Ballina Kultura Ismaili i tyre i përbaltur dhe Kadareja im i artë

Ismaili i tyre i përbaltur dhe Kadareja im i artë

Nga Artan Gjyzel Hasani

Para disa vitesh, ndërsa isha me pushime në Santo Domingo (Republika Domenikane), njoha rastësisht një vajzë të re nga Argjentina, e cila kur mori vesh se nga isha më tha “E kam dëgjuar emrin e Shqipërisë. Është vendi i Kadaresë. i çuditur e pyeta: “Ç’ne në Argjentinë emri i Kadaresë?”

“Kadarenë dhe Kafkën i kemi studiuar në vit të fundit të shkollës së mesme në një kapitull të prozës europiane të shekullit të 20-të dhe kam bërë edhe një esse për romanin e tij “Kronikë në gur”. E pyeta për Enver Hoxhën dhe Skënderbeun dhe mblodhi supet. Nuk ua kishte dëgjuar kurrë emrat.

Fakti që askush nga baltëhedhësit e palodhur nuk ka mundur të cënojë apo të rrëzojë profesionalisht veprën e shkrimtarit Kadare, dëshmon për mjerimin e madh të sulmeve kundër njeriut të zakonshëm, vdekatarit Ismail.
Sikur baltëhedhësve t’u skanohej jeta e tyre private dhe publike kushedi çfarë njollash të errëta e moralisht të padenja do dilnin në dritë. Mbase të gjithë do të dilnin ismailër, por askush Kadare.

Baltëhedhësit, të majtë e të djathtë, e vënë prej shumë vitesh publikisht Ismail Kadarenë nën këto 5 akuza bazë:

1- Tradhëtoi atdheun duke ikur në Francë
2- I ka quajtur shqiptarët e ngjarjes së ambasadave “jashtëqitje e Kombit”
3- Shkatërrues i jetës së Renatos,
4- Ka qenë zëvëndësi i Nexhmije Hoxhës si nënkryetar i Frontit Demokratik Shqiptar
5- Me penën e tij i shërbeu diktaturës dhe diktatorit vrasës shqiptar E.Hoxhës.

Para se të shqyrtoj pa emocione këto akuza, është e udhës të krijojmë një ide mbi akuzatorët e Ismail Kadaresë. Mbase shumica dërmuese e shqiptarëve. Një amalgamë e larmishme pa dallim feje dhe ideje. Kadarenë e akuzojnë komunistët “hardcore” shqiptarë, ish komunistë të konvertuar në socialistë, rudimentet e sigurimit të shtetit, të djathtë nacionalistë, muslimanë të thekur, shqiptarë injorantë që nuk kanë lexuar as edhe një gërmë të tij, lexues të rregullt të tij, shkrimtarë, të dështuar dhe të suksesshëm, njësoj ziliqarë e cinikë, veriorë me mentalitet paragjykues gjeografik, etj etj.

Për asnjë personalitet tjetër të shquar shqiptar nuk ka një konsesus kaq të gjerë urryes. As Zogu, as Enver Hoxha e as Berisha nuk janë urryer kaq shumë dhe nga një masë kaq e gjërë njerëzish.
“Partia AntiKadare” do të ishte fituesja e përhershme e zgjedhjeve në Shqipëri, nëse do të formësohej në trajtë partie masa njerëzore e baltëhedhësve.

Po kthehem tek akuzat:
Akuza e parë nuk meriton përgjigje. Eshtë një absurditet që në ngjizje, pasi arratisja njehsohet me “tradhëtinë” veç në terminologjinë totalitare të diktaturës.

Akuza e “Jashtëqitjes së Kombit”.
Një thashethem, gënjeshtër dhe shpifje e shpërndarë nga sigurimi i shtetit dhe më pas e amplifikuar deri sot nga e tërë amalgama e baltëhedhësve. Nuk ka asnjë dokument, fakt, regjistrim audio apo video ku Ismail Kadare të ketë thënë këtë shprehje. Është një rast klasik i thashethemnajës tradicionale shqiptare.
Çdo baltëhedhës që akoma e artikulon këtë akuzë nuk është gjë tjetër veçse një shpifës mjeran.
Po nga ka dalë kjo akuzë?

Ka një investigim serioz të Lapsi.al për këtë çështje në të cilin thuhet: “Një version e jep ish-sekretari i komitetit qendror të PPSH-së, Xhelil Gjoni. Në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama” Gjoni shpjegon edhe këtë fakt duke evokuar ngjarjet e 2 korrikut ’90-të. “Për pyetjen që ju bëni për shprehjen “jashtëqitje e kombit”, unë nuk e di se kush e ka thënë… Por unë jam dëshmitar i një fakti që nuk e luan topi: në një moment, Ramiz Alia, më ka thënë: “Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?”

Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij”.
Po atëherë kur edhe vetë krerëve më të lartë të regjimit, Kadare ua ka mohuar këtë fakt, si vazhdoi t’i mbetej atij autorësia për shprehjen e rëndë.

Përsëri sipas Lapsi.al: “Një version të mundshëm për këtë e jep në librin e tij të fundit “Fillimet” Preç Zogaj. Ai kujton një nga takimet me Kadarenë në verën e vitit ’90-të. Aty tregon një episod kur dikush, një i panjohur, i kërkoi Ismailit që ecte në rrugë, të bënte më shumë kundër regjimit. Dhe Zogaj tregon aty zemërimin e zakontë të Kadaresë në këto raste. “Po mirë mo pse s’bëni ju më shumë, pse i kërkoni të gjitha nga unë”. Dhe Zogaj vazhdon të tregojë se në këtë valë zemërimi Kadare tha: “Këtu do të shpërthejnë gjirizet. Do të shpërthejnë siç nuk e merrni me mend, të gjithë do të vërsulen të bëjnë pis njëri-tjetrin, do të jetë e shëmtuar, e padurueshme”.

Në fakt këtë profeci, e cila u vërtetua pas rënies së komunizmit, Kadare mund ta ketë thënë, kudo në ato ditë zemërimi të verës së vitit ’90-të, kur po planifikonte të linte përfundimisht Shqipërinë. Dhe më pas ky shpërthim mllefi i tij mund t’i jetë përdorur nga aparati i shtetit komunist, për t’ia transformuar fjalët në interes të tij, aq sa deri më sot vjen tek ne si e vërtetë, një shprehje që të gjithë dëshmitarët thonë se nuk është artikuluar.

Ja si e shpjegon vetë Kadare disa vite më parë në një intervistë dhënë gazetares Eni Vasili:
“Ka dy mendime në këtë botë, që këtyre marrëzive s’i duhet vënë veshi ndonjëherë, se koha do t’i provojë nëse janë të vërteta. Ka dhe një mënyrë tjetër, që është që të marrim përgjigje, s’ka pse të rrijë njerëzimi me brenga, shpifja është rëndim për një komb të tërë. Unë nuk e di sa të drejtë do kem të zgjedh njërën prej këtyre mënyrave, pasi të dyja janë të mira dhe të këqija për t’u sqaruar. U bë një shpifje që ju duhet ta keni dëgjuar, që Ismail Kadare ka thënë që “jashtëqitje e kombit për refugjatët shqiptarë”.

Shpifja është e rëndë, se shkrimtari më i njohur i vendit, i quan mijëra të rinj që tronditën diktaturën, jashtëqitje e kombit. Dhe kjo shpifje u tha në një miting në Tiranë. Tani unë arsyetova në mënyrë naive dhe të gabuar, që kjo hidhet poshtë nga koha. Nuk është ashtu. Shpifja zuri vend, e para se sigurimi kishte rrjetin e tij kudo, dhe e dyta se iu duk zbavitëse njerëzve. Unë e kisha të lehtë ta hidhja poshtë, ngulja këmbë në një emision televiziv, që u tha kjo shpifje, u pranua që u tha kështu për refugjatët shqiptarë. Në mitingun në Tiranë ku u tha kjo, kishte 100 mijë veta.

Në tribunë nja 20 vetë, dhe shpifja u bë nga njëri prej tyre që u tha se ishte Ismail Kadare. Po unë nuk kam qenë fare në atë miting dhe kështu mendoja se me videon do hidhej poshtë shpifja dhe qeshja e njerëzve. Njerëzit nuk kanë qeshur fare, kjo më është futur në biografi në vendet e huaja. Se thoshin që Ismail Kadare, shkrimtar i mirë, por ka bërë disa të pabëra. Thuhej është akuzuar në vendin e vet për këtë gjë, dhe nuk thuhej a është apo jo e vërtetë. Prandaj shpifjet janë për njerëzit e shquar shumë të kushtueshme. Se kthehen në marrëzi. Se kur e di që s’ke qenë fare në një miting, pse do kesh ti dyshimin më të vogël se do hidhet poshtë. Shpifja vazhdon dhe ka ende njerëz që besojnë se e kam thënë. Ca akoma më thonë: “Z.Kadare po si të shpëtoi goja që e the këtë?”.

Kalojmë në akuzën e tretë; Unë nuk e di se çfarë lidhje ka incidenti dhe shkatërrimi i jetës së Renatos të cilin unë po e marr krejt të mirëqenë sipas versionit që jep Familja Rrapi, me vlerën e krijimtarisë dhe korpusin letrar të shkrimtarit. Jam i prirur të besoj versionin qe jep ajo familje. Por Ismail Kadare nuk ka qenë as prift moralizues, as politikan, as gjykatës dhe as lektor i lëndës së Etikës dhe Zotnillëkut. Dhe mua si lexues nuk më duhet shumë njeriu Ismail. Madje nuk më duhet hiç. Ka veç një veting për shkrimtarin: krijimtaria e tij. Dhe në këtë moment edhe akuza e tretë aq domethënëse për individin Ismail, bëhet absurde për shkrimtarin Kadare.

Akuza e katërt evokon Ismail Kadarenë si pjesëtar i kupolës së nomenklaturës së lartë të shtetit të diktaturës. Deputet dhe nënkryetar i organizmit më të madh politik të Shqipërisë së Diktaturës.

Kjo akuzë është më cinikja dhe më dinakja, cinike sepse dihet fort mirë nga baltëhedhësit që e kanë jetuar atë epokë që bëhet fjalë për poste kukullash që veç ngrinin e ulnin duart sipas urdhërit të diktatorit. Dinake sepse i serviret brezit të ri që njeh veç pluralizmin (dhe aspak diktaturën) ku deputeti ka lirinë individuale të shprehjes dhe votimit pa pasur frikë se do i hiqet koka.

Gjithsesi baltëhedhësit nuk kanë shpjeguar dot kurrë se sa e si paska ndikuar ky pozicion hierarkik politik i kukullës Ismail në krijmtarinë letrare të shkrimtarit Kadare.

Akuza e fundit, është e vetmja akuzë që lidhet me shkrimtarin Kadare.
A i shërbeu me veprën e tij diktaturës dhe diktatorit shkrimtari Ismail Kadare?

Historia botërore njeh shumë raste kur shkrimtarë korifenj u kanë shërbyer diktaturave vrastare të çdo lloji. Ezra Pound, D’Anuncio, Neruda janë veç disa prej tyre. Që të tre u shërbyen, jo si kukulla, por si ideologë me bindje të plotë diktaturave.

Ismail Kadare ia ka paguar haraçin e tij diktaturës, siç ia kanë paguar të gjithë baltëhedhësit në një mënyrë a një tjetër, direkt apo indirekt, haptazi apo fshehurazi. Haraçi i mbijetesës në një diktaturë vrasëse. Sidomos kur ishe edhe shkrimtari më i spikatur dhe i talentuar i vendit. Vetë natyra e profesionit të shkrimtarit është e tillë që lidhet me fjalën e jo me heshtjen. Nëse një punëtor apo profesion tjetër mbrohej duke mos i dhënë gojës hapur, duke heshtur pra, një shkrimtar do mbronte mbijetesën e vet e të familjes duke artikuluar zgjuarsisht fjalën me aq dinjitet sa lejonin rrethanat.

Eshte fakt që Kadare ka shkruar poezi e poema, reportazhe e artikuj për partinë, komunizmin, luftën e klasave, për klasat e përmbysura, etj. Poezitë e tij më të dobëta nga ana artistike dhe kjo jo rastësisht. Poeti shkruan dobët vetëm kur nuk shkruan nga shpirti e zemra, por nga mendja. Dhe mendja e një shkrimtari në diktaturë jeta e të cilit varet nga gërmat nuk mund të ishte kurrë e lirë. Por një mendje e stërvitur për të mbijetuar. Një mendje e përllogaritur për mbijetesë. Një kalkulim gjakftohtë nën diktaturë që rezultoi aq me vlerë.

Pa atë kalkulim dhe pagesë haraçi shkrimtari Kadare do të kishte mundur të shkruante asgjë nga ato për të cilat nderohet nga e gjithë bota letrare e planetit. E tepërt të përmend këtu korpusin letrar kadareian ku autori tallet, përbuz, fshikullon në mënyrat më inteligjente bishën e tmerrshme të diktaturës.

Bota e konsideron Kadarenë si një nga shkrimtarët më të mëdhenj kundër totalitarizmit dhe përçudnimit të njeriut nën diktaturë. Mbase një ditë kështu do ta konsiderojnë edhe shqiptarët. “Kombet nuk piqen në të njëjtën kohë”, shkruan diku Kadare.

Nuk dihet edhe për sa kohë do e kemi mes nesh fizikisht Mjeshtrin. Dikur diku do të ketë një varr të tij, në mermerin e të cilit Koha do të gdhendë “Baltën që i hodhën Ismailit, e ktheu në ar Kadareja…”

Loading...