Ballina Argëtim Për herë të parë, seriozisht humor…(VIDEO)

Për herë të parë, seriozisht humor…(VIDEO)

(Rreth programit “Tok-Tok 2019” të Pëllumb Kullës në RTSH)

Nga Feti Zeneli

Që Radiotelevizioni Shqiptar pas kaq vitesh kishte bërë një hap të madh përpara duke ia besuar Koncertin e përvitshëm të Vitit të ri shkrimtarit dhe regjisorit të shquar të humorit Pëllumb Kulla, kjo përbënte vërtet një lajm të shumëpritur.

Pritshmëria bëhej akoma më e madhe, jo vetëm pse pas kaq vitesh ai rikthehej në një spektakël të madh, por edhe pse prej gati tre dekadash gjendja e humorit të degraduar shqiptar në duart e diletantëve dhe bufonadave plot fjalë të pista në ekranet shqiptare ka krijuar lodhje dhe nervozizëm ndaj kësaj gjinie kaq të dashur.

Dhe besimi i tyre nuk pësoi asnjë lëkundje nga bindja e vjetër se arti i vërtetë është fryt i artistëve të talentuar e me përvojë që kanë dhënë prova të gjata në karrierën e tyre.

Faktikisht, shqiptarët, pas kaq shumë vitesh, panë për herë të parë në ekranin e madh të TVSH-së një program krejt të veçantë, me nivel të lartë artistik, të bukur, dinamik dhe plot shije. Në krah të mjeshtrit të njohur qëndronte si bashkëpunëtor kryesor artisti i njohur dhe i talentuar Leonard Bombaj, që krahas rolit si regjisor i pjesëve të filmuara drejtpërsëdrejti në hapësirat urbane të qytetit, u shfaq edhe si një nga moderatorët e koncertit ku prezantoi, aktroi dhe këndoi duke u shfaqur si gjithmonë plot dhunti krijuese.

Koncerti ishte i konceptuar në dy dimensione, ku i pari ishte një minifilm me grimca humori në gjithë paradigmën e realitetit shqiptar dhe, së dyti, spektakli në sallën e Universitetit të Arteve, ku artistët në skenë rrethoheshin nga publiku real për të përfituar kështu, impaktin e parë emocional të drejtpërdrejtë. Në moderimin e Eneda Tarifës e Kristian Koroveshit, me aktorët e njohur Luftar Paja, Xhulieta Kulla Mehdi Malka, Neritan Liçaj, Herion Mustafaraj, Egla Çeno, etj., si dhe me pjesëmarrjen e vallëtarëve të zbritur nga viset shqiptare, midis të cilëve spikaste edhe emri i Xholind Muçit, ende nxënës në Gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, por fitues i disa çmimeve në skenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.

Me pak fjalë, programi i Vitit të Ri në TVSH dha provën e sigurt të një suksesi të madh dhe vërtetoi se humori, ashtu si çdo gjini e ka bazën tek emrat e mëdhenj të shkrimit dhe aktrimit, plot talent e përvojë. Ai vërtetoi, se si në çdo spektakël tjetër të madh, suksesi vjen prej “miellit” të mirë, shkrimeve plot përmbajtje të shkëlqyer humori, përvojës së shkrimtarëve të talentuar të kësaj gjinie. Të gjitha materialet ishin të një niveli të lartë artistik, tërë humor elegant e mençuri, me probleme të aktualitetit shqiptar, gati të të gjitha problemeve të jetës sonë, duke përfshirë edhe ato të arsimit e protestat e studentëve. Gërshetimi i aktorëve të vjetër si Luftar Paja, Xhuljeta Kulla e Medin Malkaj me dhjetëra të rinj shumë të talentuar bëri që ekrani të kish një larmi të gjerë karakteresh e tipash të shoqërisë sonë të sotme. Ritmi i lartë i spektaklit, ku midis materialeve të shkurtra e pikante u

erdhi në ndihmë kupleti muzikor, kënga e bukur e muzikës së lehtë, baleti, muzika popullore, etj., e bëri kohën të rridhte lehtë e pa u ndjerë.

Risia tjetër, si sjellja për herë të parë në një spektakël të madh e poezisë, e kësaj gjinie superiore të artit, pikërisht të lirikave të Petrit Rukës, një prej poetëve tanë më të mirë shqiptar, ishte një guxim tjetër për të prurë diçka të re në koncert dhe qëlloi e goditur duke shpërndarë freski tek teleshikuesit. Ato erdhën plot emocion nën interpretimin e aktorit të ri të talentuar Kristian Koroveshi, që plot hir shpërfaqi elegance, diksion të kulluar e dashuri të rrallë për vargun poetik.

Dimension të veçantë i dhanë këtij koncerti xhirimet në natyrë, që kanë tjetër shije, duke e nxjerrë gjininë e humorit në filmimet jetësore në rrugë. Xhirimet në natyrë ishin një përparësi e madhe ndaj spektakleve ngjitur pas dekoreve me beze, që sado të bukura të jenë, në fund të fundit janë tejet të ngushta, pa ajrin dhe thellësinë e hapësirës së peizazhit. Me dhjetëra materiale të xhiruara kështu, drejt e në hapësirat urbane, flisnin vetë për një punë të madhe, me volume të jashtëzakonshme xhirimesh plot lodhje nën drejtimin e regjisorit Leonard Bombaj që i sollën freskinë e jetës reale koncertit. Montazhi i materialeve ishte dinamik, i bukur, plot ritëm dhe pastërti profesionale. Kjo ishte arsyeja që menjëherë pas spektaklit shpërthyen komentet dhe vlerësimet qytetare në rrjetet sociale, ku spikat midis tyre ajo e Hekuran Habilajt, i cili shkruan: “Faleminderit TVSH!

Pas shumë vitesh pamë një emision të Vitit të Ri, një koncert festiv të bukur, ku vlerat ishin në plan të parë, ku antivlerat ishin strukur në ndonjë televizion tjetër, ku humori ishte humor dhe banaliteti e vulgariteti kushedi ku ishin strukur. Meritë e TVSH për zgjedhjet që kishte bërë, por mbi të gjitha meritë e kryemjeshtrit të humorit, të talentuarit Pëllumb Kulla. Aty pamë fytyrën e këtij mjeshtri, pamë mendjen dhe dorën e tij, pamë vizionin e tij për humorin, satirën si edhe për televizionin në përgjithësi. Pamë talentin e tij që bën diferencën, pamë zgjedhjet e spikatura që kishte bërë ai”.

Përvoja e gjatë e Pëllumb Kullës si shkrimtari më i mirë i humorit shqiptar në dekada, dhe po kështu aftësia e tij si regjisor bëri që të kemi për herë të parë një koncert të madh të mrekullueshëm, ndërkohë që gjendja e humorit pas viteve 90, si në shumë fusha të tjera të artit tonë filloj të degradojë për arsye të ndryshme. Humorit të vërtetë, atij që përmes të qeshurës jo vetëm godet e përqesh të metat e një shoqërie, por edhe kuron e shëndosh përmes së saj, ia zuri vendin mediokriteti, banaliteti, shkrimet pa asnjë mesazh pozitiv, humori i rrugës, fjalët e pista me të cilat lulëzoi humori më degradues i shoqërisë, dilentantizmi, mungesa e ndërtimit të karaktereve tipike jashtë kohe të shoqërisë, etj.

Shkatërrimi i tërë rrjetit të ngritur të këtij arti, Teatrit të Estradave në qendër e në rrethe, ikja e aktorëve të tyre, braktisja nga shkrimtarët e humorit, regjisorëve të njohur ndaj këtij arti, tretja e revistave humoristike, e kështu më radhë patën efektin e vet negativ. Gjithçka mbeti në duart e dy-tri televizioneve që ndërtuan programe të posaçme humori, por duke u nisur nga niveli gati zero, me aktorë e regjisorë të rinj, programet nuk po arrinin të kënaqnin shijet e publikut. Për vite e vite me radhë, gjithçka iu nënshtrua eksperimentit dhe humorit të improvizuar të ditës, banalitetit të rëndomtë, mungesës së materialeve pa humor, pa mesazh, etj. Lavdia e atij humori të famshëm që hyri në fondin e artë të kulturës sonë me arritjet e mëdha të Estradës së Fierit, Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Korçës, etj., duket

sikur u bë pjesë e arkivave dhe u tret. Rikthimi i sivjetshëm përmes njërit prej emrave më të mëdhenj të humorit shqiptar mbetet një shembull i shkëlqyer, se ai mund të rivijë si atëherë, i bukur dhe plot shpresë për të ardhmen.

Hapi i ndërmarrë nga RTSH, që për herë të parë thërret në gjirin e vet për koncertin e Vitit të Ri një gjeneral të madh të humorit shqiptar si Pëllumb Kulla vuri gjithkënd në dilemë; në se dhe një mjeshtër i madh mund të fitojë një betejë të madhe pa një “ushtri”, pa trupë të plotë humori, pa aktorë të mirëfilltë të rinj, që nuk e kanë ushtruar këtë gjini në vijimësi e tashmë nuk kemi një traditë. Dhe Pëllumbi e fitoi mjeshtërisht këtë betejë, sepse ai e di shumë mirë që për të krijuar, atyre përveç talentit dhe formimi të duhur profesional, duhet dhe aftësia për të abstraguar nëpërmjet intuitës, fantazisë, njohjes së jetës si dhe kapjes së fenomeneve dhe trajtimit të tyre në aspektin shoqëror. Këto dhunti e bëjnë çdo artist të shohë përtej kohës dhe zhvillimeve shoqërore të momentit. Ky lloj artisti ka një “shqisë” të padukshme që e bën atë disi të veçantë.

Është aftësia për të depërtuar në brendësi të asaj që është e re dhe akoma e padukshme, që qëndron në thellësitë e shpirtit njerëzor dhe aty arrin të gjurmojë zhvillimet e reja që do të vijnë. Këto “gjurmë” Pëllumbi, nëpërmjet vizionit artistik dhe punës së profilizuar në konceptimin e humorit, i ktheu në vlera të koncertit, për të mos e përcjellë skeçin si gallatë në publik, por si një material me ngarkesë të lartë emocionale, në mënyrë që të mbërrijë tek spektatori tepër elektrizuese dhe e mbushur plotë me energji, duke e bërë shikuesin të magjepset. Këtë e arriti duke filluar nga sinergjia bashkëvepruese që krijon figura artistike, ngjarja, veprimi skenik, atmosfera, rrethanat, situata e humorit e kështu me radhë.

Ai e di mirë se përgjegjësia para spektatorit nuk ndryshon, pavarësisht rutinës së shprehive që i ka ofruar eksperienca e gjatë krijuese. Për të aktori është si fëmija, i cili në çdo dalje të re skenë ka nevojë të “mësojë të eci”, të flasë, të vlerësojë, të dëgjojë partnerin dhe të mos bëjë sikur i kryen këto procese, kur në të vërtetë shtiret. Vetëm aktori i futur në brendësi të personazhit nëpërmjet psikologjisë së tij, sjelljeve, zakoneve dhe rrethanave në të cilat, bën të mundur që ta kthejë artistin në një potencial thellësisht të fuqishëm vlerash në fushën e interpretimit.

Është pikërisht kjo përvojë e gjatë që u dha sukses në jetën e tyre skenike disa aktorëve të rinj si Aleks Seitaj që fitoi zemrat në dialogun “Unë, gjyshi im?!” dhe monologun “Duam viza jo përtej varrit, por përtej oqeanit” apo aktorit tjetër të talentuar Engjëll Hoxha për sharmin komik në disa figura e sidomos në atë të Kapterit akademik tek poema satirike “Gjithë shqiptarët me master.” E po kështu aktorja Egla Ceno për lojën e saj aq të natyrshme.

Nga ana tjetër ra në sy koreografia e fisme sidomos në suzhetin “Eva dhe Adami në shekuj”, që sillte freski nga gjini të tjerat të bukura si kënga dhe baleti që i dhanë ngjyra të tjera të gëzuara koncertit festiv të këtij fundviti.

Por në të gjithë këtë koncert të bukur festiv çuditërisht “kërciste” si një halë në sy ambienti i varfër dekorativ i një niveli diletantesk, që autorët kryesorë të koncertit Kulla dhe Bombaj nuk duhet ta kishin pranuar e në mënyrë të veçantë Pëllumb Kulla me eksperiencën e tij të gjatë skenike. Varfëria dekorative dhe ajo e ndriçimit ngarkon me përgjegjësi dhe vete RTSH, që në garën me kanalet e TV kombëtare kish bërë një zgjedhje të lavdërueshme

për gjellën, por jo për pjatën, aq sa mund te themi na e dha ta shijojmë në një pjate prej letre.

Na vjen keq për këto nota kritike sepse kjo arritje që nga njëra anë e nderon RTSH për këtë rizgjim nga na tjetër duhet ta rizgjojë për të qenë koherent me kohën në të gjitha dimensionet që kërkon standarti i ekraneve televizive sot në garën e përditshme të imazhit.

Por gjithsesi për herë të parë në këtë traditë të gjatë RTSH krijoi një ngjarje dhe sukses, i cili sjell një ogur të mirë për ndryshimin e tij cilësor drejt rritjes dhe popullaritetit. Dhëntë zoti e bëhet një frymëzim e përgjegjësi për të mos ndaluar më në këtë rrugë për vitet që vijnë. Zgjedhja e tyre këtë herë qëlloi e mençur dhe kurajoze. Ngjarjet e mëdha në art i krijojnë emrat e mëdhenj.

Pëllumb Kulla, ashtu si në çdo vepër të tij edhe në përgatitjen e koncertit “Tok-Tok 2019”, shquhet për “regjisurë krijuese”, e cila i mundëson atij të qëndrojë pranë aktorit, ta udhëheq, ta nxiti, ta ushqej me material jetësor. Duke qenë vrojtues fenomenal i tipave dhe karaktereve njerëzore, ai arriti t’i mësoj aktorët të krijojnë atmosferë, e cila i dha skenës më tepër akses, e bëri kontekstin më të mprehtë, lojën më tepër jetësore, duke përfituar vlera të pakontestueshme në raport me atë çfarë ndodh rreth e rrotull. Si dihet, qëllimi final për shikuesin mbetet e qeshura dhe argëtimi, pasi asnjë prej tyre nuk vjen në shfaqje të marrë mesazhe, të cilat do ta bëjnë të meditojë, apo të edukohet.

Tregojnë, se një ditë, kompozitori i shquar Prenk Jakova, takoi në rrugë aktorin Tano Banushi dhe i tha: “Tano, mbrëmë më kanë treguar një barsoletë. Po ta tregoj ty dhe të lutem ma trego pastaj mua që të qesh”! Sepse nuk është e lehtë t’i argëtosh njerëzit, t’u shpalosësh atyre gazin dhe buzëqeshjen, sidomos në këto kohë të vështira që po kalojmë, ku nga gjitha krahët e politikës vijnë “kërcënime” të tipit: “Do ta ngrijë buzëqeshjen në buzë!”. Krijimi i atmosferës festive në këtë situatë është një dhunti apo një privilegj i artistëve të mëdhenj të humorit, ku “qershia mbi tortë”, tash për tash, mbetet Pëllumb Kulla.

@tn.lajmelokale
@tetovanews