Ballina Aktualitet Opinione Si ta lexojmë daljen e Edi Ramës përballë Ermal Mamaqit

Si ta lexojmë daljen e Edi Ramës përballë Ermal Mamaqit

Përse ishte kaq e komentuar dalja e kryeministrit te një emision humori? Arsyeja mund të gjendet te nevoja për legjitimitet

Nga Enton Palushi

Kur Edi Rama u ul fillimisht në studion e emisionit ‘Xing me Ermalin’, u duk se do ishte një moment i sikletshëm. Për ditë me radhë mediat sociale ishin mbushur me komente për emisionin e pritshëm, çka e kishte vënë në vështirësi moderatorin dhe vetë kryeministrin. Dihej që programi nuk do rridhte lirshëm dhe batutat do ishin pa shije për shkak të paragjykimit.

Megjithatë një detaj interesant u shënua që në fillim. Kryeministri Edi Rama e pati të vështirë që të ulej pranë Ermal Mamaqit, edhe pse formati e kërkon që ai të jetë sa më pranë prezantuesit, për të krijuar kështu edhe familjaritet. Pasi u ankua se këmbët e tij të gjata nuk rrinin dot në atë vend të ngushtë ku kolltuku dhe tavolina janë ngjitur, kryeministri ndërroi vend. Fillimisht u ul në kolltukun e gjerë, më pas u spostua në cep të tij, sikur donte të largohej gjithmonë e më shumë nga Mamaqi.

Por nuk është kjo interesante. Teksa largohej nga vendi që i kanë caktuar, Edi Rama tha se ideatorët e emisionit janë munduar të kopjojnë amerikanët, por siç ndodh zakonisht, nuk ia kanë dalë dot. Për këtë gjë Edi Rama ka të drejtë. Mamaqi duket se është frymëzuar nga emisionet e orëve të vona në SHBA, për të sjellë këtu një imazh të ngjashëm me ‘late night show’, një zhanër popullor në SHBA, i nisur me të famshmin Johnny Carson dhe i pasuar me emra brilantë si Leno, Stewart e Letterman.

Edi Rama nuk e tha troç, por sigurisht mund ta kishte në mendje se ‘Xing me Ermalin’ është thjesht një karikaturë e emisioneve amerikane, se Mamaqi nuk mund të jetë as Colbert, as Kimmel e as Fallon. Kjo jo vetëm sepse Shqipëria është e vogël, por sepse Colbert e Fallon janë kritikë të betuar të pushtetarit kryesor në SHBA, kurse Donald Trump i ofendon si ‘lowlife’. Sikundër as Edi Rama nuk mund të jetë Barack Obama vetëm pse gjuan për në koshin e basketbollit tastiera e torta.

Megjithatë kryeministrit i duhej fort kjo dalje televizive dhe diçka e tillë ka lënë disi të habitur vetë Mamaqin, që thotë jo pa çudi se nuk e kupton se përse u sulmua kaq ashpër ai, kur Edi Rama ka dalë në sa e sa media e emisione. Por përse i duhej Ramës një tjetër zhytje në ‘kazanin’ mediatik, këtë ‘monstër’ që ai vetë e ka ushqyer dhe që gojët e liga thonë se falë saj është në pushtet? Përse pikërisht një tjetër emision në media, kur ai e neverit median dhe u bën thirrje njerëzve që të mos e shohin dhe ndjekin?

Pasi panë e shijuan historitë e Mehmet Pushtuesit, sulltanit që nënshtroi Krujën, shqiptarët kaluan në një tjetër moment ‘pushtimi’. Sepse në të dyja rastet bëhet fjalë për pushtet të butë. I pari po ua zbukuron historitë e pushtuesit otoman, i dyti po ua ‘zbardh’ historitë e qeverisjes aktuale.

Ermal Mamaqi mund të vendoste të injoronte atë që kishin shkruar nëpër rrjetet sociale për programin e tij. Tek e fundit, askush nga mediat tradicionale nuk ishte marrë me të. Përveç sociologut Ergys Mërtiri, emri i të cilit përfundoi i lakuar nga Mamaqi e vetë Edi Rama, që gjasmë bënin sikur nuk ishin shqetësuar nga një njeri, të cilit nuk ia kishin dëgjuar emrin e as e njihnin, por i cili, atje nga llogorja e ‘murit të vogël’ që ka në Facebook, i paska tronditur muret e kështjellës së madhe mediatike që ka pas vetes Mamaqi e Rama.

“Nuk e rruj” tha Mamaqi, dukshëm i revoltuar me komentet e bëra ndaj tij. “Qëllimi është audienca”, shtoi më tej.

Natyrisht, një drejtues emisioni është i interesuar për audiencën, siç u justifikua vetë Mamaqi, në shpjegimet që u mundua të japë për ftesën e bërë ndaj Kryeministrit. Por audienca, ashtu si dhe paraja, kërkon të fitohet brenda disa parimeve etike. Të fitosh audiencë duke i shërbyer qeverisë në momentet më kritike të saj, kur realiteti është kaq dramatik dhe indinjata shoqërore kaq e thellë, është thjesht dhe vetëm e turpshme, shkruan sociologu Mërtiri.

Dhe audienca nuk mungonte të shtunën në mbrëmje. Kjo ishte ajo që i duhej kryeministrit Edi Rama. Ai nuk ishte aty për të thënë gjëra që nuk i ka thënë më parë. As për batutat, me të cilat nuk ishte më i mirë se zakonisht. Por për të treguar se është si të tjerët, për të treguar se ka një shtëpi të zakonshme, një dhomë gjumi të çrregullt, një depo me tuba e materiale ndërtimi. Madje për t’u treguar studentëve dhe shqiptarëve se ka ndërmend të largohet nga politika jo dhe aq vonë sa mund të mendohet. Ua tha këtë atyre studentëve, të cilët ditën kur kanë lindur dhe kanë dëgjuar tingujt e parë në dritë, e kanë gjetur Ramën ministër. Pasi i bëra të gjitha në emision, mendoi se fitoi atë që i duhej: legjitimitetin.

Malcolm Gladwell, një shkrimtar dhe gazetar fin, thotë se kur bie fjala te protestat dhe mosbindja civile, nuk është se ato sjellin autoritetin, por e anasjella. Gladwell ka studiuar trazirat në Irlandën e Veriut dhe në periferitë e varfra amerikane dhe thotë se problemi është te legjitimiteti. Këtë të fundit mund ta fitosh me zgjedhje e votime, por rëndësi ka se si perceptohesh në publik. Dhe në shumicën e protestave, njerëzit perceptojnë se liderit i mungon legjitimitetit. Pas protestave të fundit të studentëve doli në pah më shumë problemi i legjitimitetit. Sepse vërtet mund të thuash se je i votuar, por historia është më e komplikuar se kaq. Në zgjedhjet e vitit 2017 u raportua për 3.4 milionë votues të regjistruar në Shqipëri. Nga këto, kryeministri mori diçka më shumë se 750 mijë vota. Në fakt i mori PS, partia të cilës ai i ka lënë ‘gjallë’ vetëm nja dy-tre ministra në qeveri. Pastaj nga kjo shumë duhet të zbresësh dhjetëra-mijëra vota të blera e të manipuluara. Hiq këtu edhe ata nëpunës që duhet të të votojnë dhe përballë studentëve ka dalë një kryeministër me aq vota sa një kryebashkiak. Vërtet sistemi është i tillë dhe nuk mund të ankohesh, por edhe legjitimiteti është i perceptuar. Pa theksuar këtu që të rinjtë janë pjesa që ka bojkotuar më shumë zgjedhjet, fare mirë mes tyre mund të gjesh diku tek 1 në 6 ose 7 persona që ka zgjedhur këtë qeveri.

Sipas Gladwell, që të fitosh legjitimitet duhet të zbatosh parimin me tre pika.

Së pari, duhet të sigurohesh që të tjerët kanë një zë që u dëgjohet. Së dyti, duhet të garantosh që ligjet e nesërme të mos jenë shumë të ndryshme nga ato të sotmet. Dhe së treti, duhet të sigurosh që një grup nuk është i avantazhuar ndaj grupeve të tjera.

Nëse futesh në analizë të thelluar, e kupton se këto tre pika kanë rënë, ndaj kryeministri është në kërkim të legjitimitetit. Gladwell thotë se shumë politikanë e zyrtarë e kanë kërkuar legjitimitetin në forma nga më të çuditshmet e brutalet. Kjo e kërkimit të legjitimitetit në emisione me humor është një nga më të banalet dhe më të lexueshmet. Ndaj mos ta ‘rruajë’ askush.

@tn.lajmelokale
@tetovanews