Ballina Aktualitet Opinione Na ishte Putini

Na ishte Putini

Nga Zoran Panoviç

Me siguri keni dëgjuar histori për ndikimin malinj të Rusisë në Ballkan, si dhe ato që thonë se ndikimin rus gërryen stabilitetin e Serbisë dhe të ardhmen e saj europiane. Por, me rastin e vizitës së Putinit në Serbi, dëgjova nga disa njerëz seriozë dhe të mirinformuar edhe këtë interpretim jo të zakonshëm: Nëse ndokush në mënyrë cinike ka vërejtur se realizimi në letërsinë ruse u shkatërrua në kohën e tij nga realiteti rus, atëherë me siguri që nuk është cinike po të themi se nacionalizmi i tanishëm në politikën e jashtme ruse shpëton pikërisht realitetin serb, sepse sikur të ishte në dorë të disa punonjësve patriotë dhe revizionistë në Serbi, do të ishte tejet globalisht e panjohur sesi do të ishin punët sikur Rusia të sillej bash sikur duan ata në intimitetin e tyre.

Maturia dhe kursimtari indikative me fjalët, si karakteristika të vizitës së Putinit në Beograd, vërtetojnë realitetin e përmendur më lart. Si në radhët e popullit të thjeshtë, ashtu edhe në radhët e zyrtarëve kishte shumë të tillë që prisnin që Putini të sillej si Konjuzini, ambasadori i tij në Beograd-para ambasadorit aktual, dhe në një moment do t’i drejtohej popullit të grumbulluar para Tempullit të Shën Savës: “A ka serbë këtu?”, me siguri që nga masa e njerëzve do të dëgjohej parulla “Shkojmë në Kosovë”.

Pastaj se Putini do të qëndrojë në Serbi disa ditë, se do të shëtisë nëpër Serbi me atë valixhen e zezë, për të vizituar fshatrat që mbajnë emrin e tij, të provoje rakinë me emrin e tij, të shohë kishat që po ndërtohen, të dëgjojë repertorë këngësh më emocionuese sesa ato që i kishte përgatitur Daçiçi. Nga pikëpamja mediatiko-marketingistike, Putini dhe Vuçiçi e ndihmuan njëri-tjetrin reciprokisht.

Partia përparimtare serbe (PPS) është pjesë e Internacionales europiane popullore. Vuçiçi, në muajin nëntor të vitit të kaluar, mori pjesë në Helsinki në Samitin e Partive Popullore (EPP). Por PPS ka marrëdhënie të mira me Partinë e Putinit. Marrëdhëniet u thelluan vitin e kaluar kur Nënkryetari i PPS-së Marko Gjuriç dhe Sekretari i Jedinstvena Rosija Andrej Tuçak nënshkruan në Moskë Marrëveshjen për bashkëpunim. Megjithëse, edhe përkundër asaj se, ishte e tepërt të prisje nga Putini që të ishte orator në tribunën e përparimtarëve,

Vuçiçi tregoi se është më i shkathët sesa Millosheviçi në kohën e tij kur bënte kundërmitingje, megjithëse çdo autobus i yni në këta tre dhjetëvjeçarët që kanë kaluar nga “ngjarjet e popullit”, në realitet është ai autobusi i filmit “Ko to tamo pjeva” (Kush këndon atje). Megjithëse tingëllojnë disi ngashënjyese dhe titiste fjalët e regjisorit dhe anëtarit të partisë JUL (Jugosllovenska Levica- E majta jugosllave, parti me Kryetare bashkëshorten e Millosheviçit, Mira Markoviçin në vitet ‘90, Sekretar i përgjithshëm Aleksandër Vulini, sot ministër i Mbrojtjes. Shën. i përkthyesit) Ljubisha Ristic më pragun e vizitës së Putinit kur tha se Serbia duhet të bëjë politikën e “bashkekzistencës aktive paqësore”, në thelb kjo politikë do të thotë ekuidistancë, pra devijim edhe nga integrimi euroatlantik, por në disa interpretime edhe eufemizëm për një politikë proruse.

Duke patur parasysh gjendjen në BE dhe predispozicionin e saj, anëtarësimi me të drejta të plota i Serbisë vazhdon të jetë një mirazh, por gjithsesi, në një perspektivë kaq depresive duhet të kujtojmë fjalët e Majkell Davenportit, ish-shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, i cili në një bisedë në redaksinë e Danas-it, më tha me gjysmë dashamirësi dhe gjysmë cinizëm, se çdo shtet në BE ka hyrë vullnetarisht, dhe se Serbinë askush nuk e detyron të hyjë në BE, nëse kjo nuk dëshiron. Sikurse po shtoj unë tani, pak a shumë me cinizëm, doli se edhe britanikët askush nuk i detyronte të qëndronin në BE nëse nuk e donin një gjë të tillë. Në funksionimin e çdo karizmi, e këtu e kam fjalën edhe për kultin e personalitetit si dhe monumentalizimin e tij, ka rëndësi proporcioni i pranimit spontan dhe manipulativ nga ana e popullit.

Natyrisht që në sigurimin e masave të serbëve për Putinin kishte shumë gjëra vulgare dhe të detyruara, ose ndërhyrjeve “të heshtura” të tipit, kur thotë drejtori- “firma ka siguruar transport deri në Beograd për ata që duan të shohin Putinin”- por edhe adhurimi i Putinit këtu te ne, si dhe në Republikën Srpska, Veriun e Kosovës dhe në disa pjesë të Malit të Zi është në shumicë vullnetar. Ku në mënyrë të çuditshme miksohen krenaria dhe koincidenca. Megjithëse do të ishte politikisht joserioze të thuhej se Vuçiçi nuk ka karizëm, në spektakle të këtilla, sado të orkestruara të jenë, pas pesëmbëdhjetë takimesh me Putinin, ky karizëm merr besueshmëri nga delegimi që i bëhet nga ana e tutorit të fuqishëm.

Në mjedisin tonë serb politik dhe shoqëror ndryshimet shoqërore rrallëherë kanë patur rrjedhë dhe karakter demokratik. Ka ndodhur kryesisht zëvendësimi i autoritetit, deri te lidhja jokritike me karizmin e udhëheqësit. Ndoshta janë të tepruara pohimet për “ristalinizimin e Serbisë apo ato të “kundër dyzetetetës”, por një pamje ikonoklastike e “socrealizimit ortodoks” nuk vihet në pikëpyetje. Autoriteti nuk është predispozicion i izoluar psikologjik, bëhet fjalë për një sindromë e cila është e lidhur ngushtë me tradicionalizmin dhe kolektivizmin.

Për kuptimin e proceseve të thella këshilloj studimin sociologjik “Shkatërrimi i shoqërisë” (1994), dhe krahas tij, dhe për këtë rast propozoj edhe fjalët e psikologut social Bora Kuzmanoviç, sipas së cilave, autoriteti si pjesë e karakterit social “ndërlikon themelimin e shoqërisë moderne demokratike dhe lehtëson ekzistencën e formave të pushtetit autoritar, madje edhe kur një idelogji braktiset dhe zëvendësohet me një tjetër”. Si shembull do të sillnim këtu zëvendësimin e vetadministrimit socialist me nacional-kapitalizmin parlamentar. Me siguri që edhe Vuçiçi nuk e ka të lehtë që politikën e tij “obrenoviçiane” (Obrenoviçët- dinasti që kishte lidhje të mira me Austro-Hungarinë, pra properëndimorë, i fundit i tyre Aleksandri u vra në vitin 1903, së bashku me të shoqen Draga Mashin, pikërisht për shkak të këtyre prirjeve për të sjellë dinastinë prorusë Karagjorgjeviçët. Shën. i përkth) ta normalizojë me rolin prej tutori të Rusisë ndaj Serbisë.

Që etikën “protestane” nga faza më liberale ta sinkronizojë me misticizimin ortodoks që lartëson në nivelin e zotit Vladimir Vladimiroviçin (Putinin). Kulti i tij, krahas veçorive të përgjithshme të çdo kulti- shkatërrimi i komploteve, rinovimi i shtetit, rilindja morale dhe projekti eskatologjik i “kohës së artë”, për çështjen serbe kanë efekte “çudibërëse” në ndërhyrjen në histori. Për shkak të Putinit, me siguri asnjë president serb-Koshtunica, Tadiçi ose Vuçiçi nuk do t’i vendosin kurora partizanëve të rënë në Sutjeska apo Neretva (atje do të shkonin vetëm nëse do të kishte të rënë nga ushtria e kuqe ose Putini t’i shoqëronte për atje), por do të jetë e përshtatshme për shkak të fuqisë së “politikës patriotike” juliane dhe trashëgiminë e “revolucionit antiburokratik” të Millosheviçit ta paraqesësh si avangardë globale që vetëm tani po fiton sadisfaksion.

Duhet e çuditshme, por kjo është ndoshta koha më e mirë për Millosheviçin. Sikur historia ta përputhte më mirë në kohë. Më mirë ndoshta edhe sikur të fitonte marshalli Jazov. Dhe Gorbaçovin, në vitin 1988 në Beograd ta priste, në vend të Millosheviçit, dikush që mund të ishte më i logjikshëm për atë kohë. Nga pikëpamja estetike kjo gjithsesi ishte më konvencionale sesa në Marakana në marsin e viti 2011, kur nuk ishte e lehtë të ishe në llozhën e Mirko Cvetkoviçit (Në vitin 2011, Putini atëbotë Kryeministër erdhi për vizitë në serbi. Së bashku me Kryeministrin serb të kohës Mirko Cvetkoviç ndoqi një ndeshje futbolli mes Crvena Zvezdës së Beogradit dhe Zenithit të Shën Petërburgu, në stadiumin e Beogradit “Crvena Zvezda” të quajtur Marakana ku u duartrokit jashtëzakonisht shumë nga 25.000 tifozët. Shën. i përkthyesit).

Njoh njerëz që e duan Putinin por nuk deshën ta “përshëndesnin” vetëm për shkak të kundërmitingut të përparimtarëve (për hir të së vërtetë parulla “një në treqind milionë” është mjaft e menduar), sikurse edhe njoh mjaft nga ata që u sollën në kundërmiting dhe vërtet që nuk e duan Putinin por erdhën aty për të mos ia rënduar pozitën vetvetes në ndërmarrjen publike ku punojnë.

Humbëse është edhe një pjesë e opozitës antivuçiçiane. E dini, kur vinë perëndimorët, e megjithëse shkojnë te Vuçiçi, gjithsesi ata gjejnë kohë që më pas të presin liderët e opozitës. Edhe Putini mundte që të gjente pesëmbëdhjetë minuta kohë e të takonte Vuk Jeremiçin dhe Boshko Obradoviçin për shembull. Megjithëse do të ishte tejet e rëndë që ata të lidhen me Sheshelin. Por jo. Gjë që lë dyshimin se bash kaq shumë e përbuzin Vuçiçin saqë edhe urdhri është shumë pak i rëndësishëm sikur mendon Jeremiçi dhe opozita nacional-demokratike. Për hir të së vërtetës dëgjoj edhe interpretime ironike për edhe të guximshme që thonë se Putini i dha rëndësi letrës së Obradoviçit (Boshko Obradoviç, lider i një formacioni të djathtë pjesë e opozitës ndaj Vuçiçit, dy ditë para vizitës i shkroi letër Putinit ku e paralajmëronte se Partia në pushtet, dëshironte ta përdorte vizitën e tij për synimet e saj populiste. Shën. i përkthyesit) dhe si pasojë dështoi përpjekja e Vuçiçit që ta tërheqë totalisht Putinin në reality show-n e tij, që të hipë në tribunë dhe të mbajë një fjalim.

Madje kishte edhe frikëra obskure të strategëve të zellshëm të regjimit që shpreheshin se mos seks afera me Jelena Karleushën mund t’i bënte disi karshillëk vizitës së Putinit, në mënyrë të veçantë sepse tabloidët e regjimit nuk e përballuan ngasjen që në organet e tyre Putini të ishte në të njëjtën faqe me Karleushën. Ka rëndësi sesi do të jetë shëtitja e ardhshme e opozitës nëpër kryeqytet, që të shihet se nuk është e demoralizuar me demonstrimin e fuqisë së Vuçiçit sepse kështu doli se “kundërmitingu” kishte edhe funksionin e harmonizimit me “shëtitjen për Oliverin” të një mbrëmjeje më parë. Ata që ende i kanë mendtë në kokë në radhët e opozitës e dinë se vërtetë do të jenë më shumë vetëm atëherë kur shumë veta nga autobusët djeshëm (që sollën njerëz nga provinca në Beograd, për të marrë pjesë në “kundërmitingun“ e pushtetit, ose më saktë për të parë Putinin. Shën. i përkthyesit) të kalojnë në radhët e tyre.

Nuk do të kishte patur ndryshime thelbësore sikur në vitin 2000 apo në vitin 2012, të mos kishte të tillë që kaluan nga njëra anë në tjetrën. Nuk duhen përbuzur edhe efektet e bashkëpunimit ekonomik me Rusinë dhe marrëveshjet e nënshkruara, por për shkak të kujdesit, gjithmonë diku në trurin e vogël, duhen ruajtur fjalët e stalinistit të fuqishëm Anastas Mikojanit (po, po emri i tingëllon si marka e një konjaku të njohur armen), i cili gjatë procesit të bisedimeve për ndonjë marrëveshje tregtare të Bashkimit Sovjetik përherë me brutalitet dhe sinqeritet u thoshte partnerëve “Qëllimi im është të bëj një marrëveshje sa më të përshtatshme për vendin tim dhe sa më të papërshtatshme për tuajin”. Kosova? Do të jetë ashtu siç do të merreni vesh me amerikanët. Ndershmërisht! Danas 19.01.2019

@tn.lajmelokale
@tetovanews