Ballina Aktualitet Lajme HISTORI NGA JETA: Kryetari i komunës më kërkon s… për një vend...

HISTORI NGA JETA: Kryetari i komunës më kërkon s… për një vend pune

Përshëndetjet më të përzemërta gazetës “Intervista” që na publikon historitë tona dhe të gjithë mësojnë nga eksperiencat tona, duke parandaluar kështu të keqen te vetja e tyre. Edhe që ta mësojnë të gjithë njëherë e mirë se çfarë bëhet në këtë vend… me këta njerëz makabër! Unë që po ju shkruaj dua të prezantohem me emrin Jona, për arsye se ai plehra e di se me kë e ka bërë këtë gjë dhe mund t’i shkojë mendja lehtë tek unë. Jam studente në vit të parë në një universitet në Tiranë dhe jam nga një qytet i vogël afër Elbasanit. Jam një vajzë e bukur, por edhe e ndershme, ndaj po marr guximin të kallëzoj këtë histori këtu. Prindërit i kam pa punë, kam edhe një motër më të vogël. Nga gjendja ekonomike jam shumë keq. Në Tiranë më doli shkolla për Mjekësi ngaqë mësoja shumë dhe në qytetin ku banoja, shquhesha që në gjimnaz si vajzë e urtë, që mësonte dhe kam qenë pjesë e senatit të shkollës. Bëja shumë aktivitete, me pak fjalë, kam pasur një rini aktive. Këtë vit, kur shkolla po mbaronte, kryetari i një grupimi rinor, që quhet X më ftoi për t’u bërë pjesë e kësaj force. “Ftesa të ka ardhur që nga shumë lart, më tha, kemi vërejtur kontributin tënd në komunitet dhe jemi të sigurt që do bësh shumë për ne. Ke shumë shokë e shoqe dhe ide. Pse të mos bashkohesh me ne? Në rast fitoreje, do të fusim prindërit në punë dhe ti do rregullohesh mirë”.

Nuk mund ta fshihja dëshirën që pata për t’u anëtarësuar dhe bërë pjesë e këtij forumi, por i thashë se duhet të konsultohesha me prindërit. “Për çdo gjë pyes ata, nuk veproj me kokën time”, i thashë atij. Pasi pimë kafe, fola për këtë me prindërit dhe me miqtë e mi më të ngushtë. U tregova lajmin dhe i pyeta se si të bëja. Prindërit, të afërmit e shoqëria më shtynë që ta pranoja. Ndër të tjera, babai më tha:

– Po shyqyr që të kanë vënë re e të kanë ftuar, duhet të shkosh me patjetër. Shyqyr Zotit na erdhi kjo mundësi… Mos e nënvlerëso se pastaj do na marrë inat deputeti e do na paragjykojnë gjatë gjithë mandatit të tyre.

Kështu, ditën tjetër që u takova me kryetarin e grupimit rinor X, pranova. Ai më caktoi në një post që të koordinoja aktivitetet dhe shpërndarjet e posterave. Ishte një punë që mezi e bëja dhe e kisha inat, se nuk doja të ndyhesha me politikë, por nuk kisha çfarë të bëja, ose të veproja ndryshe. Nuk kisha zgjidhje tjetër, m’i verbonte sytë ideja se prindërit e mi do punësoheshin. Gjatë kohës që isha në këtë forcë, vija re shumë padrejtësi, shkelje, intriga e të rinj që e përdhosnin karakterin e tyre e ziheshin me njëri-tjetrin, kush e kush të binte më shumë në sy. Ishte diçka që mezi e shtyja çdo ditë. Gjatë kësaj kohe punoja shumë afër me kryetarin e bashkisë së tanishme, që më merrte në çdo aktivitet, më jepte t’i përgatisja postimet e tij në faqen e Fejsbukut dhe kudo, se bija në sy ngaqë jam shumë e paraqitshme dhe e lezetshme. Deri atëherë s’më shkonte mendja tek ajo që do të ndodhte më vonte. Gjithçka më dukej normale dhe thoja me vete: “Ec më se është fushatë dhe ka simpati për mua ngaqë po jap kontribut për të…”. Po të kisha pikasur diçka që atëherë, ju betohem se menjëherë e lija dhe i lajmëroja prindërit.

Dua ta theksoj edhe një herë ne vijmë nga një familje e thjeshtë, e ndershme, kemi qenë një jetë të varfër se nuk kemi bërë nga këto gjëra. E kështu, nisi dhe përfundoi fushata… mua kamera më kapte në çdo foto që publikohej te faqja e kryetarit në Fejsbuk ngaqë isha aq e bukur. Erdhi dita pas zgjedhjes, fitoi kryebashkiaku për të cilin kisha kontribuar. Bëmë një festë e kërcyem të gjithë si të çmendur. Kryebashkiaku u afrua disa herë drejt meje dhe përplasi gotën, duke ngritur dolli për suksesin e tij të ardhshëm (Tani them me vete “o Zot vër dorë e kurrë mos e shijoftë atë karrige ku është ulur!”). Ato kohë u gëzova shumë, thashë me vete “të gjitha hallet tona morën fund”. Mendoja për mamin e babin që do të m’i fuste në punë e se sa lehtë do ta bëja shkollën e lartë. Falënderoja Zotin çdo ditë e thashë, më në fund, “pe dhe nga fukarai o Zoti im”… (Imagjinoni kur të shkonte mami im si unë në derën e atij plehrës e t’i kërkonte punë. Po t’ia bënte si mua, mos o Zot, është e tepërt).

Nami në qytetin tim më doli shpejt si përkrahëse e asaj force politike, madje dhe te forca kundërshtare, pasi më kishin parë në aktivitetet e tyre, se kisha rol kyç. Kaluan muaj dhe pak para muajit tetor që më fillonte shkolla e lartë, mësova se kishte ardhur struktura e re e bashkisë dhe të gjithë po përflisnin se do krijoheshin vende pune të lira. Prindërit i kam të dy me shkollë të lartë dhe këtë moment po prisnim, të shkoja e të trokisja në derë për punë për ta. “Kemi pritur për këtë ditë, thoshte babi im i shkretë. Kemi ndenjur gjithë jetën pa punë dhe me zanat. Po kërkojmë të drejtën tonë e të hamë njëherë edhe ne”. Duke qenë se isha bërë si sekretare e kryebashkiakut gjatë fushatës, mendova se kjo do të ishte e lehtë dhe do të zgjidhej shpejt, ndaj shkova vetëm pranë bashkisë…

Këtu filloi edhe makthi im, këtu u përmbys bota ime, këtu fillova të urreja veten që jam shqiptare, jo për shkak të Shqipërisë, por të atyre që na kanë drejtuar gjithmonë në këtë vend.

Kur shkova herën e parë, kishte shumë radhë, njerëz të rropatur që prisnin në korridoret e bashkisë e ziheshin se kush e kishte hallin më të madh e se kush do hynte i pari. Kështu, vendosa të shkoja në fundjavë se do të kishte më pak njerëz, me sa më sugjeroi edhe sekretari i bashkisë. Shkova ditë të premte. Prapë kishte disa njerëz, por thashë “ec më, po pres… Tek e fundit ai gjithmonë zënë do jetë”. Kështu bëra dhe kur më erdhi radha, trokita. Ai, sa më pa mua, më tha:

– Uuuuuuuuuuuu Jona, hajde, hajde…

Më futi brenda dhe e mbylli derën me çelës. Dy-tre pleq që ishin aty u habitën e thanë: “Eh, si futen këto gocat e reja”… U ndjeva në siklet se ai u bërtiti e i përzuri, megjithatë e mora veten shpejt dhe, pasi ai mbylli derën, i thashë:

– Përshëndetje zoti kryetar, urime për detyrën e re. Të shkon shumë kjo karrige. Bashkë luftuam për këtë ditë, shpresoj që do më rregulloni një vend pune për babin se për atë kam ardhur. Jemi shumë keq, asnjë nuk punon në familjen time dhe jemi në pikë të hallit.

Ju betohem që isha veshur shumë serioze dhe në asnjë moment nuk e provokova, fola me gjuhë serioze e formale, por gjatë kohës që flisja, ai sikur po më hante me sy… një moment u çua në këmbë e më vuri dorën mbi flokë. Dukej si derr i uritur. Unë shtanga dhe ia hoqa dorën, kur ai më tha:

– Dëgjo, zemra vogël, kjo që po të them të mbetet mes nesh, nuk do ta diskutosh në asnjë vend tjetër… – në këtë kohë ma mori celularin nga frika se mos e përgjoja dhe e hodhi tutje. – Je e privilegjuar… duke qenë se nuk ia kam bërë kujt këtë ofertë. Ti je familje e varfër pa fuqi, prindërit e tu nuk ngrenë dot kokë e ka ardhur koha të bësh diçka për ta. Përsa u përket atyre, ti nuk futesh dot kurrë në punë se ata nuk kanë dhënë kontribut mjaftueshëm dhe ty të harrohet kontributi… Duhet të japësh diçka më shumë. Hajde një natë me mua në hotel, ta bëjmë bashkë dhe i ke të sigurt të dy prindërit në punë e sa jam unë në këtë karrige, asnjë nuk t’i luan. Duhet të japësh diçka më shumë se shoqet e tua, se si ty ka shumë që kanë dhënë kontribut, por fati yt që ti më pëlqen mua, je e pjekur… – tha dhe ma kapi dorën e ma çoi…

Në këtë moment, unë thirra: – Mjaft! Je në vete, çfarë po bën kështu? Nuk e bëj kurrë atë gjë, ta di se rri pa punë gjithë jetën.

– Mbylle gojën, – më tha, – mos bërtit, se na dëgjojnë… E po fole për këtë, do ta mohoj e do të të fus në burg, bashkë me deputetin, për prishje imazhi. Kam lekë dhe e di ti, zemra e vogël, se çfarë bën leku sot. Qërrohu nga zyra!

Unë dola me nxitim e mezi po e përmbaja veten. Shkova në shtëpi dhe vetëm kam qarë në dhomën time. M’u duk vetja shumë poshtë. Dita-ditës ai derri më dërgonte njerëz që të ma mbyllnin gojën e për të më thënë se oferta e tij qëndronte akoma. Më kujtohet si tani çdo fjalë e tij e pisët dhe më vinte ta mbysja. Ja, se çfarë u bëka për një vend pune këtu në Shqipëri. Nuk kam as forcë e as guxim për ta denoncuar dhe familjes nuk i kam treguar gjë, i kam pa qejf e nuk dua t’u krijoj probleme. Ai maniaku vazhdon të më ngacmojë. Tani kam ardhur në Tiranë, kam nisur shkollën e nuk jam kthyer më në qytetin tim… Sikur kam gjetur paqe. Babai ndihet i pashpresë se i thashë që “donte zarf me para për punë ai”. E shihni ore popull, çfarë kemi votuar? Si do t’i zgjidhin hallet tona këta imoralë? Që nga ai moment kam shumë frikë për jetën, ndjehem e pasigurt dhe mirëpres këshilla nga ju, si edhe nga psikologë të fushës. Ndjehem keq mendërisht. Po shoh për ndonjë punë në Tiranë, në ndonjë furrë buke si shitëse a diçka tjetër që të ndihmoj veten dhe familjen, por në mendje vazhdoj të kem imazhin e atij plehrës së eksituar. Hajde shtyje 4 vjet me atë! Emrin nuk ia tregoj se më kanë kërcënuar te familja, se për veten nuk ma ndiente shumë. Gjithsesi, dua të mbetem anonime dhe të mos bëhem unë heroina, se nuk kam kushtet për të qenë e tillë. Dhe në fund, faleminderit stafit tuaj për botimin e letrës sime, më keni hequr një barrë të madhe…

@tn.lajmelokale
@tetovanews