evoluan në përshtatje të nevojshme për gjuhën. Në fazat e hershme, paraardhësit tanë njerëzorë do të kishin përdorur një lloj proto-gjuhe më komplekse sesa komunikimi i majmunëve, por me mungesë të elementëve të gjuhës moderne.

Por çfarë ishte saktësisht kjo proto-gjuhë? Në këtë pikë ka shumë debate. Disa studiues, argumentojnë se paraardhësit tanë këndonin para se të flisnin. Të tjerë pretendojnë se proto-gjuha, ishte dominuar nga gjeste pantomimike. Por para se të përpiqemi të shpjegojmë se si u zhvillua gjuha, ne duhet të sqarojmë saktësisht se çfarë ka evoluar.

Ne duhet të përcaktojmë se çfarë është gjuha, dhe si ndryshon ajo nga aftësitë komunikuese të të afërmve tanë evolucionarë, majmunëve të mëdhenj. Në gjuhën njerëzore, tingujt dhe shenja arbitrare përfaqësojnë fjalë specifike, të cilat mund të mësohen, shpiken dhe kombinohen pafundësisht brenda strukturave gramatikore.

Ne mund të flasim për çdo gjë që mund të mendojmë – mbi planet tona, ushqimet, politikën. Dhe shumë deklarata kanë kuptime specifike, që janë të varura nga konteksti. Për shembull “Si jeni?” Mund të jetë një përshëndetje, dhe jo një pyetje që kërkon të mësojë diçka. Gjuha na lejon të lidhemi me të tjerët, ose t’i takojmë ata.

Edhe pse gjuha jonë amtare nuk është e lindur, të vegjëlit e mësojnë atë pa ndonjë përpjekje të ndërgjegjshme. Këto cilësi, e bëjnë gjuhën një sistem komunikimi të jashtëzakonshëm, që gjendet ekskluzivisht vetëm tek njerëzit. Por sistemi mund të ndahet në komponente, ose tipare të nevojshme për gjuhën.

Dhe këto lindën në kohë të ndryshme në të kaluarën tonë evolucionare. Tiparet e përbashkëta me majmunët e tjerë, ekzistonin miliona vjet më parë tek paraardhësi ynë i përbashkët. Karakteristikat që nuk i shohim tek majmunë të tjerë, shfaqen ndoshta vetëm tek hominidët , dega evolucionare që përfshin njerëzit dhe të afërmit tanë të zhdukur.

Ekzistojnë të paktën 3 elementë të gjuhës, që janë të pranishme vetëm tek hominidët:Së pari, ka një kontroll të shkëlqyer mbi kordat tona zanore. Majmunë të tjerë, ka të ngjarë të lindin me një repertor më të kufizuar të vokalizimeve.

Dallimi kë të bëjë me atë se si është ndërtuar truri ynë:Njerëzit kanë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet neuroneve që kontrollojnë kutinë tonë të zërit dhe korteksit motorik, rajonin e trurit, që është përgjegjës për lëvizjet e vullnetshme. Skanimi i trurit, tregon se këto lidhje mungojnë tek primatët e tjerë.

Tjetra është prirja jonë për të komunikuar, për hir të komunikimit . Për ta përmbledhur këtë, biologu evolucionist gjerman Ë.Tecumseh Fitch, përdori termin gjermane Mitteilungsbedürfnis “nxitja për të ndarë mendimet”. Teksa shimpzetë përdorin një grup të caktuar thirrjesh dhe gjestesh për të përcjellë gjërat thelbësore – ushqimin, gjininë dhe rrezikun – njerëzit flasin për lidhjen dhe shkëmbimin e ideve, dhe përpiqen të sigurohen se janë kuptuar.

Shumica e studiuesve, ia atribuojnë këtë ndryshim një ideje të quajtur “teoria e mendjes”, mirëkuptimi se të tjerët kanë mendime. Shimpanzetë tregojnë një teori më të kufizuar të mendjes, ndërsa njerëzit e dinë se njerëzit e tjerë mendojnë gjëra – dhe ne vazhdimisht përdorim gjuhën për t’i zbuluar dhe ndikuar tek ato mendime.

Dallimi i fundit, është sintaksa hierarkike. Fraza dhe fjalia, kanë strukturë të mbivendosur, dhe këto sigurojnë një kuptim, përtej sekuencës së thjeshtë të fjalëve. Për shembull, merrni fjalinë: “Çadi, që kishte dalë për të darkuar jashtë me Tonin, ishte vonë në takim”.

Përpunimi hierarkik i sintaksës, na lejon të interpretojmë saktësisht se Çadi ishte vonë në takim, edhe pse “Toni” është më afër foljes ”ishte vonë”. Mbi 60 vjet më parë, gjuhëtari Noam Çomski, propozoi sintaksën hierarkike si një çelës për gjuhën. Pra, hipotezat mbi origjinën gjuhësore, duhet të shpjegojnë (të paktën) këto 3 karakteristika:mësim dhe kontroll të saktë vokal, komunikim të hapur shoqëror, dhe sintaksë hierarkike.

Tani si lindën këto komponente, dhe në fund konverguan, për të përbërë gjuhën? Ekzistojnë disa pikëpamje mbizotëruese, të cilat ndryshojnë në termat e presioneve evolucionare që favorizojnë përshtatjet gjuhësore, rendin që lindën këto adaptime, dhe natyrën proto-gjuhësore përgjatë atij procesi.

Disa besojnë se kontrolli i saktë vokal dhe të mësuarit, ishte tipari i parë i gjuhës që shfaqet tek hominidët – dhe jo për të folur, por edhe për të kënduar. Ideja e proto-gjuhës muzikore, vjen nga vetë Darvini, dhe është modifikuar gjatë viteve nga studiues të ndryshëm.

Gjatë kësaj faze hipotetike të këndimit të evolucionit njerëzor, mbijetesa e paraardhësve tanë dhe suksesi riprodhues, do të vareshin nga këndimi, në kontekstin e ruajtjes së lidhjeve shoqërore, tërheqjes së bashkëshortëve apo qetësimi të foshnjave. Një pikëpamje alternative, thotë se proto-gjuha karakterizohej nga gjestet dhe pantomimat.

Në këtë rast, sintaksa dhe komunikimi shoqëror, do t’i kishin paraprirë aftësive vokale. Forca e hipotezës së gjesteve, është se të afërmit tanë më të ngushtë, shimpanzetë, shfaqin gjeste më të kontrolluara dhe të ndryshueshme ( mbi 70 dhe numërimin) sesa thirrje ( 4 lloje, dhe më të vështira për t’u dalluar në nëntipe). Dobësia e kësaj pikëpamjeje është, se është e paqartë se pse apo si u bë gjuha aq e dominuar nga të folurit.

Të tjerë, të bindur se sintaksa hierarkike u shfaq e fundit, propozojnë një proto-gjuhë me fjalë simbolike, por që nuk ka fjali të ndërlikuara dhe të mbivendosura. Sipas kësaj pikëpamje, paraardhësit tanë para-gjuhësorë, flisnin pak e shumë si foshnjat – “Ujë! Etje!”- ose në imazhin e pop-kulturës të njerëzve të shpellave:Unë gjuaj mamuthë. Unë dua seks”.

Këto modele, nuk janë reciprokisht ekskluzive.

Disa studiues, i integrojnë ato në faza të njëpasnjëshme, të lidhura me lloje të ndryshme hominidësh. Ndoshta ndërmjet 2 dhe 4 milion vjet më parë, australopitekët si Lusi ishin këngëtarë të talentuar. Nga 1.9 milionë vjet më parë, Homo Erektus, kombinonte gjeste dhe vokalizime shprehëse në ritualet e grupeve.

Sintaksa hierarkike, u shfaq vetëm rreth 200.000- 300.000 vjet më parë me paraqitjen e specieve tona, Homo Sapiens. Ky mund të tingëllojë si një spekulim (dhe disa shkencëtarë e përjashtojnë atë si të tillë, si p.sh Çomski). Por shumë studiues tentojnë të ndryshojnë:Modelet shkencore të evolucionit të gjuhës, rrjedhin nga provat e mbledhura nga biologjia krahasuese, neuroshkenca, gjenetika, gjuhësia dhe paleo-antropologjia.

Kjo e fundit, përfshin të dhëna mbi mënyrën se si komunikojnë kafshët, sistemin e trurit dhe të gjeneve në bazë të gjuhës, kompleksitetit të objekteve në regjistrin arkeologjik, dhe ndryshimet në anatominë dhe madhësinë e trurit , të ruajtura në fosile. Më e rëndësishmja, modelet bëjnë parashikime për hulumtimet e ardhshme – çfarë mund të gjendet, nëse kjo është vërtet mënyra se si filloi gjuha origjinale.

“Discover Magazine” – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews