Ballina Aktualitet Lajme Shkupi miratoi “Maqedoninë Veriore”, tani është radha e Athinës

Shkupi miratoi “Maqedoninë Veriore”, tani është radha e Athinës

Parlamenti i Maqedonisë miratoi ndryshimet kushtetuese për të mundësuar ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me fqinjin jugor të saj, Greqinë. Shkupi mbyll kështu betejën e gjatë që i hap rrugën anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri Zoran Zaev siguroi 81 vota për të miratuar ndryshimet. Pro votuan edhe të gjitha partitë shqiptare, edhe ato në opozitë, pas një marrëveshjeje që Zaev arriti me kryetarin e lëvizjes Besa, pak para se të niste votimi në seancë.

Veç e veç u miratuan katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike.

Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike. Ndërkohë jashtë parlamentit në Shkup nisën protestat e opozitës që janë kundër marrëveshjes.

Tashmë loja nis në Athinë, ku marrëveshja e Prespës duhet të miratohet nga parlamenti i Greqisë dhe kryeministri Aleksis Tsipras nuk ka një betejë të lehtë. Kjo pasi një nga aleatët e tij në qeveri, Ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos është kundër paktit që Tsipras arriti me Zaev.

@tn.lajmelokale
@tetovanews