Ballina Aktualitet Rajoni “Maqedonia e Veriut” trondit qeverinë Tsipras, dorëhiqet ministri i Mbrojtjes

“Maqedonia e Veriut” trondit qeverinë Tsipras, dorëhiqet ministri i Mbrojtjes

Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “pro” miratoi dje ndryshimin e Kushtetutës për t’i hapur rrugë zbatimit të marrëveshjes së “Prespës”, duke zgjidhur krizën 27-vjeçare me Greqinë, pasi zgjidhet automatikisht çështja e emrit, me fqinjin tonë lindor që do të quhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshimet kushtetuese u miratuan pas negociatave të gjata më opozitën shqiptare, që çuan edhe në njohjen e kombësisë në mjetet e identifikimit, por zgjidhja e kontestit të emrit duket se nuk i ka kënaqur të gjithë.

Që të jetë e plotfuqishme, marrëveshja e “Prespës” për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, në mënyrë që maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik, por në vetëm 24 orë ajo ka shkaktuar një furtunë në qeverinë e kryeministrit helene, Aleksis Tsipras.

Ashtu siç kishte paralajmëruar që në nisje të bisedimeve Tsipras-Zaev, aleati i SYRIZA-s, Panos Kamenos, i cili mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, ka dhënë dorëheqjen.

Tronditja për Tsipras duket të jetë edhe më e thellë, pasi Kamenos, i cili drejton partinë e ekstremit të djathtë “Grekët e Pavarur”, ka vendosur të braktisë edhe koalicion qeveritar. Pavarësisht se drejton partinë më të vogël të koalicionit, mungesa e Kamenos pritet të ketë pasoja për qeverinë helene, pasi zyrtarisht e fut atë në krizë.

Ndërkohë mësohet se të enjten do të mbahet ne Parlamentin grek votëbesimi i qeverisë, i kërkuar nga vetë kryeministri Tsipras, i cili sheh sesi emri i ri i Maqedonisë rrezikon t’i shembë koalicionin përpara zgjedhjeve.

Ministri i ri i Mbrojtjes në Greqi pas dorëheqjes së Kammenos, do të jetë shefi i Mbrojtjes, Admiral Evangelos Apostolakis. Vetë kryeministri Tsipras njoftoi emrin e pasuesit në detyrë të ish-partnerit të tij në koalicion.

“Për gati 4 vite kam qenë në një bashkëpunim të ndershëm dhe të sinqertë me Panos, por vijmë nga familje të ndryshme politike,” tha kryeministri grek pas takimit me kreun e ANEL, Kamenos.

“Pas një bisede të pastër me të e falënderoj me gjithë zemër për të gjithë kontributin e dhënë në koalicion”, përfundoi Tsipras.

Pas takimit në rezidencën Maximos, në një deklaratë për shtyp Kamenos tha: “patëm një bashkëpunim që zgjati plot 4 vite në një qeveri për unitet kombëtar. Ne arritëm shumë së bashku. Falenderova kryeministrin. Në çështje kombëtare, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë. ANEL tërhiqet nga qeveria”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews