Ballina Aktualitet Opinione Rita Behadini: Të rinjtë janë pasivë kundrejt politikave të pushtetit vendor dhe...

Rita Behadini: Të rinjtë janë pasivë kundrejt politikave të pushtetit vendor dhe atij qendror

Të rinjtë në Maqedoni konsiderojnë se lë shumë për të dëshiruar pjesëmarrja e tyre dhe organizatave rinore në procese të krijimit të politikave, qoftë në pushtetin qendror apo atë vendor.

Ata theksojnë se është shumë e nevojshme rritja e transparencës në procesin e politikëbërjes për të rinjtë.
Sipas një hulumtimi të Qendrës për hulumtime dhe krijim të politikave, 91 për qind e të rinjve vlerësojnë se zëri i tyre nuk është i pranishëm në proces e vendimmarrëse.

Po sipas këtij hulumtimi, 87 për qind e të rinjve konsiderojnë se shteti nuk e shfrytëzon potencialin e tyre.
Rita Behadini nga Parlamenti studentor në kuadër të Universitetin të Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se të rinjtë janë pasiv kundrejt politikave të pushtetit vendor dhe atij qendror, pasi ata nuk e shohin të ardhmen e tyre në Maqedoni, transmeton Koha.

“Të rinjtë në vendin tonë janë tepër të demotivuar. Duke marrë parasysh situatën ekonomike, atë politike, të gjithë synojnë Evropën dhe në njëfarë mënyre ata kanë hequr dorë le të themi kushtimisht ndaj luftës për të tentuar që t’i bëjnë gjërat më mirë”, thekson Rita Behadini aktiviste për të drejtat e të rinjve.

Nga ana tjetër partitë politike janë zotuar që çështjet rinore do të jenë prioritet gjatë përgatitjes së agjendave të tyre gjatë ushtrimit të pushtetit, por të rinjtë thonë se kjo gjë mbetet në letër dhe aktualizohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore. (Koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews