Ballina Argëtim Njihuni me “mbretin” e Rios, prej 22 vitesh jeton në kështjellën prej…...

Njihuni me “mbretin” e Rios, prej 22 vitesh jeton në kështjellën prej… (FOTO)

Për 22 vitet e fundit, Marcio Mizael Matolias nga Brazili ka shmangur pagesën e qirasë, ose ndonjë fature për këtë çështje, në një nga lagjet më prestigjioze të Rio de Janeiros, Barra da Tijuca.

Ju do pyesni si?

Dhe ne do ju përgjigjemi, duke thënë se ai jeton në një kështjellë që e ndërtoi vetë.

Për më shumë se dy dekada, 44-vjeçari, i njohur nga vendasit si ‘King Marcio’, ka jetuar në një kështjellë prej rëre në plazhin e Barra da Tijuca. Matolias ndërtoi një fron mbretëror për vete jashtë kështjellës së tij dhe gjithmonë mund të shihet me një kurorë plastike dhe një shkop “magjik” në dorë ulur mbi “fron”.

Kështjellat dekorative ose statujat janë një pamje e zakonshme përgjatë plazheve kryesore në Rio de Janeiro, të cilat bëhen atraksione turistike nga vendasit që fitojnë para përmes tyre.

Megjithatë, Marcio është i pari që ndërtoi një kështjellë rëre si një shtëpi dhe përpjekjet e tij reflektojnë realitetin e kostove të larta të strehimit për shumë njerëz në Rio.

Ai duket i kënaqur me zgjedhjen e tij të jetesës.

“Unë jam rritur në gjirin e Guanabara, kam jetuar gjithmonë në plazh”, tha Matolias për The Mirror. “Njerëzit paguajnë qira të tepruara për të jetuar para detit, kurse unë nuk kam fatura dhe këtu kam një jetë të mirë”.

Për të ruajtur muret e kështjellës së rërës, Matolias i ujit rregullisht anët e kështjellës së tij që të parandalojë që rëra e imët të shkatërrohet në klimën tropikale të qytetit gjatë gjithë vitit.

Ai ka edhe durim, pasi një stuhi e vetme tropikale mund të shkatërrojë të gjithë kështjellën e rërës në pak minuta, duke e detyruar atë që të rindërtojë strukturën nga e para. Duke e bërë këtë për 22 vjet, ai është përshtatur me shpejtësi dhe me efikasitet duke rindërtuar kështjellën e tij të rërës dhe puna e tij ka tërhequr vëmendjen e një qendre tregtare lokale që ndonjëherë e fton atë të ndërtojë pjesë dekorative me rërë për shfaqjet e tyre.

Matolias thotë se e vetmja pengesë për kështjellën e tij është se rëra mban nxehtësi dhe me temperaturat që në verë në Rio arrijnë deri në 40 gradë Celsius, fjetja mund të bëhet e pamundur. Në ditët e nxehta, ai qëndron me një mik, edhe pse preferon të jetë pranë detit dhe nuk ka ndërmend të largohet nga pallati i tij në breg, në çdo kohë.

Marcio tha se mësoi të ndërtonte kështjella rëre përmes një shoku dhe përmes leximit të librave – një nga pasionet e tij më të mëdha. Hobi të tjera të tij përfshijnë golfin dhe peshkimin, teksa ai mban edhe koleksione librash, klubesh të golfit dhe shkopinjve të peshkimit.

Dhe ndërkohë që kështjella duket të jetë madhështore në pjesën e jashtme, fasada e saj maskon dhomën e vogël brenda. Dhoma e gjumit të tij është tre metra katrorë, dhe në të gjen të grumbulluara kryesisht libra, teksa mbështetet nga trarët prej druri.

Tualeti i tij është një kasolle aty pranë ku gjithashtu është në gjendje të bëjë një dush.

Mbreti Marcio është bërë një njeri i famshëm dhe tërheqës në Rio, pasi edhe turistët kureshtarë kalojnë pranë për të bërë fotografi të ‘mbretit’ dhe shtëpisë së tij të pazakontë.

Matolias i lejon ata të ulen në fron dhe iu bën fotot. Ndonjëherë, turistët lënë para (edhe pse jo gjithmonë), duke e ndihmuar atë.

Dashuria e tij për libra gjithashtu ndihmon atë të bëjë të ardhura të vogla. Pranë kështjellës së tij, ka një tavolinë me libra, ku kalimtarët mund të blejnë, duke u dhënë çdo çmim që ata mendojnë se është i arsyeshëm.

Mbi librat është një shënim që thotë: “Merrni një libër dhe kontribuoni në kuti në mënyrë që kjo nismë të mos mbarojë”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews