Ballina Top Lajm Kumanovarët që fitonin me lajme të rreme nga 500 euro në ditë

Kumanovarët që fitonin me lajme të rreme nga 500 euro në ditë

Gjahtari i lajmeve të rrejshme i cili zbuloi rrjetin e Kumanovës, Marten Shenk, në intervistën me korrespondenten e MIA në Bruksel, rrëfen se si ka arritur t’i gjejë anëtarët e rrjetit. Ai shprehet se nuk bëhet fjalë për biznes të organizuar nga Rusia, por se oportunistët rusë i përdorin lajmet e rrejshme që paraqiten, transmeton Koha.

Si e zbuluat këtë rrjet?

Kam ueb-faqe për kontrollin e fakteve, Leadstories.com, dhe kemi zhvilluar një softuer me të cilin bëjmë monitorim të storieve që janë në trend në internet (‘trending’) dhe ky softuer gjithashtu i shikon kodet e reklamave e të gjitha sajteve. Në këtë mënyrë mund të shohim nëse disa sajte e përdorin identitetin e njëjtë për reklamë, gjë që tregon se personi i njëjtë udhëheq të gjitha sajtet.

Kolegu im nga sajti holandez për kontrollin e fakteve vërejti disa lajme të rrejshme se si spamohen në Twitter dhe vinin prej llogarive që dukeshin si bote dhe më luti t’i kontrolloj në softuerin tim, Trendolizer. Kur i pashë i thashë se i kam parë këto sajte më parë në trend me storie të rrejshme. Dhe së bashku punonim që të zbulojmë se sa është dhe i kujt është ky rrjet. Filluam t’i shqyrtojmë në mënyrë sistematike, secilën ueb-faqe me tagun e njëjtë reklamues, datë të regjistrimit dhe gjetëm sajte edhe më të vjetra me kode reklamuese që na çonin edhe më larg dhe kështu ktheheshim prapa në kohë. Dhe vërejtëm se këto sajte i përdornin artikujt e njëjtë në rreth. I numëruam të gjithë titujt për të parë se cilat janë përdorur më së shumti më shumë herë. Disa artikuj janë paraqitur në më shumë se 23 sajte.

Më pas përdorëm instrumente për kërkim, si Google, për të parë se cilat janë sajtet e tjera që kanë publikuar artikujt e njëjtë, doli se shumica e këtyre artikujve janë të kopjuara dhe të vjedhura nga sajtet e tjera. Gjatë kësaj kohe e pamë se cilat sajte spamohen në rrjetet sociale dhe kështu erdhëm deri te numri prej rreth 75 sajteve. Sërish filluam të përdorim instrumentet në Facebook që u ofrohen gazetarëve për të përcaktuar se kush e ka publikuar i pari një link të caktuar në grup publik. Dhe e pamë se një varg personash publikojnë një varg linqesh në disa javë. Dhe gjithmonë ishin personat e njëjtë.

Kur i pamë informacionet për sajtet e para të regjistruara, e pamë se nuk janë regjistruar në mënyrë anonime. Këtu i gjetëm Viktor Kolevskin dhe Sllagjan Bojkovskin, me meil adresa dhe numra të telefonit. Meqë këto ishin sajtet e para, me siguri nuk kanë qenë të vetëdijshëm se duhet të regjistrohen në mënyrë anonime. Ose ndoshta i kanë regjistruar me qëllim legjitim, e më pas e kanë ndryshuar qëllimin.

Shumica e këtyre sipërmarrësve të këtyre lajmeve të rrejshme fillojnë me sajte për rroba banje, motoçikleta, qen, ushqim të shëndetshëm, etj., e më pas kalojnë në lajme të rrejshme.

Kështu që i kemi këto emra, kemi emra të atyre që i kanë përhapur artikujt në Facebook. Ndaj, filluam t’i kërkojmë në Facebook dhe pamë se mjaft prej tyre janë miq. Disa ishin qartazi profile të rrejshme, si Xhoni Smith, i cili ishte ushtar amerikan nga Nju-Xhersi me miq vetëm në Maqedoni.

Thoni se kanë marrë përmbajtje nga sajtet e tjera, këto janë sajte të vërteta apo jo, nuk janë pjesë e rrjetit?
Kanë përdorur ueb-faqe nga e djathta ekstreme si yournewswire.com, kohë pas kohë artikull nga Brejtbarti, por kanë marrë edhe artikuj nga sajtet satirike amerikane. Ka një liberal të famshëm amerikan i cili mbështet publikisht Hillari Klintonin, por bën artikuj satirik që i trajtojnë konservatorët, me tituj bombastik si për shembull “Obama më në fund në burg”, dhe përmes të cilëve mblidhen para prej reklamave. Por, poshtë artikullit shkruan se është satirë, është përplot me shaka. Por, njerëzit as që i lexojnë artikujt, shikojnë titull, shtypin like dhe e shpërndajnë. Edhe këto sajte i publikojnë këta artikuj satirik pa saktësuar se janë satirë.

Sipas jush, bëhet fjalë për një rrjet, ose më shumë rrjete? Dhe a mendoni se është rastësi ose se dikush qëndron pas këtij rrjeti?

Mendoj se është një rrjet. Kur e filluam hetimin tentuam të kontaktojmë disa nga njerëzit e përfshirë. Dhe përnjëherë u zhdukën të gjitha sajtet, përveç disave që janë shumë të vjetra dhe joaktive me muaj të tërë. Kështu që konsiderojmë se njerëzit që i kontaktuam janë ata që qëndrojnë pas rrjetit. Vërejtëm se në të shumtën e rasteve njihen, se familja e tyre gjithashtu merr pjesë, publikon, shpërndan, se bëhet fjalë për biznes familjar-miqësor, ka një ish-ushtar, ish-polic, shofer kamioni. Nuk janë vetëm tinejxherë që argëtohen me këtë, por janë njerëz të moshuar me punë. Mësova nga një koleg britanik i cili ishte në Kosovë ose Shqipëri dhe ka intervistuar disa sipërmarrës të lajmeve të rrejshme.

Edhe ai më tha se kanë grupe të mbyllura në Facebook ose forume ku shkëmbejnë praktika, resurse, etj., me të vërtetë janë specialistë që mund t’i punësoni për t’ju ndërtuar faqe dhe lexues dhe më pas mund ta blini faqen prej tyre dhe ta përdorni. Ka specialistë për hapjen e ueb-sajtit, specialistë për hapjen e llogarive në Twitter, specialistë prej të cilëve mund të blini “starter pak” me artikuj që do të marrin klikime dhe këtë e shesin. Mendoj se kjo ndodhi edhe me këtë rrjet, ndonëse nuk arritëm ta konfirmojmë meqë njëri na e mbylli telefonin, ndërsa tjetri na u kërcënua me padi, fakti që sërish i përdorin në vazhdimësi të të njëjtit artikuj, mendoj se tregon që e kanë atë “start pak” dhe kohë pas kohë kopjojnë diçka më të re.

A do të thotë kjo se janë ende aktiv?

Nuk e di nëse planifikojnë sërish të punojnë në mënyrë aktive, njëri prej atyre artikujve sërish ishte onlajn, por i ka fshirë të gjithë artikujt. Ndoshta ka menduar se nuk do ta gjejmë.
Prej kur ekzistojnë?

Së paku prej 2016-ës, ky është sajti më i vjetër që e gjetëm.

Pra, megjithatë, përputhet me zgjedhjet amerikane?

Po, kishte kulmin atëherë. Kishte edhe rrjete të tjera që ishin operative më 2015-ën dhe ishin shumë të suksesshme. Periudha e artë ishte fillimi i vitit 2016, kur shumë lehtë një artikull bëhej viral. Vitin e kaluar Facebooku vendosi masa kundër kësaj dhe kishte impakt dhe tani ka rënie të madhe, por megjithatë ende ia dalin. Tani transferohen në Twitter, atje bëjnë spame. Nuk mendoj se kanë suksesin e njëjtë si më parë. Plus asaj, duhet të regjistrojnë gjithnjë e më shumë sajte, më parë regjistronin nga një në muaj, ndërsa në fund pesë prej gjashtë në muaj.

Çfarë mendoni për tinejxherët nga Velesi?

Mendoj se është industri lokale, të gjithë e mësuan këtë prej njëri-tjetrit, do të tregoj se çfarë bëj, etj. Nga kjo periudhë kishte një storie se ka pasur një njeri që ka ligjëruar se si të bëhet kjo, harrova se si quhej. I pyetëm këta nga ky rrjet nëse e njohin, por nuk na u përgjigjën. Kontrolluam vetëm se a janë miq në Facebook.
Sipas jush a qëndron Rusia pas tyre, siç po flitet?

Nuk e besoj. Ajo që e bëjnë rusët është fushatë e amplifikimit. Përdorin llogari të rrejshme në Twitter ose profile të rrejshme në FB. Ka ndodhur të përdorin skrinshote nga sajtet ose titujt e këtillë. Por, nuk mendoj se punojnë për rusët, para së gjithash duan të fitojnë para, ndërsa rusët do të shohin se ndonjë artikull është viral dhe do të ndihmojnë për ta përhapur. Në mënyrë oportuniste. Nuk është se rusët i krijojnë storiet ose se i udhëzojnë në një drejtim të caktuar, por shikojnë të mbjellin përçarje. Nxisin dy palë kundërshtuese dhe më pas do të organizojnë protesta, etj. Rusët publikojnë edhe artikuj në favor të Hillari Klintonit. Njerëzit mendojnë se rusët i ndihmonin Trampit, por kjo nuk është e saktë, ata donin vetëm të shkaktojnë përçarje.

