Ballina Bota Rekord i ri: Në vitin 2018 Zvicra eksportoi mallra në vlerë prej...

Rekord i ri: Në vitin 2018 Zvicra eksportoi mallra në vlerë prej 233 miliardë franga

Sipas të dhënave të Doganës Zvicerane eksporti i mallrave nga Zvicra në botën e jashtme në vitin 2018 ka arritur një rekord të ri.

Përkundër rënies së lehtë të eksporteve në muajin dhjetor, Zvicra gjatë vitit të kaluar ka eksportuar mallra në vlerë prej 233,1 miliardë franga.

Realisht eksporti është rritur për 6 për qind përkundër pasigurive në ekonominë botërore dhe tensioneve tregtare sidomos mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Gjatë vitit 2018 Zvicra ka importuar mallra në vlerë prej 201,8 miliardë franga (ose 6 për qind më shumë se një vit më parë).

Bilanci tregtar rezulton me një tepricë prej 31,3 miliardë franga.

Prodhimet më të kërkuara në Zvicër, sipas Doganës së vendit, janë ato kimike dhe farmaceutike. Në këtë grup eksportet u rritën për 5,7 miliardë franga ose 5,8 për qind.

Prodhime të tjera të kërkuara janë makinat, pajisjet elektronike dhe instrumentet precize. Në tregun aziatik vazhdon të mbretërojë një interesim i madh për orët zvicerane.

Në vitin 2018 ndërmarrjet zvicerane shiten në mbarë botën orë në vlerë prej 21,2 miliardë franga.

Honkongu konsiderohet si qendër e shitjes së orëve për shkak të turistëve nga Kina, por gjithnjë e më shumë kinezë blejnë kohëmatës edhe në atdheun e tyre. (dp)

@tn.lajmelokale
@tetovanews