Ballina Aktualitet Ekonomi Mallra kryesisht të falsifikuar

Mallra kryesisht të falsifikuar

Doganës janë mbajtur nën dyshimin se i shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale gjithsej 87.947 mallra. Malli i falsifikuar, sipas ligjit, do të shkatërrohet, ndërsa nëse bëhet fjalë për këpucë apo veshmbathje ai mund të dhurohet. për banorët e shteteve me standard të ulët, blerja e prodhimeve me emra të rrejshëm të brendeve botërore paraqet shpëtim për buxhetin familjar

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 janar  Parfumet, sapunët, dezodoranset , kremërat e ndryshme si dhe atletet, çantat luksoze të grave etj. janë falsifikim i brendeve të ndryshme që përpiqen të futen përmes rrugëve jolegale në tregun e Maqedonisë. Me fjalë të tjera, prodhimet e ndryshme të veshmbathjeve dhe kozmetikës janë mallrat kryesore të falsifikuara që ka ndaluar Dogana e Maqedonisë në nëntë muajt e parë të vitit 2018, shkruan gazeta KOHA.
“Në këtë periudhë më karakteristike janë rastet e prodhimeve kozmetike të ndaluara në mënyrë të përkohshme me 34 për qind , pasojnë prodhimet e tekstilit me 18 për qind, këpucët me 10 për qind dhe prodhimet e tjera me 42 për qind .Në raport me mallin e origjinës që është mbajtur , dominon Turqia me 45 për qind, Kina me 36 për qind etj”, tregon raporti i Doganës.

Analiza më tej tregon se në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar nga ana e autoriteteve të Doganës janë mbajtur nën dyshimin se i shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale gjithsej 87.947 mallra, prej të cilave 39.075 ilaçe, 26.799 kozmetikë e llojeve të ndryshme, 14.409 veshmbathje dhe repromateriale, 6865 këpucë dhe aksesore të ndryshme, 531 celularë dhe pajisje tjerë audio dhe video, dhe 268 auto pjesë .

Malli i falsifikuar sipas ligjit do të shkatërrohet, ndërsa nëse bëhet fjalë për këpucë apo veshmbathje ai mund të dhurohet, pasi të hiqen shenjat e mallit të falsifikuar, ndaj qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Në këtë periudhë me vendim të qeverisë, falas janë ndarë 1514 copë për pranuesit e ndihmave sociale.

Njëherazi në bazë të të drejtave të konfirmuara të pronësisë intelektuale në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar nën mbikëqyrjen doganore janë shkatërruar 3254 copë të prodhimeve të falsifikuara si 600 këllëfë për celularë, 450 papuçe, 384 çorapë, 366 komplete fëmijësh, 327 bluza, 297 tuta, 144 lojëra, 118 portomone, 97 kapakë plastikë për vetura, 88 fanella sportive, 80 syze për diell, 65 çanta, nga 60 pantallona xhinse, 35 atlete etj

“Një nga prioritetet kryesore është avancimi i kapacitetit institucional dhe administrativ për luftë efikase dhe efektive ndaj mallrave false dhe piraterisë, përmes vendosjes së masave të përforcuara të kontrolleve doganore, për gjetjen dhe pengimin e importit, transitit, dhe eksportit të mallrave që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale , si dhe rritjen e bashkëpunimit me mbajtësit dhe përfaqësuesit e këtyre të drejtave në vend si dhe institucioneve kompetente në shtet dhe jashtë”, thonë nga Dogana e Maqedonisë. Nga atje shtojnë se ndërmerren aktivitete të shumta në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë, ndërsa do të vazhdohet në këtë drejtim për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe të ekonomisë dhe arkës së shtetit. Në parim institucionet kompetente, veprojnë në mënyrë parandaluese siç është Inspektorati Shtetëror i Tregut që kontrollon tregun në Maqedoni dhe Dogana ku vjen malli i importuar dhe falsifikuar.

Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se në bazë të Ligjit për pronësi industriale kryejnë kontrolle lidhur me dyshimet për prodhimet e falsifikuara në bazë të kërkesës së mbajtësit të kësaj të drejte dhe sipas detyrës zyrtare. Në raste se konstatohen shkelje dhe vërtetohet se prodhimi shitet si falsifikat, atëherë ndërmerren masat ligjore. Inspektorati shtetëror i tregut kryen kontrolle për respektimin e dispozitave të Ligjit për pronësi industriale, duke vepruar më tej në bazë të konstatimeve të verifikuara. Nëse konstatohet shkelje atëherë, prodhimet konfiskohen dhe shkatërrohen.

Ekonomistët thonë se falsifikimi dhe vendosja në qarkullim të palejuar të brendeve botërore është një trend botëror në rritje që nuk mund ti ik as Maqedonia, por shtojnë se për banorët e shteteve me standard të ulët, blerja e prodhimeve me emra të rrejshëm të brendeve botërore paraqet shpëtim për buxhetin familjar.

Në ndërkohë, mbrojtja e të drejtës së pronësisë industriale, apo e shitjes së prodhimeve të falsifikuara është e rregulluar me dispozitat e Ligjit për mbrojtje industriale. Në rast se inspektori konstaton se janë shkelur të drejtat e pronësisë industriale, ngrihet procedurë që përfshin mënjanimin e mangësive, si dhe sjelljen e vendimit që subjekti juridik që shet mall të falsifikuar të tërheq atë nga qarkullimi. Nëse personi juridik apo fizik nuk i tërheq nga shitja prodhimet e tilla, në atë rast sillet vendimi për ndalesën e veprimtarisë për 30 ditë, mbyllen hapësirat ku kryet veprimtaria dhe merren prodhimet. Sendet që merren përkohësisht, shkatërrohen, pas vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.

Ndryshe, mallrat e falsifikuara dhe të piratuar marrin pjesë deri në 2.5 për qind në tregtinë botërore, me një vlerë prej bile 461 miliardë dollarë që dukshëm dëmton punën e kompanive dhe zbraz arkat shtetërore vlerëson Organizata për bashkëpunim ekonomik (OECD). (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews