Ballina Aktualitet Lajme Lojërat e fatit shkatërruan familjen time

Lojërat e fatit shkatërruan familjen time

Së pari, ju përshëndes! Unë që po ju shkruaj jam një lexues i rregullt sidomos i kësaj rubrike që ka të bëjë me rrëfimin e mëkateve. E lexoj ndoshta për të vetmen arsye sepse më duket sikur mes këtyre rrëfimeve dhe historive e gjej veten shpesh në situata të ndryshme. Ajo për të cilën po shkruaj unë sot, besoj se i kalon kufijtë e çdo historie apo mëkati tjetër që është rrëfyer këtu. Më quajnë Beni dhe historia ime ka të bëjë me një dashuri njerëzore shumë më të madhe se çdo gjë tjetër, siç është ajo e prindërve ndaj fëmijëve të tyre në çdo rrethanë apo kushte. Pikërisht për këtë doja të flisja edhe unë, të bëhem pjesë e këtyre rrëfimeve sa të dhimbshme, aq edhe mbresëlënëse. Vij nga një familje e thjeshtë dhe me shumë kulturë, nga një qytet shumë i madh verior. U rritëm shumë mirë si unë, ashtu edhe motra ime, sepse vetëm dy fëmijë ishim.

Prindërit tanë u munduan që të mos na mungonte asgjë, por unë, ndryshe nga motra ime, isha natyrë pak më e vështirë, ndoshta edhe sepse më llastuan më shumë seç duhet duke qenë djalë i vetëm. Zvarrë dhe me ndërhyrjen e këmbënguljen e prindërve dhe të motrës mbarova gjimnazin. E mbarova me vështirësi sepse nuk më pëlqente të studioja. Edhe pse prindërit e mi më flisnin vazhdimisht për të mirat dhe anët pozitive të shkollës së lartë dhe të një profesioni, mua më hynin nga një vesh dhe më dilnin nga veshi tjetër. Bëja sikur mësoja, por ishte e kotë, nuk kisha dëshirë t’i vazhdoja studimet më tej. Në moshën 18 vjeçare s’kisha çfarë të bëja, kështu që sillesha vërdallë nëpër qytet sa me një shok, sa me një tjetër dhe kthehesha shumë vonë në shtëpi. Gjithmonë e gjeja mamin tim që më priste në oborr e shqetësuar për vonesat e mia.

Kishte djem në moshën time që punonin, ama unë nuk iu futa asaj rruge, por një tjetre e cila më çorientoi fare. Fillova të ndjeja nevojen për të pasur gjithmonë lek nëpër xhepa sepse më vinte turp të ulesha e të shoqërohesha me shoqërinë time, kështu që, si i papunë që isha, fillova të frekuentoja klubet dhe lojërat e fatit. Çdo natë vija gjithnjë e më vonë në shtëpi. Kishte raste që fitoja, por shumicën e kohes i humbisja edhe ato që fitoja. Nuk mjaftoi kjo, por fillova të merrja edhe nga buxheti i familjes ato pak të ardhura që kishim ne. I merrja pa i pyetur fare prindërit nëse kishin lek apo jo. Me pak fjalë, unë përfitoja nga zemërgjerësia dhe dashuria e prindërve të mi të cilët ishin gati të jepnin edhe jetën për mua. Sidomos mamaja ime më kishte kaq pikë të dobët dhe për zemër, sa më plotësonte çdo dëshirë që kisha.

Bixhozi dhe lojërat e fatit më tërhiqnin si me magnet. Një natë të mos shkoja, bëhesha shumë keq dhe nuk më zinte vendi vend. Isha gati të shisja gjithçka vetëm të mos rrija pa shkuar te lojërat e fatit. Edhe familjen po e rrënoja çdo ditë e më shumë dhe ata, pavarësisht se më qortonin, përsëri nuk këmbëngulnin, aq shumë më donin. Nuk më flisnin shumë se kishin frikë se më lëndonin. Dashuria e tyre ndaj meje i kalonte të gjithë kufijtë…

Një ditë, duke parë gjendjen jo të mirë financiare në shtëpi, më shkrepi në mendje të emigroja në Itali. Prindërit herë pas here më sugjeronin të futesha në ndonjë punë sepse ishim varfëruar shumë ekonomikisht e megjithatë, ishin ata që i gjetën paratë borxh për mua që të ikja në Itali. Me këto lek dhe me dokumente fallco shkova në Itali. E dija se gjithçka që bëja në Shqipëri kishte qenë gabim dhe rrugën për në Itali e mora me mendjen pikërisht për të gjetur një punë dhe t’u dërgoja prindërve të mi lekët e marra borxh. Në fakt, nuk ndodhi kështu, nuk ua ktheva asnjëherë ato lek që ata i morën borxh për mua. Me pak fjalë, isha një djalë haram. Në Itali më priti një i afërm i familjes tonë. U sistemova dhe isha mes gjithë të mirave, me të ngrënë, me të pirë dhe me shtëpi falas, nuk paguaja qira fare. Si fillim, ishin ata që më jepnin ndonjë lek, kështu që e fillova duhanin me lekët e tyre sepse unë as nuk kisha filluar punë. Nuk hiqja dot dorë nga vesi i vjetër i lojërave të fatit, kështu që, si pa u ndjerë, iu futa përsëri asaj rruge. Rashë rehat në atë familje që më përkrahu dhe më jepte lekë sa herë doja. Ata më ndihmonin dhe më jepnin lekë për të më ndihmuar që të dilja e të kërkoja punë, por unë s’e ndoqa këtë rrugë. U ndjeva komod sepse m’u plotësuan disa gjëra dhe s’e vrava më mendjen për punë. Nga ana tjetër, prindërit e mi prisnin nga unë që t’i ndihmoja, të paktën të laja borxhin që kishin marrë për mua. Dhe, nuk ishin pak, por një shumë goxha e madhe. Gjeta një punë part time, por edhe ato që i fitoja, të nesërmen ose në darkë i harxhoja të gjitha te lojërat e fatit dhe nuk më ngelte asnjë lek në xhep, as për cigare. Ditët e para kur shkova në Itali i merrja pothuasje çdo ditë prindërit në telefon sepse shfrytëzoja mikpritjen e miqve të familjes, por nuk shkoi shumë gjatë dhe telefonatat me familjen i rrallova gjithnjë e më shumë, bile fillova t’i kisha bezdi në telefon, në vend që të ndjeja mall. Kishte raste kur ata më qaheshin në telefon dhe më pyesnin nëse punoja dhe a do t’ua dërgoja paratë për borxhin sepse personi që ua kishte dhënë u vinte herë pas here të kërkonte lekët e veta. Ndonjëherë sillesha ashpër në telefon, edhe në rastet kur e dëgjoja mamanë tek qante nga ana tjetër. Ishin lotët e një nëne që i qante zemra për djalin e saj që kishte marrë rrugë jo të mira dhe që nuk po ua shpërblente dashurinë dhe sakrificën që kishin bëra ata për të. Tani, kur i mendoj, më vjen të ulëras nga dhimbja dhe e urrej veten për këtë që u bëra prindërve të mi, por në atë kohë unë nuk u ndala vetëm këtu, vazhdova akoma më keq. Fillova të mos u dilja në telefon fare, ndonjëherë edhe i gënjeja duke u përgjigjur italisht dhe u thosha: “nuk e njohim Benin”. E di që teksa po lexoni këtë histori, do më urreni ose edhe do më mallkoni për këtë sjellje mizore ndaj prindërve të mi, por në atë kohë unë nuk logjikoja fare. Më rrënqethet mishi tani kur i kujtoj ato sjellje dhe nuk e dua veten për këtë gjë. Për shkak të sjelljes time, avash-avash po bëhesha i padurueshem edhe për familjen e miqve tanë që më mirëpritën. Dilja natën e vija në mëngjes dhe ato lek që kisha pasur me vete, i kisha lënë të gjitha te lojërat e fatit.

Përfundimisht, kisha krijuar totalisht varësi ndaj bixhozit dhe lojërave të fatit. Arrita në një pikë që, jo vetëm që nuk fitoja më, por ngela pa asnjë qindarkë në xhep, kështu që thashë t’i bija në qafë sërish mamasë, meqenëse ajo më rrinte shumë afër dhe ishte gati të bënte gjithçka për mua. Mami im e shkretë më kërkonte herë pas here në telefon, merrte vete nga Shqipëria, edhe pse mezi ushqeheshin me ato pak të ardhura që kishin. Unë i telefonova dhe i thahsë se kisha ngelur në rrugë të madhe pa asnjë lek, s’kisha më punë dhe flija në një furgon që ndodhej në një varrezë makinash. Ajo pra, mami im tepër e shqetësuar, merr në telefon një të afërm tjetër të saj në një qytet tjetër të Italisë dhe…

Mami im e shkretë më kërkonte herë pas here në telefon, merrte vetë nga Shqipëria, edhe pse mezi ushqeheshin me ato pak të ardhura që kishin. Unë i telefonova dhe i thashë se kisha ngelur në rrugë të madhe pa asnjë lek, s’kisha më punë dhe flija në një furgon që ndodhej në një varrezë makinash. Ajo pra, mami im, tepër e shqetësuar, i telefonoi një të afërmi tjetër në një qytet tjetër të Italisë dhe i kërkoi që të më ndihmonte mua. Doja me patjetër të largohesha nga familja ku isha strehuar, sepse ata i kishin rënë në të që unë kisha marrë rrugë të keqe.

Kështu, u largova tek i afërmi tjetër që më sugjeroi mami. I afërmi im doli të më priste, u tregua shumë miqësor dhe i gatshëm të më ndihmonte, kështu që u sistemova në shtëpinë e tij. Ishte njeri shumë i mirë. Më respektuan dhe më trajtuan shumë mirë. Ishte vërtet shumë pozitiv si person, saqë më gjeti edhe një punë me pagesë goxha të mirë, por unë ato lekë që merrja, i lija të gjitha në lojërat e fatit sepse isha si ajo shprehja: Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Edhe pse ndryshova qytet, nuk hiqja dot dorë nga zanati i vjetër, më ishte bërë si sëmundje. Këtu te ky i afërmi im rashë shumë shpejt në sy për sjelljen time jo korrekte. Ai e kuptoi menjëherë që unë isha një egoist, bixhozxhi, shfrytëzues i të tjerëve dhe e keqja e vetes, prandaj një ditë në mëngjes herët nuk kishte vajtur fare në punë, por po më priste mua të kthehesha në shtëpi (siç thashë, unë shkoja në darkë te lojërat e fatit dhe kthehesha në mëngjes herët). Sa më pa, pa u zgjatur fare, ai më kërkoi shkurt dhe prerë të largohesha menjëherë nga shtëpia e tij. Pikërisht atë ditë unë isha kthyer si mos më keq, komplet i rrënuar, kisha lënë shuma të mëdha parash te kazinoja.

Në këtë mënyrë, përfundova duke fjetur shkallëve të apartamenteve dhe, herë pas here, nëpër makinat e braktisura në varreza. Gjendja ime e mjeruar kishte rënë në sy të një familjeje po nga Veriu, që ishin me banim në atë qytet. Ata, nga zemërmirësia e tyre dhe nga keqardhja për mua sepse nuk më njihnin mirë, më strehuan në familjen e tyre. Me familjen pothuajse e kisha ndërprerë totalisht komunikimin. Nuk kisha me çfarë të jetoja, ndaj fillova të merrja borxh te shqiptarët që njihja dhe me të cilët na bashkonte e njëjta meze siç i thonë, e njëjta lojë. Në punë nuk më merrte njeri se isha edhe pa letra. Personat që u kisha borxh lekët, më kërcënonin herë pas here, donin lekët e tyre mbrapsht me çdo kusht dhe kishin të drejtë. Vetëm kur u gjenda kaq ngushtë, u lidha me prindërit dhe pa i pyetur fare se si ishin me shëndet e si ia kishin bërë nga ana ekonomike, u kërkova të më dërgonin lekë urgjent se isha në rrezik se më kërcënonin borxhlinjtë. Ata të shkretët, për të më mbrojtur mua, i gjetën lekët borxh shpejt dhe m’i dërguan, por nuk zgjati shumë dhe unë arrita në atë pikë sa s’kisha me se të ushqehesha. I afërmi i mamasë time kishte shok një pronar restoranti dhe e kishte porositur të më jepte për të ngrënë kur të kaloja andej. Megjithëse më kishte nxjerrë jashtë, atij i vinte keq për mua dhe interesohej e më fliste gjithmonë për të mirën time, por unë nuk mbushja më. Kisha rënë në sy të të gjithëve si një person parazit që nuk punonte dhe jetonte me lëmoshat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, rashë edhe në sy të policisë kështu që më futen në burg si emigrant pa letra dhe, pas disa ditësh, më dërguan në Shqipëri. Prindërit e mi, edhe pse u kisha bërë gjithë ato të zeza dhe i kisha rrënuar nga ana ekonomike, u gëzuan jashtë mase kur më panë. Ata s’e dinin që djali i tyre ishte shndërruar komplet në një përbindësh, shfrytëzues, egoist dhe i pasjellshëm. Këtë ata e panë me kthimin tim në shtëpi sepse në vend që të zija mend, fillova të sillesha akoma më keq.

Motra ime ishte krejt ndryshe nga unë. Ajo ishte e arsimuar, e punësuar, e edukuar dhe e ndihmonte shumë familjen time. Me pak fjalë, ishim si dita me natën. Pa e lënë akoma mirë familjen time që të çmallej me mua, unë fillova të kërkoja lek për cigare e për lojërat e fatit. Fillova të shisja gjërat e shtëpisë pa i pyetur. Në këtë mënyrë, e rrënova fare familjen time. U bija në qafë për lek, filluan grindjet dhe i detyroja të jepnin para edhe nga lekët e bukës. Pavarësisht torturave psikologjike, dhimbjes dhe skamjes që po u dhuroja, prindërit e mi silleshin përsëri shumë mirë me mua. Më këshillonin me të mira e më dhuronin dashuri, ndërsa unë u përgjigjesha vetëm me ashpërsi. Arrita deri aty sa thyeja gjërat e shtëpisë me qëllim që ata të më jepnin gjithçka që kërkoja. Një ditë, durimi i familjes time kishte arritur kulmin, kështu që me lot në sy, mamaja me motrën më morën mënjanë dhe më folën për gjithë vuajtjet që kishin hequr për fajin tim. Babai im ishte shumë i urtë dhe i sjellshëm e asnjëherë nuk sillej ashpër me mua, por mami me motrën atë ditë më bënë t’i thërrisja ndërgjegjes dhe të kuptoja sa keq i kisha bërë familjes time dhe sa poshtë kisha rënë unë si person.

– Beni, për hir të dashurisë që të kemi dhuruar gjithmonë, duhet të ndryshosh e të fillosh një jetë të ndershme sepse do na lësh në rrugë të madhe. Ti s’e ke idenë çfarë kemi hequr ne këtej në Shqipëri duke larë borxhet e tua. Sa kërcënime dhe sa netë pa gjumë kemi kaluar duke menduar për ty nëse ishe gjallë apo jo, sepse ti nuk bëheshe i gjallë. Ne të dhuronim dashuri, ndërsa ti vetëm na gjuaje me gur. Ti, a ke zemër apo shpirt?

Këto ishin fjalët që më thanë si mamaja dhe motra ime. Më thanë edhe plot të tjera, të cilat më hapën sytë. Më kishin folur edhe herë të tjera, por si duket, kishte ardhur momenti që edhe unë të kuptoja pak nga pak se çfarë i kisha shkaktuar familjes sime dhe vetes. Kuptova se isha shndërruar në një person pa zemër, i keq dhe kisha vrarë personat e mi më të dashur, mamin, babain dhe motrën time që më donte si dritën e syve. Pasi heshta për pak, shpërtheva në të qara në krahët e prindërve të mi dhe u premtova se do të ndryshoja rrugë. Ishte e vërtetë… Zoti bëri mrekulli dhe unë ndryshova. Megjithëse m’u duk shumë vonë sepse kisha krijuar plagë shumë të rënda te familja ime, ata përsëri më falën me dashurinë e tyre të pafund dhe më ndihmuan ta kaloja këtë gjë. Asnjëherë më nuk u kërkova lek, por përpiqesha me punë të ndershme që t’ua shlyeja sadopak atë sakrificë që kishin bërë për mua. Nuk do më mjaftojë një jetë e tërë që t’ua shpërblej sacrificën apo t’ua shlyej dhimbjen që u kam shkaktuar prindërve dhe motrës time. Kam qenë vërtet një njeri shumë i keq, i cili falë një mrekullie dhe dashurisë së pafund të familjes, sot është tjetërkush.

Shpeshherë, kur e kujtoj atë kohë, më vjen turp nga vetja dhe më vjen të pëlcas nga dëshpërimi kur mendoj se sa dhimbje u kam shkaktuar prindërve të mi aq të mrekullueshëm e zemërgjerë me mua. Le të jetë kjo letër një apel dhe një kërkesë për falje ndaj prindërve të mi kaq të shenjtë dhe engjëllorë ndaj meje. I dua më shumë se gjithçka dhe më pështiroset vetja për atë që u kam bërë, edhe pse tashmë nuk jam më i njëjti dhe ndonjëherë, ëndërroj sikur ka qenë dikush tjetër e jo unë që i ka bërë të gjitha këto…/Intervista

@tn.lajmelokale
@tetovanews