Ballina Aktualitet Kosovë Njeriut që Hashim Thaçi i mbeti 500 mijë euro borxh do ta...

Njeriut që Hashim Thaçi i mbeti 500 mijë euro borxh do ta mbrojë Sami Lushtakun në Gjykatën Speciale

Hashim Thaçi i kishte mbetur rreth 500 mijë euro borxh avokatit Geoffrey Nice, i cili tash do ta mbrojë Sami Lushtakun në Gjykatën Speciale. Borxhi i presidentit aktual të Kosovës është grumbulluar pas kontributit që Nice kishte dhënë për librin e tij autorial.

Geoffrey Nice, kishte pasur qëndrim të qartë për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në vitin 2011 kur kishte kundërshtuar raportin e Dick Martit, i cili akuzonte Hashim Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së për krime lufte.

Nice kishe qenë i pëlqyer nga shumë shqiptarë, kur në Tribunalin e Hagës, në rolin e prokurorit kishte akuzuar Sllobodan Millosheviqin për gjenocid gjatë luftërave në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovionë, shkruan Insajderi.

Ai do të ketë rastin përsëri të merret me luftën e UÇK-së. Kësaj radhe ai pritet të jetë avokat mbrojtës i Sami Lushtakut, i cili është ftuar nga Gjykata Speciale.

Megjithatë Nice nuk ka pasur raporte të mirë gjithmonë me shqiptarët nga Kosova. Ai kishte dërguar një letër në drejtim të Shefit të Stafit të Zyrës së Kryeministrit, Avni Arifit ku e kishte njoftuar se Qeveria e Kosovës i ka borxh atij 500 mijë euro për shkak të librit biografik të Hashim Thaçit.

Ish prokurori i Tribunalit të Hagës duket mjaft i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.

“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës

Aty mësohet se Nice, me ekipin e tij, kishte bërë marrëveshje me Presidentin Thaçi, atëherë shefi i Qeverisë dhe i sulmuari kryesor nga Marty. Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.

Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij së pasi ishte paguar për një kohë, papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria, duke i mbetur borxh gjysmë milionë euro, të cilat tash po i kërkon.

Ai thotë se nëse kjo pagesë nuk do të kryhet, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë, shkruan Insajderi.

Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t’i paguheshin Nice-it 327,445.86 euro, ndërsa Trompit 162.975.01 euro.

Duke mos iu bërë pagesat, Geoffrey Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe vetë Presidentit Thaçi, që disa herë i kishte premtuar se i paguan paratë, por kjo, siç ankohet Nice, nuk ka ndodhur edhe më tutje.

Nice shkruan se bashkë me Nevonka Tromp, që ishte hetuese në rastin e Millosheviqit, ishin angazhuar për t’i dhënë këshilla Thaçit, për t’i përgatitur fjalime, aranzhuar intervista, madje duke kontribuuar në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin Nice thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Thaçin.

Avokati tregon se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para.

“Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.

Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve.

“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.

Ai thotë se e ka takuar tri herë vetëm për vetëm Hashim Thaçin, madje edhe në Presidencë dhe, sipas Nice, presidenti është zotuar se do t’i kryhen pagesat.

Në këtë letër të tij shihet se Nice është lodhur nga papërgjegjësia e udhëheqësve të vendit, e posaçërisht nga mënyra se si ata po e hidhnin topin sa të njeri sa të tjetri. Për këtë arsye ai kishte vendosur që t’u shkruante të gjithëve përnjëherë.

“Duke ju përfshirë të gjithëve, më nuk do të jetë e mundur që t’i ikni përgjegjësive vazhdimisht” u ka thënë Nice, Enver Hoxhajt, Petrit Selimit, Abelard Tahirit, ambasadorit Lirim Greiçevci, Aridan Arifajt dhe Bashmir Xhemajt.

Presidenti Hashim Thaçi ka shfrytëzuar kontratën për lobim që Qeveria e Kosovës ka pasur me kompaninë Alston&Bird për promovimin e tij personal. Saktësisht për të shkruar librin e tij biografikë.

Komisioni hetimor parlamentar ka konstatuar se avokati Geoffrey Nice ka qenë i angazhuar në asistimin e autorëve të librin e presidentit dhe se ai është paguar me fonde publike nga Qeveria e Kosovës, shkruan Insajderi.

Ndërkaq sa i përket dëshmisë së Petrit Selimi, komisioni kanë konstatuar se është në kundërshti të plotë me letrën e avokatit Geofrey Nice dërguar Qeverisë së Kosovës.

“Derisa z. Selimi dëshmon se avokati Nice nuk është kontraktuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës; ky i fundit përmendë pagesa e ekzekutuara dhe të ndërprera më pas nga llogaritë e Qeverisë së Kosovës. Ekzistenca e pagesave në fjalë do të hapte një kapitull të ri hetimor mbi kontratën në fjalë; natyrën e punëve dhe eventualisht shumat e paguara – informacione që nuk u janë dhënë në dispozicion Komisionit Hetimor Parlamentar, sic parashihet me Ligjin mbi Hetime Parlamentare”, shkruhet në raport./INSAJDERI.COM

@tn.lajmelokale
@tetovanews