Ballina Aktualitet Lajme FSHATI PALLÇISHTI I POSHTËM, VENDLINDJA E DERVISH CARËS (FOTO+VIDEO)

FSHATI PALLÇISHTI I POSHTËM, VENDLINDJA E DERVISH CARËS (FOTO+VIDEO)

Reportazh nga Ismet Jonuzi-Krosi
Botuar ne vitin 2002

FSHATI PALLÇISHTI I POSHTËM shtrihet në lartësi mbidetare prej 560 m., sipërfaqja e atarit është 80 km2, ka sipërfaqe të përgjithshme agrare 727 ha, 509 ha tokë bujqësore, 37 ha kullota dhe 101 ha pyje. Fshati graviton në Komunën e Kamjanit, ka 5 këshilltarë komunal nga ky fshat të cilët në bashkëpunim me Bashkësinë Vendore i koordinojnë punët në interes të banorëve të Pallçishtit të Poshtëm, ka afër 700 shtëpi e afër 3 mijë banorë.

HISTORIKU

Ky lokalitet është mjaft i lashtë saqë rrënjët i ka në kohën e antikitetit të vonshëm përkatësisht në periudhën romake që sipas dëshmive të shkruara lokaliteti i lashtë emrin e ka pasur DËRNIK (që edhe sot në Pallçisht jeton familja me emrin DËRNIK e që llogaritet se është më e lashta) dhe është shtrirë në pjesën jugore ku edhe sot vendi quhet DËRNIK që sot nuk ekziston,

Në defterët osman të shekujve XV dhe XVI DËRNIKU haset me sa vijon; fshat ndërmjet Pallçishtit të Poshtëm dhe Kamjanit, pra në jugperëndim të Tetovës në nahijnë e Kallkandelesë. Në vitet 1452/53 kanë jetuar 8 familje të krishtera dhe 1 i pa martuar, më 1467/68 haset me 12 familje, 1 të pa martuar dhe 3 vejushe si dhe për herë të parë hasen 3 familje të fesë islame, më 1544/45 hasen 12 familje të krishtera dhe 1 vejushë, kurse në vitet 1568/69 numri i familjeve të krishtera është 7 dhe 4 të pa martua dhe 1 familje e fesë islame (nuk jepen të dhëna përse numri i krishterëve është zvogëluar së bashku me ato të fesë islame, por mund të supozohet se disa prej këtyre familjeve janë vendosur në fshatin Pallçisht i Poshtëm, Novakë dhe Kamjan).

Pra, lokaliteti i lashtë DËRNIK kufizohet me Novakën dhe Kamjanin. Gjithashtu ka të dhëna se te vendi i quajtur Gështenjat ka pasur Kishë për të cilën nuk kam asnjë të dhënë, pos vendemërtimit dhe se përfolet se bëhet fjalë për Kishën e Shën Pjetrit, kurse propaganda sllave më saktë J. F. Trifunovski përshkruan se kisha e lashtë ka qenë në vendin e quajtur SELISHT, por kah mesi i shekullit të XIX nga vërshiat e kanë lëshuar këtë lokalitet dhe se në lartësi prej mbi 400 metra janë ngritur shtëpitë. Po ashtu sipas J.F. Trifunovskit, në vitin 1916 në themelet e kishës së lashtë të Shën Athanasit është rindërtuar kisha që edhe sot gjendet dhe se mban emrin e “Sveti Spase”… .

PALLÇISHTI I POSHTËM i sotëm në historiografinë e Perandorisë Osmane të shekullit të XV dhe XVI haste me sa vijon; në vitet 1452/53 kanë jetuar 23 familje dhe 2 të pamartuar, në vitet 1467/68 kanë jetuar 55 familje, 2 të pamartuar dhe 3 vejusha, në vitet 1481/82 kanë jetuar 51 familje, në vitet 1568/69 kanë jetuar 14 familje të krishterë dhe 3 të pamartuar dhe se për herë të parë hasen 3 familje të fesë islame.

Është karakteristike ngase Pallçishti i Poshtëm ka lidhjet rrugore nga katër anët; në jug me Kamjanin në lindje lidhet me magjistralen kryesore të projektit G-8 nuk kanë nyje e që e shfrytëzojnë atë të Kamjanit, në perëndim me Novakën lidhet me rrugën e hapur para do vitesh e që ende nuk është asfaltuar dhe në veri me Reçicën e Madhe. Ndërsa kufizohet me Kamjanin, Novakën, Jellovjanin, Pallçishtin e Epërm. Kallnikun, Reçicën e Madhe dhe me Bërvenicën.

SHTRIRJA E FSHATIT DHE INFRASTRUKTURA

Me vetkontribut janë shtruar rrugët e fshatit me kocka betoni që në vitin 1993 e që ka kushtuar mbi 120 mijë euro, po ashtu janë të asfaltuara rruga që lidhet me rrugën rajonale drejt në fshat bashkë me oborrin. Në kuadër të Komunës së Kamjanit funksionon N.P.K “EKO-HIGJIENA”, e cila përkujdeset për shumë punë e ndër to ajo e mbledhjes së mbeturina të banorëve të këtij dhe fshatrave tjerë, por brengos fakti se ende nuk është zgjidhur çështja e deponisë. Si çdo fshat edhe Pallçishti i Poshtëm ka ambulancën e shëndetësisë që është ndërtuar në vitin 1976 ku ka punuar mjeku i vetëm nga ky fshat Nevzat Qamili që aktualisht është në specializim, ndërsa sot punon mjek nga fshati Pirok dhe dy motra medicinale. Gjithashtu ka edhe një ordinancë private të stomatologjisë “CARA DENT” e pronë e spec. dentistit Zulfiqar Cara, ndërkaq ka edhe mjekun-dentist Abdyl Izahiri që është nga ky fshat.

KLUBI I FUTBOLLIT “PALLÇISHTI”
SHKA “HASHIM HAZIRI”

Pallçishti i Poshtëm ka pasur Shoqërinë Kulturore Artistike “HASHIM HAZIRI” e themeluar 1976 dhe se ka pushuar së vepruar në vitin 1983, por siç kuptojmë nga nënkryetari i Bashkësisë Vendore Irfan Ismaili se kulmin e aktiviteteve e ka arritur në periudhën e atyre viteve, ku kanë funksionuar disa seksione, gjithashtu në kuadër të seksionit të dramës në vitet 1976/77 është realizuar drama “GJERGJ ELEZ ALIA” e që është shfaqur në këto anë e është mirëpritur jashtëzakonisht mirë, por kjo nuk mjafton ngase sërish duhet aktivizuar këtë shoqëri e cila me aktivitetet e saj ka ndihmuar në ruajtjen e vlerave autoktone të traditës, folklorit e të ngjashme, pritet që së shpejti të riaktivizohet. ngase kanë pushuar me aktivitet për shkak të situatës politike të ish-sistemit, por bëhen përpjekje që ndoshta të startohet një ditë e më parë.

UJI PËR PIJE

Uji për pije dhe amvisëri është instaluar në vitet e 1960-ës, ndërsa janë duke e riparuar rrjetin aktual dhe duke e zgjeruar, që për të Bashkësia Vendore ka hartuar projektin që kushton mbi 500 mijë euro që i kanë siguruar nga ministritë përkatëse ku edhe pirokasit participojnë me mbi 20% me mjete financiare. Projekti ka filluar të realizohet që nga viti 2002, deri më sot janë kryer dy fazat themelore ai i ndërtimit të basenit dhe rregullimi i rrjetit primar që përfundoi vitin e kaluar, që këtë vit vazhdojnë me realizimin e rrjetit sekondar dhe të kyçjes në rrjetin e ri të ujit i cili ka mbi 20 litra në sekondë e që nuk mjafton për 800 shtëpitë e këtij fshati ngase siç thotë i riu Xhemali Sulejmani se vetëm dekadën e fundit janë ndërtuar mbi 100 shtëpi të reja, ku duhet theksuar se në këtë fshat ka edhe të ardhur e që nga dita ditës vijnë si prej fshatrave të malësisë nga Rakoveci dhe Sellca e Keqe edhe pse kemi rast që edhe shpërngulen si në të kaluarën disa familje në Turqi e disa në Tetovë e gjetiu, prandaj këshilli i Bashkësisë Vendor është duke përgatitur projekt ideor për gjetjen e burimeve të reja ngase ky ujë nuk mjafton për nevojat jetike.

HIGJIENA (MBETURINAT), TELEFONAT, ELEKTRIFIKIMI DHE NDRIÇIMI PUBLIK

Në kuadër të Ndërmarrjes Publike Komunale “EKO-HIGJIENA” e Komunës së Kamjanit hyn edhe Pallçishti si shumë fshatra të tjerë që rezulton se mbeturinat barten në mënyrë më të mirë e të organizuar edhe pse siç kuptojmë nga Nderim Aliti-anëtar i këshillit të Bashkësisë Vendore se kanë telashe serioze nga persona të papërgjegjshëm që i hedhin mbeturinat dhe atë në shtatë vende publike që shtrihen nëpër rrugët e fushave të fshatit, andaj kërkojnë nga kompetentët që të ndalohet kjo dukuri e shëmtuar. Telefonat e rrjetit tokësor janë vendosur gati dy dekada kanë nevojë që të vënë numra të rinj si dhe kërkojnë që të ndërtojnë një objekt poste ku do të kryenin shërbimet e ndryshme postale, të elektros e të ngjashme, në rrafshin e elektrifikimit po ashtu kanë fjalë miradije për Komunën e Kamjanit, sa përket ndriçimit publik gjithçka është në rregull, por ballafaqohen me mungesën e rrymës elektrike edhe pse nevojat dhe kërkesat e zhvillimit teknologjik kërkojnë investime të reja dhe se kanë shpresë se edhe këtë çështja do ta kalojnë në bashkëpunim me elektrodistribucionin ngase vetëm në dekadën e fundit në këtë fshat janë ndërtuar gati 200 shtëpi të reja duke llogaritur se vijnë nga fshatrat e Malësisë së Sharrit.

FEJA, SHKOLLA DHE SHKOLLIMI

Edhe pse dëshmojnë se gjatë sundimit otoman kanë ndjekur mësimet fetare në mejtep tek xhamia e cila thonë se është ndërtuar kah shekulli XVI, që ende në gojëdhëna thuhet se imami i parë në Pallçisht të Poshtëm në fillim të viteve 1700 ka qenë një Emin Leka ( që pëfolet për varrin e nënës së Emin Lekës), i cili ka qenë nga fshatrat e Malësisë së Sharrit, përmendet edhe me emrin Emshi. Kah vitet e 1900 është rindërtuar xhamia e këtij fshati si dhe më 1943 është ndërtuar Xhamia e Epërme. Shkolla në këtë fshat ekziston që në vitin 1913 në kohën e luftërave ballkanike apo siç thonë banorët në kohën e serbit, edhe pse në gjuhën serbe që siç i thonë TE KISHA ( ngase kjo shkollë është ndërtuar në afërsi të Kishës së sotme e cila gjendet thuaj se mbi fshat në pjesën perëndimore), por ka ndikuar dukshëm që këta banorë ta duan dhe përcjellin shkollimin që dëshmon se në vitin 1941/1945 për herë të parë hapet shkolla fillore në gjuhën shqipe e që mbante emrin e poetit tonë të Rilindjes Kombëtare “NDRE MJEDA”. Pas Luftës së Dytë Botërore shkolla e këtij fshati ka pasur disa lokacione.

Në vitin 1954 është ndërtuar shkolla me katër klasë në vendin ku gjendet edhe sot me emrin “LIRIA”, ndërsa vijimin prej të V deri në atë të VIII e ndiqnin në fshatin Bogovinë, që pas disa vitesh u transferuan në fshatin fqinj të Reçicës së Madhe. Prej viti 1969 shkolla e Pallçishtit të Poshtëm e merr emrin “PËRPARIMI” sipas shkollës Qendrore Fillore të Reçicës së Madhe, ndërsa prej vitit 1976 me vetkontribut është ndërtuar një pjesë e godinës së shkollës me plus gjashtë mësonjëtore u shndërrua në shkollë të plotë fillore territoriale të Reçicës së Madhe. Në vitin 1995 me nismën e arsimtarëve të këtij fshati u bë ndarja e saj nga shkolla Qendrore Fillore “PËRPARIMI” e Reçicës së Madhe, nga ky vit u themelua Shkolla Fillore Qendrore me emrin “DËRVISH CARA”