Sa para fitojnë në rrjetin e Kumanovës nga ky biznes?

Nuk e dimë edhe Google refuzoi të tregojë. Sipas mikut që punoi në Kosovë, në kohërat e mira, 2015-ën, 2016-ën, kanë fituar edhe deri 500 euro në ditë. Tani 50, 100 në ditë…

Pse kanë rënë çmimet?

Për shkak se është më vështirë që një storie të jetë virale, nuk prekin aq njerëz, si dhe nuk përfitojnë aq për shkak të masave të Facebook-ut, filtrave, masave për kontrollimin e fakteve, etj. Por, në Maqedoni mesa kuptova edhe kjo është një shumë e madhe për një ditë.

Keni biseduar me njërin prej tyre përmes telefonit, çfarë ju tha?

Tha se nuk është më në ARM, se nga kjo përfiton para anash dhe se ka pasur ueb-sajt më parë dhe se nuk di asgjë për këtë, mohonte.

A është kjo që ata bëjnë, e paligjshme?

Po, shkelja masive e të drejtave autoriale është e paligjshme. Gjithsesi në shumicën e shteteve perëndimore nuk është e paligjshme të shkruani se mendoni se myslimanët janë të tillë ose të këtillë. Kjo është liri e të shprehurit, por disa nga këta artikuj qartazi bien ndesh me rregullat e Facebook-ut meqë nxisin urrejtje.

Gjithashtu bie ndesh me rregullat e reklamuesve, Google Adsens nuk lejohet gjuhë e urrejtjes nëpër sajtet. Edhe kopjimi i artikujve prej sajteve të tjera është shkelje e të drejtave autoriale, jam i befasuar që nuk ka më shumë padi kundër tyre. Me siguri për shkak se është vështirë të kapen. Kur hapin nga gjashtë sajte të reja, derisa autoritetet gjejnë njërin, ata kalojnë te tjetri. Prandaj softueri është i mirë për shkak se mundëson që të gjendet se cili Adsens kod përdoret për reklamë dhe shenja të tjera, siç i quajmë. Softueri na paralajmëron çdo herë kur hapet ueb-sajt i ri me shenja të njëjta, kështu që çdo herë kur hapnin sajt të ri, unë mësoja menjëherë. Dhe ky është instrument që shumica e kontrolleve të fakteve, autoritet dhe ngjashëm nuk e posedojnë.

Ju e keni zbuluar këtë softuer?

Po, unë e ndërtova dhe e programova Trendolizerin, po.
Planifikoni ta shisni?

Po, jemi duka ua shitur tashmë mediave dhe organizatave për kontrollimin e fakteve. Përdoret për monitorimin e zgjedhjeve në Britani të Madhe dhe Gjermani. Edhe tani në zgjedhjet evropiane do ta përdorin disa kontrolle të fakteve.

Sa është rrjeti i Maqedonisë?

Vetëm disa njerëz e udhëheqin dhe disa dhjetëra të tjerë i shpërndajnë, plus disa profile të rrejshme. Nuk ju duhen shumë njerëz, kur vetëm kopjoni, ndërsa nuk shkruani artikuj të vërtetë, nuk nevojiten shumë veta, vetëm ctrl+c/ctrl+v.

A mendoni se ende ka ardhmëri në këtë biznes tani me të gjitha këto kontrolle të fakteve, masa, njerëz si Ju me softuerë?

Gjithmonë do të ketë njerëz që provojnë, por do të jetë gjithnjë e më vështirë. Disa vite më parë njerëzit thoshin se spamet do ta vrasin internetin, më pas u paraqitën filtrat, por unë ende pranoj spame kohë pas kohë. Kjo nuk do të thotë se duhet të pushojmë të luftojmë kundër kësaj, por gjithmonë do të gjejnë zgjidhje, e më pas ne sërish do të gjejmë kundërmasa, gjithmonë do të ketë garë.

Mund t’i dobësojmë seriozisht… Gjithmonë u them njerëzve nga FB-ja që të vendosin një buton që do t’ju paralajmëroj para se të bëni like ose të shpërndani një lajm të rrejshëm, se bëhet fjalë për artikull të pavërtetuar dhe të pyesë se a jeni të sigurtë se dëshironi të bëni like? Mendoj se numri i tyre do të ulet për 50 për qind.

Loading...