Ballina Aktualitet Lajme HISTORI NGA JETA: Më shiti burri që më zgjodhën prindërit…!

HISTORI NGA JETA: Më shiti burri që më zgjodhën prindërit…!

Para se të filloj të tregoj historinë time, dua të përshëndes të gjithë ata që historinë e tyre kanë vendosur ta ndajnë me lexuesit e Gazetës “Intervista”. Kam një muaj që ndodhem në Shqipëri pasi familjen e kam në Itali. Duke lexuar këtë gazetë, vendosa që edhe unë ta ndaj historinë time të dhimbshme me ju. Ishin vitet ‘90 atëhere kur nis e gjithë kjo ngjarje. Besoj se secili prej jush e kupton se dëshira e shumë shqiptarëve ishte që të shkonin jashtë vendit. Një dëshirë të tillë e kishin edhe prindërit e mi për mua. Këtë gjë ata e kishin shprehur hapur. Unë isha në fundin e klasës së tetë. Isha një vajzë shumë e bukur me flokë të gjatë dhe sy të zinj, studioze dhe ëndërroja që të bëhesha gazetare, pasi më pëlqente shumë televizioni.

Mbaj mend se sa kisha dhënë provimin e maturës, atë darkë kishte ardhur në familjen tonë tezja me burrin e saj. Ata kërkonin të më fejonin me shokun e ngushtë të djalit të tyre. Sa e dëgjova këtë muhabet, shkova në dhomën time dhe fillova të qaja me të madhe. As nuk e çoja në mendje një gjë të tillë. Isha e vogël dhe mendoja se të njëjtën përgjigje do t’i jepnin edhe prindërit e mi tezes, por ajo vazhdonte t’u mbushte mendjen prindërve të mi se ishte shumë djalë i mirë dhe se punonte në Itali. Mbaj mend se mami me tezen me erdhën në dhomë dhe kërkonin të më bindnin që të fejohesha me atë djalë.

Mami më tha: “Të lutem, mendo edhe për motrat e vëllezërit e tu, që të mos e ngrysin jetën në fshat”. Ne ishim gjashtë fëmijë dhe prindërit e mi kishin punuar gjithmonë në kooperativë, ndaj ishim shumë të varfër. I kërkova një javë kohë tezes për t’u menduar dhe në këtë kohë mendoja se, edhe po të mësoja shumë, prindërit e mi nuk kishin për të më dërguar asnjëherë në shkollë, ngaqë nuk kishim lekë. Si fëmija më i madh që isha, u detyrova të sakrifikohesha për vëllezërit dhe motrat e mia. Pas një jave, erdhi tezja me Ardin (kështu e kishte emrin i fejuari im i ardhshëm), ishte djalë shumë simpatik, ishte 25 vjeç, kishte dy vjet që jetonte në Itali dhe më tregoi se punonte në ndërtim. Po kështu, më tha se unë nuk do të pendohesha që do të bëhesha e fejuara e tij sepse ai do të më çonte në shkollë kur të shkonim atje. Kjo gjë më gëzoi pa masë, mendova se nuk do të ishte një sakrificë e madhe në qoftë se do martohesha me Ardin, pasi ai i kuptonte dëshirat e mia.

Ne nuk mund të bënin celebrimet pasi unë isha vetëm 15 vjeçe dhe ligji nuk e lejonte një gjë të tillë. Ardi u tha prindërve që të bënim një darkë të vogël në mënyrë që unë të vishja fustanin e bardhë dhe kështu ndodhi. Gjërat po më ndodhnin shumë shpejt dhe unë nuk dija se çfarë të mendoja; brenda muajit u fejova dhe u martova. Kishim një javë që ishim martuar dhe Ardi ishte shumë i sjellshëm me mua. Pak nga pak, unë fillova të dashurohesha më të. Mbaj mend që ai më bleu shumë rroba të bukura, por pak ekstravagante për moshën time.

Mbas dy javësh martesë ai më tha se duhet të shkonim të jetonim në Itali. Unë u mërzita shumë ngaqë do të largohesha nga familja ime dhe nuk e dija kur do t’i takoja. Në Itali shkuam me skaf. Ishte vërtet shumë e frikshme, por Ardi më ngushëllonte se dhe për pak do të mbërrinim në Itali. Mbas pesë ditësh që kishim arritur, Arditi erdhi në shtëpi më një pako të madhe në dorë, duke më thënë se kishte një surprizë për mua. E mora pakon, e hapa dhe pashë një fustan në ngjyrë të kuqe. Nuk e di të them nëse ishte i bukur apo jo sepse nuk ma mbushi syrin, ngaqë ishte shumë i shkurtër dhe shumë i hapur në pjesën e kurrizit dhe kraharorit. Po kështu, ishin edhe një palë këpucë shumë fine ngjyrë të kuqe, por që kishin shumë takë. Ardi më kapi nga faqja dhe më tha:

– Të pëlqejnë, zemër? Janë për një darkë pune ku më ka ftuar shefi im.

E ndjeva se një darkë e tillë nuk do të më pëlqente aspak, aq më tepër që do të shkoja me atë veshje jo të hijshme për tipin tim. Në momentin që po bëheshim gati për të shkuar në darkën e “famshme”, i thashë Arditit se nuk më pëlqente të vishesha në atë mënyrë. Ai më pa me inat dhe më tha: “Nuk jemi në Shqipëri këtu që të vishemi sipas qejfit!”. Të dy bashkë shkuam në një lokal shumë luksoz e unë mezi ecja nga takat shumë të larta. U afruam pranë një tavoline ku priste një burrë rreth të pesëdhjetave. Unë i dhashë dorën, ndërsa ai më puthi në faqe. Italishten e kuptoja shumë mirë, vetëm se e kisha pak të vështirë për të folur.

Nga biseda që po bënte me tim shoq, kuptova se ai po më komplimentonte mua. Ai i kishte kërkuar Arditit që unë të punoja në familjen e tij si shërbëtore dhe unë pranova sepse duhet të punoja shumë që t’u dërgoja lek edhe njerëzve të mi. Edhe për ditën e parë të punës, Arditi më kishte blerë një fustan të ri, jo aq ekstravagant sa i pari, por gjithsesi, unë e vesha dhe bëra si më tha ai. Arditi më ndaloi para shtëpisë së tij dhe shkoi në punën e vet. Mua më futi brenda një grua rreth të dyzetave.

Nga veshja e saj, kuptova se ajo ishte shërbëtore e shtëpisë. Përpara më doli burri që kisha takuar një ditë më parë, më puthi në faqe dhe me tha që ta ndiqja. Shkuam në zyrën e tij dhe aty ai hapi një shishe me shampanjë. Unë nuk pranova ta pija, por ai më tha se duhet të festonim ditën e parë të punës. Mbaj mend se piva një gotë dhe filluan të më merreshin mendtë. Më pas, nuk mbaj mend asnjë gjë. Vetëm kur u zgjova, e pashë veten të shtrirë në krevat e afër meje qëndronte edhe ai. Në momentin që unë hapa sytë, ai filloi të më puthte duke thënë se do të më bënte femrën më të lumtur dhe shumë të pasur.

Nga xhepi i xhaketës nxori një shumë të madhe liretash dhe më tha: “Këto do të jenë të tuat nëse ti sillesh mirë me mua”. Në atë moment e kuptova fare mirë se cili kishte qenë qëllimi i Arditit kur më kishte sjellë në atë vend të shëmtuar. Nuk dija se si të veproja që të shpëtoja nga duart e atij njeriu. Nuk kisha asnjë mundësi për të ikur pasi ai më kishte mbërthyer me duar dhe me trupin e tij të shëndoshë kishte mbuluar trupin tim. Unë vetëm qaja dhe bërtisja pa pushim, por ishte e kotë.

Ai vazhdonte të më puthte duke lënë mbi trupin tim gjurmë e duke më thënë: “Kam paguar shumë për këtë moment”. Unë i lutesha të më lëshonte, por kjo ishte e kotë. Ai e realizoi qëllimin e tij, më bëri të tijën duke më dhunuar dhe këtë plagë të rëndë ia dedikoj atij, burrit që më zgjodhi familja. Pasi më përdori mirë, ai më nxori nga shtëpia e tij dhe unë, e hutuar ecja rrugëve të Milanos e vetmuar, pa e ditur se ku shkoja. Mund të ishte ora 11 e darkës dhe mbaj mend se m’u drejtua një polic duke më pyetur se kush isha dhe ku do të shkoja. Nuk kisha rrugë tjetër sepse Arditin nuk mund ta gjeja dot dhe ia tregova gjithë historinë atij.

Atë mbrëmje ai më mori në shtëpinë e tij, ku jetonte me të ëmën. Unë vetëm qaja dhe ai më tha se do të shkonim ta denonconim burrin tim, pasi kishte abuzuar me një minorene, por kjo nuk ishte e mundur, edhe pse doja që ai të përfundonte në burg, pasi unë nuk e mbaja mend adresën e shtëpisë ku ne jetonim. Polici e kishte emrin Françesko dhe ishte rreth të dyzetave. Ishte i ndarë nga gruaja dhe kishte dy fëmijë. Ai kërkoi që të më kthenin në Shqipëri, por unë iu luta, madje u ula në gjunjë që të mos e bënin një gjë të tillë. Jetoja në një fshat dhe opinioni atje do të më dënonte për gjithë jetën. Përveç kësaj, doja të punoja që motrat dhe vëllezërit e mi të kishin një të ardhme më të mirë. Problemin tim ia tregova dhe Françeskos. Atëhere ai pranoi të më ndihmonte duke më punësuar në shtëpinë e tij për të ndihmuar të ëmën në punët e shtëpisë.

Më pëlqeu shumë mendimi i tij. Ndërkohë, ai filloi të bënte procedurat për të më nxjerrë dokumentet e qëndrimit të rregullt në Itali. Françesko ishte njeri shumë i mirë. Mbas mbarimit të punës ai vinte në shtëpi dhe më trajtonte si një njeri të njohur e jo si punëtore të thjeshtë. Më nxirrte shëtitje, më blinte rroba të reja, më jepte telefonin e tij për të folur me prindërit e po kështu, më ndihmonte që t’u dërgoja lek njerëzve të mi. Prindërit e mi, pasi e morën vesh atë që më bëri Arditi, nuk kanë folur më as me tezen time. Kisha gati dy vjet që jetoja në shtëpinë e Françeskos dhe, edhe pse ishte shumë herë më i madh në moshë, kisha filluar ta doja shumë. Kisha kuptuar se edhe ai më donte, por nuk ma shprehte pasi kishte frikë se si do ta prisja unë.

Gjithçka midis nesh filloi pasi vdiq e ëma e Françeskos. Ai ishte shumë i mërzitur edhe unë i rrija gjithmonë pranë. Pas vdekjes së saj, unë isha njeriu që kujdesesha më shumë për të. I gatuaja, i hekurosja rrobat, ishim shumë pranë njëri–tjetrit derisa unë një ditë nuk munda t’i rezistoja dëshirës për ta puthur. Aty filloi edhe historia jonë e dashurisë, kur Françesko më tha se kishte shumë kohë që e dëshironte një gjë të tillë, por diferenca e moshës e pengonte që të ma shprehte dashurinë e tij. Pasi mbusha 18 vjeçe, ne u martuam. Ndjehesha shumë e lumtur. Françesko është një burrë që di ta vlerësojë dhe ta respektojë një femër.

Martesën tonë e aprovoi edhe familja ime. Mbas tre vjetësh martesë, në jetën tonë erdhi fëmija ynë i parë, e cila është vajzë dhe ne e pagëzuam atë me emrin e nënës së Françeskos. Ai është i lumtur për këtë fakt. Kur erdha në Shqipëri para pesë vjetësh, mora vesh se Arditin e kishte vrarë vëllai i një vajze të cilën e kishte shitur në të njëjtën mënyrë si mua. U gëzova që ai mori dënimin që e meritonte. Tashmë e kam harruar atë periudhë të shëmtuar. Jeta ime është bërë më e bukur qëkur njoha Françeskon dhe u bë akoma më e lumtur kur linda vajzën time, e cila na gëzon çdo ditë e më shumë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews