Ballina Top Lajm Një ekzekutim afër Zürichut dhe konflikti shumëvjeçar mes familjeve Istrefi dhe Bojku...

Një ekzekutim afër Zürichut dhe konflikti shumëvjeçar mes familjeve Istrefi dhe Bojku në Strugë

Ka banda shqiptare që zhvillojnë beteja të përgjakshme kundër njëra-tjetrës. Bëhet fjalë për drogë, prostitucion apo fajde. Këto konflikte në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë fare me gjakmarrjen sipas Kanunit. Një vrasje në Rüti afër Zürichut para disa ditësh është pasojë e një ngatërrese të përgjakshme që zanafillën e ka në Strugë.

Nga Enver Robelli

Ndërsa të krishterët në Zvicër po festonin Krishtlindjen, një person i panjohur vrau më 25 dhjetor pronarin e një restoranti në Rüti afër Zürichut. Viktima ishte 51-vjeçar. Sipas policisë bëhej fjalë për një shtetas maqedonas. Dje kufoma e shqiptarit Inajet Istrefi u varros në Strugë. Në një portal lokal u botua një shkrim i familjes, ku renditeshin aktivitetet e të ndjerit si përkrahës i partive politike e organizatave në Kosovë e Maqedoni si dhe luftërave çlirimtare.

Kjo vrasje duket se ka një dimension më të gjerë. Ajo është pasojë e një konflikti shumëvjeçar mes familjeve Istrefi dhe Bojku në Strugë. Në vitin 2015 në Strugë u vra i biri 23-vjeçar i Inajet Istrefit; djali tjetër i tij u plagos rëndë. Dy vite më vonë, në gusht të vitit 2017, në Strugë u vra Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, i përshkruar si njëri prej «mbretërve» të nëntokës ballkanike, i kërkuar edhe nga drejtësia amerikane. Brenda tri viteve – tre të vrarë.

Beteja që filloi te Liqeni i Ohrit

Sipas familjes Istrefi konflikti kishte filluar në vitin 2013, kur autoritetet e Strugës vendosën të prishin disa objekte pa leje pranë Liqenit të Ohrit. Pas këtij vendimi u kërcënua një anëtar i familjes Istrefi, i cili punonte në administratën e komunës së Strugës. Kërcënuesit ishin nga familja Bojku. Familja Istrefi thotë se familjari i tyre më vonë edhe është rrahur nga familja kundërshtare. Pastaj radha i erdhi vëllait të Dilaver Bojkut, Bashkimit, i cili u rrah – sulmuesit ishin nga familja Istrefi, pretendon familja Bojku. Por, familja Istrefi e mohon këtë dhe thotë se Bojkët kishin plot e përplot llogari të hapura me shumë palë. Sidoqoftë, më 2015 u vra njëri djalë i Inajet Istrefit, ndërsa tjetri u plagos rëndë. Për këtë krim është dënuar Bashkim Bojku. Sipas mediave maqedonase konflikti mes dy familjeve lidhet me koncesionin për një plazh në Strugë.

Pa marrë parasysh se cila është e vërteta në këtë ngatërresë, vrasja në Rüti ka tronditur sërish opinionin zviceran. Një pjesë e mediave janë ngutur që vrasjen ta quajnë gjakmarrje sipas rregullave të Kanunit arkaik e mesjetar shqiptar. Është një rregull i pashkruar: sa herë që ndodhin vrasje në komunitetin shqiptar në Zvicër apo gjetiu në Perëndim, në mediat zvicerane menjëherë përmendet Kanuni. Kjo mund të shpjegohet me dëshirën e shumë mediave për ekzotikë. Kush e lexon apo dëgjon fjalën gjakmarrje, menjëherë rrëshqet në mesjetën e errët ballkanike të shekullit të ’15, ku dominojnë zanat, shtrigat dhe burrat në pritë. Një pikturë e zviceranit Frank Buchser nga viti 1884 bart titullin «Albanese auf der Lauer». Një shqiptar me qeleshe të zverdhur nga dielli qëndron në një livadh me lule dhe shpata që shkëlqen në diell gjendet mes palëve të fustanellës. Burri dëgjon me vëmendje. A do të marrë hak së shpejti? A do ta plaçkit një karvan? A do të sulmojë udhëtarë? Fantazia e vëzhguesit të pikturës është e pafundme.

Balanca e gjakut

Gjakmarrja është e rregulluar në Kanun, të drejtën zakonore shqiptare. Kush e vret dikë, ai duhet të llogaris se familja e viktimës do të «marrë gjak». Gjaku lahet me gjak, sipas Kanunit. Por, ka disa rregulla edhe për gjakmarrje. Vrasësi pasi t’ia marrë jetën viktimës, duhet ta drejtojë kufomën dhe ta njoftojë familjen për vrasjen. Nga gjakmarrja janë të përjashtuar gratë, fëmijët, prijësit fetarë, pleqtë, të sëmurët mentalë. Pas vrasjes mund të sillet një spirale me gjakmarrje pas gjakmarrjes, herë duke marrë kah njëra palë, herë tjetra. Persona me autoritet mund të ndërmjetësojnë mes palëve dhe të arrijnë pajtimin. Pajtimi mund të bëhet edhe kur të dy palët pajtohen se kanë arritur njëfarë balance të gjakut.

Kanuni shpesh është quajtur Ligji i Maleve. Perandoria Osmane pothuaj se nuk ka qenë e pranishme në alpet shqiptare. Në mungesë të shtetit, njerëzit zhvilluan një sistem të pashkruar juridik. Më 1933 Kanuni u botua për herë të parë sipas paragrafëve që i kishte mbledhur teologu i lindur në Kosovë, Shtjefën Gjeçovi. Në pjesët e rrafshëta të viseve të banuara me shqiptarë Sulltani ishte i pranishëm me kalorës, guvernatorë e nëpunës të tjerë, andaj arrinte të impononte kulturën juridike osmane. Në këto vise Kanuni me 1263 paragrafët e tij nuk ka qenë pothuaj kurrë në fuqi ose ka qenë vetëm në faza të caktuara. Gjithsesi në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në disa pjesë perëndimore të Kosovës Kanuni ka qenë pjesë e jetës sociale dhe e zgjidhjes së ngatërresave. Por, a ka qenë ashtu edhe në Prizren, Tetovë, Strugë apo Ohër, qytete këto të integruara gati plotësisht në sistemin osman? Historianët thonë se duhet të bëhet dallimi mes malit dhe rrafshinës – lart vlente Kanuni, poshtë jo.

128 viktima për vada e male

Se shteti osman nuk kishte arritur pas shumë e shumë deceniesh të etablojë sistemin e tij juridik në viset shqiptare, tregon ky shembull, të cilin historiani Oliver Jens Schmitt e sjell në librin e tij mbi historinë e Kosovës: «Në vitin 1890 Sulltan Abdylhamiti e ngarkoi gjeneralin e tij komandues në Kosovë, Et’hem Pashën, për të zgjidhur një zënkë mes fiseve Gashi dhe Shala. Gjenerali mblodhi parinë shqiptare-myslimane nga Gjakova dhe Peja, si dhe krerët e fiseve të Junikut dhe Vokshit. Objekt i konfliktit ishte një mal i liruar nga tatimi, i cili i takonte Manastirit ortodoks të Deçanit. Banorët e fshatrave përreth gëzonin të drejtën që të prisnin dru në këtë mal. Por, në vitin 1716 banorët e fshatrave kishin filluar një ngatërresë me pjesëtarët e fisit Shala lidhur me kufizimin e saktë të pronësisë përkatëse të tokës. Në vitin 1870 shpërtheu një luftë e hapur, e cila kishte pushuar përkohësisht pas ndërmjetësimit të fiseve Berisha dhe Thaçi. 20 vjet më vonë konflikti shpërtheu sërish, kësaj radhe për shkak të vadave nga lumi i Bistricës për ujitjen e arave. Brenda një viti në fshatin Isniq (Shalë) u plagosën 38 burra dhe 25 u vranë, fshati Deçan kishte 43 të plagosur dhe 23 të vdekur. Në përgjithësi kjo fushatë hakmarrjeje brenda një viti ua mori jetën 128 viktimave».

Familje të ngujuara

Vetëgjyqësia shqiptare nuk është zhdukur ende. Por, nuk kemi të bëjmë me një fenomen masiv, siç supozojnë mediat zvicerane. Raste të gjakmarrjes ka ende në Shqipërinë veriore, mediat shpesh njoftojnë për raste të trishtueshme: burra që me vite janë të mbyllur në shtëpi, djem që nuk shkojnë në shkollë nga frika e hakmarrjes, gra që duhet të kryejnë të gjitha punët jashtë shtëpisë. Sipas një raporti të BBC të nëntorit të vitit 2017 në qytetin e Shkodrës janë 68 familje që nuk guxojnë të braktisin shtëpitë, sepse «janë në gjak». Claas Relotius, një reporter i revistës gjermane «Der Spiegel», kishte shkruar në një të ashtuquajtur reportazh se vetëm në Shkodër mbi 3000 familje janë të prekura nga gjakmarrja. Dëshmi për këtë ai s’ka ofruar.

Fakt është se në mjediset e banuara me shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore ka grupe kriminale. Ato kanë lidhje të ngushta me banda në Zvicër, Itali dhe Gjermani, ku jetojnë rreth një milionë shqiptarë apo shtetas të këtyre vendeve me origjinë shqiptare. Shumë nga këto banda drejtohen prej burrave të moshës së re, të cilët nuk kanë çfarë të humbin. Ata janë aktiv në shitjen e drogës dhe në prostitucion. Kush interesohet pak mbi situatën në komunitetin shqiptar në rrethinën e Zürichut, ai mëson se gjithnjë e më shumë po përhapet edhe fenomeni i fajdeve.

Shtetet e dobëta

Konfliktet në këtë ambient në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me gjakmarrje. Janë larje hesapesh, beteja për kontroll biznesi e territori, ngatërresa mes klaneve e familjeve – siç ndodhin edhe mes grupeve turke, arabe apo italiane në shumë metropole europiane. Askush në rastet e tyre s’flet për gjakmarrje.

Shqipëria është prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europë. Në këtë biznes luan rol edhe mafia italiane. Një shef i policisë shqiptare, i cili ka qenë i angazhuar në jug të Shqipërisë, më 2017 ka marrë azil në Zvicër pasi i kishte akuzuar politikanët për lidhje me bandat e drogës.

Se a do të jetë vrari në Rüti afër Zürichut, Inajet Istrefi, i fundit në këtë plojë, mbetet të shihet. Vrasjet tregojnë se krimi i organizuar ende mbetet i fuqishëm në viset shqiptare dhe shtetet – në këtë rast ai maqedonas – nuk veprojnë me rigorozitet të duhur. Vitin e kaluar revista Lonely Planet e shpalli Ohrin pikën e pestë më të bukur turistike në botë. Rruga për të shkuar në Ohër kalon nga Struga. Nga turizmi do të mund të përfitonte edhe Struga, qyteti i Dervish Himës dhe Ibrahim Temos -po të mos tronditej gati çdo vit nga vrasjet. Policia zvicerane ende nuk e ka kapur vrasësin e Inajet Istrefit.

Një version më i shkurtër i këtij teksti është botuar në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger».https://www.tagesanzeiger.ch/zuerich/region/blutrache-gier-nach-exotik/story/22755743

@tn.lajmelokale
@tetovanews