Ballina Bota Analiza “Rusët fajësojnë qeverinë, amerikanët prindërit, dhe polakët historinë”. Nostalgjia helmuese perandorake ka...

“Rusët fajësojnë qeverinë, amerikanët prindërit, dhe polakët historinë”. Nostalgjia helmuese perandorake ka infektuar mbarë botën

Nga Elif Shafak

“Rusët fajësojnë për gjithçka qeverinë e tyre, amerikanët prindërit e tyre, dhe polakët historinë”. Kështu është shprehur dikur poeti amerikano-rus Xhozef Brodski. Nëse do të ishte sot gjallë, ai mund të kishte shtuar: “Dhe mbështetësit kryesorë të Brexit, fajësojnë gjithçka për humbjen e një të kaluare imagjinare”.

Natyrisht, “farat” e kësaj nostalgjie ishin të pranishme në Britani shumë kohë përpara referendumit. Por vitet e masave shtrënguese dhe pabarazia ekonomike, e kulmuar me debatet e ashpra mbi refugjatët dhe pakënaqësia me statuskuonë, krijoi një ndjenjë të dëshirës për “kohët e arta të së shkuarës”.

Rreth 63 për qind e qytetarëve britanikë, mendojnë se jeta ishte më e mirë dhe më e lehtë në të kaluarën. Përfaqësues të linjës së ashpër të përkrahësve të Brexit, e shfrytëzuan këtë nostalgji emocionale për interesat e tyre politike. Historia u pastrua nga kapitujt e saj të errët, u zhvesh nga kompleksiteti i saj, dhe u thjeshtëzua.

Faktet nuk kanë më rëndësi. Saktësia historike është sakrifikuar, për joshjen e dukshme të retorikës. Kur Boris Xhonson tha:”Në qoftë se do të miratohej plani fillestar i qeverisë, kjo do të thoshte se për herë të parë që nga viti 1066, liderët tanë do të kishin pranuar hapur sundimin e huaj”, ai vetëm sa po ndjek një prirje.

Por, ndërsa përkrahësit më të zellshëm të Brexit, përdorin si kartë veçantësinë britanike, vlen të theksohet se nuk ka asgjë të re apo të jashtëzakonshme. Ata thjesht po i bashkohen një prirjeje të rrezikshme, që ka mbërritur në skajet e Evropës. Merrni Turqinë , një shtet-komb që u formua nga një perandori multietnike.

Rënia dramatike e demokracisë në Turqi, bart leksione të rëndësishme për progresistët kudo në botë. Ajo na tregon se historia jo domosdoshmërisht ecën përpara; ajo mund të rrëshqasë dhe kthehet pas. Trajektorja e Turqisë, zbulon dallimin e thellë midis demokracisë dhe mazhoritanizmit, dhe se si vendosja e këtij të fundit, është një shteg i shkurtër drejt autoritarizmit.

Është shkruar shumë për izolacionizmin populist të Turqisë. Por është një fakt pak i njohur, që ky regres është mbështetur nga një retorikë e nostalgjisë perandorake. Vite më parë, pas botimit të romanit tim “Fillimet e arkitektit”, unë fola në Pera, lagjen më kozmopolitane të Stambollit. Një djalë i ri nga audienca ngriti dorën, mori fjalën dhe më tha se e kisha ofenduar duke shkruar se në marshimet e saj ushtria osmane mbante me vete prostituta.

E pyeta nëse ai po vinte në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij fakti historik. “Aspak”- u përgjigj ai. “Unë e kuptoj, që mund të ketë pasur gjëra të tilla. Por nuk është ky thelbi. Çështja është, pse ta përmendim këtë gjë? Pse nuk shkruan në lidhje me lavditë e perandorisë sonë? Kjo është ajo që duam të dëgjojmë”.

Nostalgjia perandorake, është qëllimisht selektive. Ajo fsheh nën qilim, anët e errëta të historisë. Ajo imponon nga lart një version të historisë që është i njëanshëm, i shtrembëruar, i paragjykuar. Ajo na tregon se çfarë na lejohet të kujtojmë, dhe çfarë duhet të harrojmë. Po ashtu pretendon se historia ishte e thjeshtë. Kur në fakt s’ka qenë kurrë e tillë.

Ndjenja e të riut që ndërhyri në provomivimin e librit tim, është shumë në përputhje me ideologjinë e qeverisë turke. Presidenti Erdogan, deklaron se republika e Turqisë është një vazhdimësi e perandorisë osmane. Në një ceremoni të mbajtur me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së sulltanit Abdylhamid II, Erdogan tha:”Disa njerëz përpiqen me insistim ta fillojnë historinë e këtij vendi që nga viti 1923. Disa përpiqen pa pushim, që të na shkëpusin nga rrënjët tona dhe vlerat e lashta”.

Nostalgjia perandorake, formëson kulturën popullore të Turqisë. Serialet dhe filmat televizivë, janë ndërtuar mbi këtë nevojë për të lavdëruar të kaluarën. Dirilis (Ringjallja), një serial i famshëm komercial, përqëndrohet në fillimet e perandorisë në shekullin XIII-të, duke romantizuar luftërat dhe luftëtarët.

Seriali Payitaht (Kryeqyteti), që fokusohet tek perëndimi i osmanëve, është thellësisht antisemitik, duke akuzuar hebrenjtë për përpjekjen e tyre për të shkatërruar perandorinë. Ndërkohë, shkrimtarët, akademikët dhe gazetarët që guxojnë të vënë në pikëpyetje otomanizmin e ri, shihen si tradhtarë dhe shërbëtorë të fuqive perëndimore.

Dy universitetet kryesore të Turqisë, METU dhe Universiteti i Bosforit, sulmohen rregullisht nga politikanët e AKP-së, se nuk janë mjaftueshëm kombëtare. Fondcioni Shoqëria e Hapur, është dëbuar nga vendi, qëkur Erdogan tha se “Sorosi hungarezo-hebre”, qëndronte pas protestave në sheshin Gezi në vitin 2013.

Osman Kavala, një biznesmen dhe aktivist i respektuar i shoqërisë civile, mbahet në burg ende pas një 1 viti dhe në mënyrë të paligjshme. Akademikët janë arrestuar me akuza qesharake, mijëra janë vendosur në listën e zezë, ose janë pushuar nga puna. Çarls Darvin u hoq edhe

nga kurrikula e sistemit arsimor kombëtar. Tek e fundit, ai nuk ishte turk.

Ndryshoni disa detaje, dhe mund të përshkruani po njëlloj edhe situatën në Hungari. Viktor Orban, i cili sulmon në mënyrë të ngjashme Fondacionin Soros , edhe pse ka qenë vetë përfitues i një burse të financuar nga Soros, ka ndaluar kohët e fundit programet shkollore mbi studimet gjinore.

“Qëndrimi i qeverisë, është se njerëzit lindin meshkuj ose femra, dhe ne nuk e konsiderojmë

të pranueshme të flasim për gjinitë e ndërtuara në mënyrë sociale dhe jo biologjike”- tha ai.

Ashtu si në Turqi, edhe në Hungari, fiksimi pas “perandorisë së madhe” ndihmon në ndërtimin e një narrative tribaliste-populiste.

Një grup muzikor hungarez, Karpatia, këndon këngë rreth një “Hungarie të Madhe”, të cilën e përshkruajnë si parajsë. Fansat e grupit shkojnë në koncerte, të veshur me bluza që përmbajnë harta të perandorisë së tyre të humbur. Ashtu si në Turqi, këto ndjenja manipulohen nga lart nga elita politike.

Viktor Orban, flet vazhdimisht për Mbretërinë e Hungarisë, duke u ankuar për humbjen e saj, dhe për humbjen e territoreve më të gjera. Për të kuptuar sot Evropën, një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar vendeve që ekzistonin dikur. Këto janë vende, ku një nostalgji helmuese perandorake, po përhapet me shpejtësi.

Shumë prej nesh e panë suksesin e Kroacisë në botërorin e Rusisë. Ishte diçka e mrekullueshme, që një vend i vogël ballkanik pati një ecuri aq të mirë, dhe qytetarët e botës kudo brohorisnin me ta. Por kjo ndjenjë e ëmbël e solidaritetit global, u shkatërrua nga ajo që pasoi.

Gjatë festimeve në Zagreb, ekipi ftoi për të kënduar Marko Perkoviçin – një njeri i njohur për këngët e tij fashiste, ku glorifikon nacionalistët Ustasha , të cilët luftuan përkrah nazistëve. Le të mos harrojmë se ishte kjo lëvizje, ajo që ngriti kampet e përqendrimit ku vdiqën mijëra kroatë, serbë, çifutë dhe qytetarë të majtë liberalë. Më i famshmi i këtyre kampeve është Jasenovac, ku vlerësohet të kenë vdekur 100 mijë njerëz.

Nostalgjia perandorake është e gjallë, dhe ka prekur një tjetër ish-perandori:Rusinë. Shon Uoker në librin “Dehja e gjatë:Rusia e Re e Putinit, dhe fantazmat e së kaluarës”, tregon se si e kaluara përdoret për të shmangur realitetet e padëshiruara të së tashmes. Sot, pothuajse gjysma e popullsisë mendon se duhet të ketë një perandori ruse. Dhe ky është një ndryshim i rëndësishëm, nga gjendja shpirtërore në vitet 1990.

Nostalgjia perandorake nuk është vetëm një ndjenjë, por edhe një katalizator. Ajo i merr pakënaqësitë sociale, dhe i shndërron ato në një formë të rrezikshme të tribalizmit politik. Në librin e tij “E ardhmja është histori”, Masha Gesen tregon se si nostalgjia ka ndryshuar strukturën e shoqërisë ruse.

Më shumë se 25 për qind e rusëve, besojnë se sundimi i Stalinit ishte i mirë për vendin. Analiza e Gesen zbulon se si nostalgjia perandorake shkon krah për krah me një rritje të nacionalizmit, izolacionizmit, seksizmit dhe homofobisë. Këtë vit, me rastin 100-vjetori i rrëzimit të dinastisë së Habsburgëve, tribalistët në Austri po përpiqen të ringjallin të kaluarën e tyre romantike. Aleanca Verdhi-Zi, një lëvizje monarkiste e themeluar në vitin 2004, synon të rivendosë një monarki të trashëgueshme në Austri, dhe më tej nëpër brigjet e Danubit.

Anëtarët e saj pretendojnë se Evropa Qendrore ishte unike. Ata dëshirojnë të bashkojnë Austrinë me Sllovakinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Republikën Çeke. Shumë nga ndjenjat e tyre mbështeten nga qeveria Kurz e Partisë Popullore Konservatore, që dëshiron t’i propozojë dhënien e shtetësisë për italianët që flasin gjermanisht.

Ndërkohë, Alternative für Deutschland, partia e parë nacionaliste e ekstremit të djathtë në parlamentin gjerman që nga Lufta e Dytë Botërore, vazhdon të përdorë termat e epokës naziste, të tilla si Überfremdung – “infiltrimi i huaj”. Nostalgjia perandorake, është haptazi ekspansioniste.

Ajo mund të nisë si një krenari e pafajshme patriotike, por nuk ndalet kurrë atje. Sapo nisin të shfaqen pakënaqësitë mbi fundin e perandorive, përplasjet janë të pashmangshme. Hapi tjetër, është të besohet se vendet fqinje janë në fakt pjesë “e jona”, që presin të bashkohen me atdheun. Kujtesa është përgjegjësi. Ne duhet të kujtojmë të kaluarën, por jo vetëm lavditë e saj, por edhe mizoritë dhe padrejtësitë. Retorika rreth kthimit tek një të kaluar të artë nuk është e pafajshme, dhe nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur.

Le të mos jemi aq të vetëkënaqur, sa të supozojmë se nacionalizmi perandorak, një lëng toksik që ka ndotur vend pas vendi, nuk do të ketë të njëjtin efekt në Britaninë e Madhe, pasi tek e fundit “ky vend është i ndryshëm”. Kjo është pikërisht ajo që do të thoshte një imperialist-nacionalist hungarez, turk, kroat, austriak ose gjerman.

Teksa Evropa po dëshmon një rritje në një formë të re të nostalgjisë politike, gjëja e fundit që na nevojitet, është që politikanët britanikë të hidhen në këtë “vagon” që ndjell katastrofën. Asnjë vend nuk është i jashtëzakonshëm. Ne jemi të gjithë pjesë e këtij kaosi./bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews