Ballina Opinione Jam në shitje

Jam në shitje

Edison Ypi

Jam në shitje. Po të më blejë e djathta, në emër të seriozitetit, konservatorizmit, vlerave kombëtare, por me britma patetike si ekstremist majtist, si revolucionar i paepur, do tund dheun, do ja shkul së majtës dhëmbë e dhëmballë. Si fanatik i pamposhtur, si militant i kudondodhur konservativ, favoret që më ka bërë partia do di ti mbroj edhe me gjak. Në 364 ditë do ti xhvat Shqipërisë ç’të mundem. Në ditën e 365-të do ngre lart një flamur me shkabë që nxjerr zjarr nga goja duke e valavitur era.

Do uluras “o sa mir me ken shqiptar, o sa keq me ken amerikan”. Do shkruaj në rrjetet sociale statuse mallëngjyese mbi padrejtësitë historike që i janë bërë Shqipërisë në shekuj duke e katandisur sa më të vogël. Europën do ta quaj si e ka quajtur Fishta “kurva plakë”. Amerikën të degjeneruar. Perëndimin të korruptuar. Ambasadorët e tyre do ti shaj shtatë breza me libër shtëpie. Do ngre në qiell, lindjen, Turqinë, Arabinë, mullirin e kafes, shilten, haremin, lëngun e shegës. Do t’i bëj të ditur Amerikës se do flas mirë për të vetëm po na bëri shtetin e 51.

Pasi të futemi në gjirin e saj të ngrohtë, pa llogaritur Zërin e Amerikës që e kemi bërë vatër të Sigurimit qysh para dhjetra vitesh, s’do lemë gur pa lëvizur pa ja shqiptarizuar Amerikës Hollivudin, Internetin, CIA-n, FBI-në. Nëse nuk na bën shtetin e 51, në djall Amerika me gjithë Uillsonin, Harry T. Fultz-in, ambasadorët e saj, diversantat, bombardimin e Serbisë, pavarësinë e Kosovës. Do hiqem dhe si shkrimtar, si poet, përmes ca lëtyrave letrare që do ti shkruaj enkas.

Në bashkëpunim me ca çapaçulë, ato këllira do ti paraqes si kryevepra përmes falenderimeve dhe komplimentave reciproke në formën e një katarakti qurresh më të madh se uji që do bjeri nga diga e hidrocentralit të Moglicës. Nuk do tu dal kurrë në krah liderëve të djathtë edhe në rastet e shpifjeve më monstruoze që do tu bëjnë të majtët. Dy duar për një kokë. Le të mbrohen vetë ata. Me të majtët nuk do merrem gjoja në emër të Etikës së sjelljes, por në fakt nga frika se ata dreqër janë të gojës dhe të marrin erzin. Luani pra vendit ju ish deputetët dhe ish ministrat e së djathtës që keni vjedhur si në harradoz.

Mos bëni si naivë. Mos u hiqni si shenjtorë. Më blini sa më parë. Po s’më bletë ju, shitem tek e majta. Për të blerë njerëz si unë, të majtët nuk i kursejnë paret. Fill pasi të më blejnë, të majtëve do tu premtoj se nga njëra anë do vjedh me të gjitha mënyrat, nga ana tjetër me lot krokodili në sy dhe rënkime mallëngjyese prej hoxhe ose prifti do hiqem si mbrojtës i fukarenjve, të cilët i urrej, por më duhen për propagandë, për hedhje hi syve.

Në të gjitha gazetat, sidomos ato të Sigurimit ku mund të shkruash edhe me pseudonim, do ta paraqes sikur në Shqipëri nuk ka pasur kurrë burgje dhe internime. Vetëm nomenklaturistë shkërdhata që kanë rivalizuar me njëritjetrin përmes historive rozë, deri në inceste të paimagjinueshme nga masat popullore në kundërshtim flagrant me mësimet e pavdekshme të shokut kurvi. Krerët e së majtës nuk do ti mbroj drejtpërdrejt por tërthorazi duke sulmuar pa mëshirë krerët e së djathtës. Kujdes të veçantë do bëj ta zmadhoj sa më tepër hambarin e paçmuar të së majtës shqiptare që është budallallëku i të djathtëve.

Do ngre në qiell fanatizmin e tyre, egoizmin, perceptimin bukolik të jetës dhe botës, që bashkë me hajvanllëqet në arenën ndërkombëtare, do jenë kuajt e luftës time për tkurrjen e pandalshme numerike elektorale të së djathtës. Jo aq sa e majta ti marri të gjitha votat duke e lënë të djathtën me biberon në gojë, çka vërtet do ta rrënonte të djathtën e hallakatur, por njëkohësisht do bënte të pabesueshme të majtën e ndritur, dhe do dëmtonte pluralizmin. Më pak. Ku ma gjen të shitem edhe te e djathta edhe te e majta. Un me kontribute të shquara, ata me pare të vjedhura, do korrim fitore të njëpasnjëshme. Nëse nuk do më blejë as e majta as e djathta dhe as të dyja, do shitem te Nexhmia.

VIDEO bonus:
Loading...