Ballina Lajme Kasami për Ora News: Zaev e pranoi, çështja shqiptare në Maqedoni do...

Kasami për Ora News: Zaev e pranoi, çështja shqiptare në Maqedoni do vazhdojë të jetë e hapur (VIDEO)

Kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoni, Bilall Kasami ka treguar për Ora News negociatat me kryeministrin Zoran Zaev për të votuar ndryshimet kushtetuese.

Politikani shqiptar i Maqedonisë, tha se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është mbyllur ende, për aq kohë sa shqiptarët nuk janë të barabartë me maqedonasit. Kasami tha se këtë gjë e ka pranuar edhe vetë kryeministri Zaev.

Pyetje: Pushtuat portalet për shkak të një negociate tuaj me kryeministrin Zoran Zaev. Çfarë u përpoqët të negocionit në këtë marrëveshje për të votuar ndryshimet kushtetuese dhe a ishte e suksesshme strategjia juaj?

Bilall Kasami: Kjo nuk ishte një betejë e Lëvizjes Besa, ishte një betejë për çështjen shqiptare në Maqedoni. Çështja shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet e hapur edhe përkundër faktit që disa parti shqiptare në qeveri për të mbrojtur pozicionet e tyre, e deklaruan çështjen shqiptare të mbyllur. Këtë tentuan ta deklarojnë edhe nga Uashingtoni, por ne arritëm që në një marrëveshje me qeverinë që kjo çështje të mbetet e hapur dhe më tutje të zgjidhet në procesin e klasës së Maqedonisë.

Eksponentë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim në qeverinë e Zoran Zaev udhëtuan menjëherë pas vizitës tonë të Departamentit të Shtetit, ku ne deklaruam shqetësimin tonë se çështja shqiptare në Maqedoni nuk guxon të mbyllet, sepse shqiptarët nuk janë të barabartë me maqedonasit dhe më tutje. Pra shqiptarët këtu trajtohen si pakicë, ndërkohë që janë pjesa më e rëndësishme e shtetit të Maqedonisë, pas maqedonasve jemi populli shumicë në Maqedoni dhe si të tillë kërkojmë që dhe të drejtat tona të trajtohen si popull shtet formues dhe themelues të këtij shteti.

Pra deklaruam që me zgjidhjen e cunguar të çështjes së gjuhës shqipe të deklarojnë se çështja shqiptare nuk ekziston. Përderisa gjuha shqipe nuk futet në kushtetutë, e barabartë me gjuhën maqedonase, përderisa shqiptaret nuk përmenden në kushtetutën e Maqedonisë të barabartë si popull shtetformues të Maqedonisë, çështja shqiptare do vazhdojë të mbetet e hapur. Këtë e pranoi edhe kryeministri Zoran Zaev në dokumentin e nënshkruar bashkë me Lëvizjen Besa.

/Ora News.tv/

Loading...