Ballina Aktualitet Ekonomi OEMVP: ËSHTË KOHA E FUNDIT QË TË PËRQENDROHEMI NË NDRYSHIME THELBËSORE NË...

OEMVP: ËSHTË KOHA E FUNDIT QË TË PËRQENDROHEMI NË NDRYSHIME THELBËSORE NË EKONOMI

Jemi dëshmitarë që në vitin 2018-të prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ishte procesi i integrimeve në NATO dhe BE, i cili ka qenë prioritet edhe i tërë komunitetit të biznesit tani më një dekadë.

Kjo është kumtesa nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veripreindimore në lidhje me pritshmëritë në vitin 2019:

Vite me rradhë proceset zgjedhore dhe vakumi politik e zvogëlojnë intensitetin e aktiviteteve ekonomike, nga ku dëmet më të madha i pëson komuniteti i biznesit. Këto procese zgjedhore dhe tranzicione politike gjetën vend me qëllimin e vetëm që të arrijmë në momentin që do të bënim hap drejt rrugës së integrimeve në NATO dhe BE. Prandaj, vlerësojmë që me përmbylljen e kapitullit të ndryshimeve kushtetuese që ishin parakusht për anëtarësim në aleancën e NATO-s është koha që me fuqitë e përbashkëta të përkushtohemi për krijimin e një ambienti më të volitshëm dhe funksional për arritjen e qëllimeve ekonomike të projektuara, duke evituar paraqitjen e krizave politike si në të kaluarën.

Komuniteti i biznesit e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces të vështirë dhe njëherit është pajtuar me aktivitetin më të vogël ekonomik vetëm për hir të rëndësisë së këtij procesi, por meqë pjesa më e madhe e rrugës është kaluar, është koha që fokusi dhe impenjimi i Qeverisë të drejtohet kah biznesi, që të tregojë se me të vërtetë është partner i sektorit privat dhe bashkërisht mund të kontribuojmë në ngritjen e ekonomisë së vendit dhe mirëqenjes së qytetarëve.

Pritjet pozitive për arritje të projektimeve të parashikuara prej 3.2% për vitin 2019-të janë parashikime dhe plane në raport me Bruto prodhimin vendor në tremujorin e dytë prej 3,1% dhe në tremujorin e tretë prej 3%. Në këtë konotacion, vlerësojmë që për vendet në zhvillim si Republika e Maqedonisë, shtytës kryesorë për rritje ekonomike janë investimet në sektorin privat, realizimi i investimeve kapitale të mëdha, fokusi i veçantë në industri dhe inovacione, dhe gjithsesi konsumi që në Republikën e Maqedonisë përbën rreth 70% të BPV. Prandaj, fokusi duhet të jetë në realizimin e investimeve, për arsye se sektorët të cilët kanë qenë shtytës kryesorë të rritjes në kuartalin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar nuk janë ato të cilët sigurojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjate për krijimin e një ekonomie të tregut të qëndrueshme dhe konkurruese me tregun e përbashkët evropian.

Është koha e fundit që të përqendrohemi në ndryshime thelbësore në ekonomi përmes një strategjie afatmesme për rritje dhe zhvillim ekonomik pa dallim nga partitë politike që do të jenë në pushtet. Aspekt tjetër për të cilin ne vlerësojmë se do të ketë ndikim pozitiv drejt zhvillimit ekonomik dhe social të vendit është edhe komunikimi në mes bizneseve dhe institucioneve shtetërore, si dhe efikasiteti i administratës publike për përgjigje ndaj kërkesave dhe nevojave të bizneseve. Çështje shqetësuese për të cilën duhet të punohet është fakti që u identifikua edhe me raportin Indeksi Global i Konkurrueshmërisë të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, ku në shtyllën e parë e cila vlerëson Institucionet u vërejt që efikasitetit i administratës nuk është në nivel të duhur e për të cilin fakt të gjithë jemi dëshmitarë.

I inkurajojmë dhe kërkojmë nga organet shtetërore për agjendë ekonomike dhe përkrahje të bizneseve duke përmirësuar efikasitetin e institucioneve për përgjigje ndaj kërkesave të bizneseve, reduktimin e pengesave administrative në realizimin e investimeve kapitale, sigurimin e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal prej 1% nga BPV, si dhe refuzimin e iniciativave për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

@tn.lajmelokale
@tetovanews