Ballina Lajme KARRIERË ME ANTISHQIPTARIZËM/ Profile të kandidatëve të VMRO-së për president

KARRIERË ME ANTISHQIPTARIZËM/ Profile të kandidatëve të VMRO-së për president

Klimovski, Siljanovska dhe Karakamisheva karrierat e tyre politike dhe akademike i kanë arritur falë vendimeve dhe deklaratave antishqiptare, që nga koha para Pavarësisë së Maqedonisë e deri ditët e sotme. I pari mbylli paralelet shqipe vitet e ’80-ta kur ishte ministër i Arsimit, e dyta gjen mangësi në çdo kërkesë shqiptare, ndërsa e treta konteston deri edhe përqindjen reale të shqiptarëve në vend. Shovinizmi i tyre vazhdon edhe sot e kësaj dite. Dhe, që të tre synojnë mbështetje për president të Maqedonisë së Veriut

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 30 janar – VMRO-DPMNE duket se nuk heq dorë nga zgjedhjet parlamentare bashkë me ato presidenciale. Madje, është vet lideri Hristian Mickoski që kërkoi shpërndarje të Parlamentit, formimin e Qeverisë teknike dhe dorëheqje të kryeministrit, ashtu siç është rregulluar me Ligjin e Përzhinos, shkruan gazeta KOHA.

“VMRO-DPMNE-ja është fuqimisht e motivuar dhe e mobilizuar të merr pjesë në ato zgjedhje presidenciale, të cilat praktikisht do t’i fitojë dhe në atë mënyrë fuqimisht do ta përgatit derën e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, nëse jo tani, sigurisht në vjeshtë. Për këtë shkak është shumë më me rëndësi të kursejmë në kohë, pasi presioni i fitores së opozitës në zgjedhjet presidenciale do të thotë barë e madhe për qeverinë”, deklaroi Mickoski në një intervistë në RTVM.

Në ndërkohë, në VMRO tashmë ka nisur anketa e brendshme për kandidatët e mundshëm për president të vendit. Katër emra deri tani po analizohen brenda strukturave të VMRO-së, ndërkohë që rejtingu se kush ka mbështetjen më të madhe ka nisur. Profesorët Savo Klimovski, Tanja Karakamisheva, Gordana Siljanovska dhe ish-ministri i Financave, Trajko Sllavevski janë favoritët kryesorë të VMRO-së për kandidatë të mundshëm për president. Përzgjedhja e kandidatit për president, siç ka paralajmëruar lderi Hristijan Mickovski, do të bëhet në Konventën e 16 shkurtit në Strugë. Megjithatë, tre emrat e parë – ai i Klimovskit, Karakamishevës dhe Siljanovskës gjithë karrierën e tyre politike dhe akademike e kanë arritur falë vendimeve dhe deklaratave anti-shqiptare, herë në kohën para Pavarësisë së Maqedonisë, e herë deri ditën e sotme. Mjafton t’u hedhim një sy biografive të tyre për të kuptuar se çfarë dhe si janë sjellë në raste konkrete me shqiptarët e Maqedonisë.

SAVO KLIMOVSKI, MINISTRI QË MBYLLI PARALELET SHQIPE NË VITET ’80-ta

Savo Klimovski, ish-kryetar i Parlamentit nga viti 1998-2000 nga radhët e partisë Alternativa Demokratike – më vonë herë me LSDM-në e herë me VMRO-në, është profesor i Juridikut në Universitetin e Shkupit. Karrierën politike e kishte filluar që në vitet 70’ta, si studentë i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa nga viti 1986 deri në 1991 ishte ministër për Arsim i Qeverisë së asaj kohe. Derisa ishte ministër, Klimovski propozoi masa shtrënguese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët u privuan edhe nga e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në administratën publike e shtetërore dhe në shkollat fillore e të mesme. Nga viti shkollor 1987/1988, nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme që nga Kumanova e deri në Dibër u detyruan të vijonin mësimet në gjuhën maqedonase. Mësuesit e profesorët shqiptarë i detyruan që t’u flisnin maqedonisht nxënësve të tyre. Ata që kundërshtuan, u përjashtuan nga puna dhe u burgosën, siç ishte rasti me profesorët, nxënësit dhe prindërit e Kumanovës dhe të Gostivarit pas demonstratave të qeta të gushtit 1988, të cilat organet maqedonase dhe Ministria e Arsimit me Klimovskin në krye i quajtën kundërrevolucionare dhe burgosën shumë shqiptarë që morën pjesë në to, shkruan KOHA.

Gjithmonë duke u thirrur në Ligjin për arsim të mesëm të orientuar dhe në reforma, Klimovski me Qeverinë komuniste të asaj kohe filloi ta aplikojë fushatën për diferencimin e profesorëve shqiptarë dhe për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe. Nga presionet, burgosjet dhe keqtrajtimet e nxënësve, profesorëve dhe prindërve, u krijua një situatë kur nga këta presione të ndërmarra nga ana e Qeverisë dhe policisë, shumë profesorë shqiptarë u përjashtuan nga puna u detyruan të largohen edhe nga Maqedonia.

Së fundmi, Klimovski me petkun e analistit dhe profesorit, nuk ka mbetur anash edhe me deklaratat kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe përdorimit institucional të gjuhës shqipe në Maqedoni. Në një intervistë për mediat maqedonse, Klimovski paralajmërimin e LSDM-së para zgjedhjeve të vitit 2016 për zyrtarizmin e gjuhës shqipe e quajti të gabuar, ndërsa kërkoi Referendum për mbrojtjen e, siç thoshte ai, “principeve të shtetit multietnik si shoqëri me gjuhë zyrtare maqedonishten”. Për Marrëveshjen e Ohrit, Klimovski kërkonte të ndalojë implementimi i saj, pasi sipas tij, “nuk ka më çfarë të implementohet”. “Mendoj se çështja e Marrëveshjes së Ohrit duhet të ndalojë më. Nuk ekziston më Marrëveshje e Ohrit. Më besoni, nuk ka çfarë të implementohet. Kjo marrëveshje ishte në frymën e vitit 2001, ndërsa tani jemi 15 vite më vonë”, është shprehur Klimovski.

SILJANOVSKA, PROFESORESHA KUNDËR ÇDO KËRKESE TË SHQIPTARËVE

Kandidatë tjetër që po shqyrtohet nga VMRO, ndërsa ka mbështetjen e profesorëve dhe intelektualëve maqedonase është edhe profesoresha universitare Gordana Siljanovska. Ditë më parë, 30 profesorë universitare kanë firmosur mbështetjen e Siljanovskës për presidente të vendit, ndërsa thirrja për mbështetjen i drejtohet dy partive maqedonase – VMRO dhe LSDM.

Ndër të parët që kanë firmosur mbështetjen për SIljanovskën gjendet edhe Biljana Vankovska dhe Karolina Ristovska Asterud, profesorë universitare që hapur janë shprehur Ligjit për gjuhën shqipe, si dhe Jani Bojaxhi, regjisori që në filmin e tij të fundit “Tallja e Krishtit”, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e paraqiti si ushtri monstruoze. Të kthehemi te deklaratat e Siljanovskës për kërkesat ndër vite të shqiptarëve. Qëndrimi i saj antishqiptar u dëgjua kohët e fundit pas zyrtarizmit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Për Siljanovskën, publikimi i Ligjit në “Gazetën Zyrtare” është kundër-kushtetues, ndërsa kërkonte përgjegjësi nga kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, si dhe nga drejtori i “Gazetës Zyrtare”.

Edhe ndryshimi i Preambulës, në të cilën u vendos si term edhe “Marrëveshja kornizë e Ohrit”, për Siljanovskën ishte kundër-kushtetuese.

“Është jologjike që Marrëveshja e Ohrit të gjenden në Preambulë. Marrëveshja e Ohrit është realitet. Ajo ndryshohet dhe vlerësohet në të gjitha raportet vjetore, ndërsa në Preambulë futen aktet e sjella nga Parlamenti, dokumentet kushtetuese dhe dokumentet shtetërore. Marrëveshja e Ohrit ishte marrëveshje politike e miratuar nga katër parti politike me garanci të presidentit të asaj kohe dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Megjithatë, ky dokument vetëm në anglisht nuk është dokument i ratifikuar nga Parlamenti, ndërsa akoma nuk është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese”, shkruan Siljanovska. Ligji për gjuhën shqipe, sipas Siljanovskës, është antikushtetues dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit, shkruan KOHA.

“Propozim-ligji për gjuhët, që në Parlament dy herë u miratua me procedurë të shkurtër, është anti-kushtetues dhe rrënon frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Nenet që ky ligj parasheh përdorimin e shqipes për uniformat dhe simbolet, si dhe në gjyqësor, janë çështje që duhet të sillen me shumicën e dyfishtë dhe jo me 61 vota. E treta, ky ligj nuk thirret në asnjë rregullativë apo direktivë të Bashkimit Evropian që i njëjti të jetë me flamur evropian dhe të miratohet me procedurë të shkurtër. Veç kësaj, miratimi është edhe në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit”, thotë Siljanovska.

KARAKAMISHEVA, ZËRI I VMRO-së KUNDËR “PLATFORMËS SË TIRANËS”

Edhe emri i Tanja Karakamishevës nuk është pak i njohur për shqiptarët, gjithmonë me deklarata fashizoide dhe anti-shqiptare. Profesoreshë e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkupit, Karakamisheva së fundmi, duke manipuluar me numrat, deklaroi se shqiptarët në Maqedoni nuk arrijnë as 17 për qind.

“Sipas të dhënave të azhurnuara për shtetësitë e lëshuara, në Maqedoni ka pak më shumë se 2.4 milionë shtetësi, nga të cilat 1.883.612 (72.66%) janë deklaruar si maqedonas, 375.601 (16.7%) – shqiptarë, 2.66% romë, 3.85% turq, 1.78% serbë, 0.84% boshnjakë, 0.48% vllehë dhe 1.03% të tjerë. Kjo vlen për ata që ende nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë dhe nuk e dinë se çfarë po ndodh në Ballkan”, shkroi Karakamisheva në Facebook. Veç kësaj, Karakamisheva kulmin e “karrierës” intelektuale e pati kur bashkë me organizatën “Tvrdokorni”, bënte thirrje kundër të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, ndërsa deklaroi se Maqedonia po kërcënohet nga federalizmi shqiptarë, duke u bërë pjesë indirekte e nxitjes së huliganëve maqedonas për të sulmuar Parlamentin më 27 prill 2017, raporton KOHA.

Me aminin e VMRO-së, Karakamisheva deri në vitin 2020 do të jetë anëtare e Maqedonisë në Komisionin e Venecias, ndërsa ka kërcënuar hapur se Ligji i gjuhëve nuk do të marrë mendim pozitiv në këtë Komision. Për Ligjin e gjuhës shqipe, Karakamisheva në çdo paraqitje deklaron se është kundër-kushtetues, ndërsa kërkonte që i njëjti të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

GJORÇEVI I VETËM ME MILLOSHOSKIN

Duket se Vllatko Gjorçev, deputeti aktual i VMRO-së, nuk ka mbështetje të gjerë në parti për kandidaturën e shpallur për president. Deri më tani, kandidaturën e tij hapur e ka mbështetur vetëm deputeti Antonio Milloshoski. (koha.mk)

Loading...