Në këtë shkollë mësimin e ndjekin mbi 680 nxënës nga fshatrat Pallçisht i Poshtëm, Novakë dhe Kallnik dhe atë të shpërndara nëpër 23 paralele, gjithashtu funksionojnë edhe dy grupe parashkollore me 39 fëmijë. Siç kuptojmë nga drejtori i shkollës Isak Ramadani se ka të punësuar 30 arsimtarë, 2 edukatore, 9 punëtorë dhe bashkëpunëtorë profesional dhe 3 punëtorë higjienik që njërin prej tyre e paguan vetë Bashkësia Vendore me prindërit arsimdashës të këtij fshati. Por, siç thotë me dëshpërim drejtori i shkollës Isak Ramadani se objekti i vjetër i shkollës i ndërtuar në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore është në gjendje të mjerueshme e thotë se; ”Me një fjalë kushtet në shkollën tonë janë nën çdo nivel për mësim cilësor dhe bashkëkohorë edhe pse u jemi drejtuar instancave të arsimit për ta ndihmuar këtë shkollë, por ende nuk kemi hasur në mirëkuptim. Kam bindjen dhe më mban shpresa se tash me ministrin e ri të arsimit që për fat është shqiptar, kërkesat tona do të zgjidhen pozitivisht.”.

Në vitin 1996 me vetkontribut është meremetuar një pjesë e çatisë së shkollës, por ndihmat simbolike nga shoqatat e ndryshme të ndërkombëtarëve janë evidente ngase në vitin 2001 është investuar nga Ambasada e Holandës dhe UNICEF-it në mobile për nevojat elementare, në vitin 2002 CIMIC-u i KFOR-it gjerman investoi 10 dyer të reja si dhe pritet që të investojnë gjatë muajit janar në dy paralele dhe atë me mobile si banka, karrige e të ngjashme.

I mban shpresa se përpos shoqatave të ndryshme që veprojnë tek ne edhe ministria përkatëse do t’i lëvizë punët në të mirë të përmirësimit të kushteve themelore të arsimit shqip në këtë fshat. Ndërsa si mësues të parë i kujtojnë me pietet pishtarët e arsimit të Normales së Elbasanit viteve 1941/1945 që kanë hedhur farën e dijes si mësuesin Lazar, mësuesin Besar etj, si dhe mësuesin Vehap nga Tetova. Vijimi i shkollimit për banorët e këtij fshati si gjithmonë është në rend të parë që dëshmon edhe vijimi i shkollimit të nxënësve nëpër shkollat e ndryshme të mesme që në dekadën e fundit thuajse mbi 70% vijojnë mësimet ku vlen të përmendet shkollimi masiv i femrës si dhe e studimeve universitare si në UT, EUJL e gjetiu. Kur jemi tek rrafshi i arsimit Pallçishti i Poshtëm ka edhe pishtarët e arsimit me të cilët mburren e ata janë: Bajram Mehmeti, mësuesi Femi, mësuesi Ajet nga Reçica e Madhe, Zija Omer, Taip Emini e Riza Vela nga Tetova, ndërsa nga ky fshat janë Iljaz Qamili, Ahmet Iseni, Azbi Misimi, Esat Cara ( që sot jeton dhe punon gazetar në Turqi), Izahir Izahiri, Asllan Rahmani, Hanefi Nurishi, Fetamet Ziberi (sot punon avokat), profesor Sali Emini, prof. Zeqirja Vejseli, prof.dr. Nexhbi Vejseli, Qatip Aliti, Abdylqerim Ramadani, Ajet Mehmeti (jurist), Demirali Neziri, Nexhat Izairi, Refet Neziri, Refik Neziri, Isen Selimi, Llokman Ziberi-pedagog, ing. Shuip Ziberi, I cili është i punësuar në Zagreb, i cili është i punësuar në Zagreb menaxher i prodhimit në kompaninë “ELKA”, po ashtu është nënkryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Kroaci Nuran Izahiri-ing. I dip. I ndërtimtarisë, mësuesi Demirali Jonuzi, prof. Neset Izahiri, prof Agim Neziri si dhe shumë e shumë kuadro të reja të të gjitha segmenteve shkencore dhe fytyra eminente në rrjedhat shoqërore-politike sportive kulturore e të ngjashme.

Fshati ndahet në dy mëhallë e Epërme dhe e Poshtme si dhe në këto dy dekada është formuar lagje e re e cila shtrihet përgjatë rrugës rajonale.

VENDEMËRTIMET

Vendemërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vendemërtimet në kodër-mal-fshat e fusha; Osoj, Vneshtat e Epërme, Neviçe, Kalaja, Kodra e Hoxhës, Guri i Shipes, Bagremat, Te Mollejni, Ujti i Tharët, Lugu i Selimit, Te Shelnja, Te Kisha, Dërnejk ( thuhet se në këtë lokalitet është shtrirë fshati i moçëm që nuk dihet se prej kur mund të datojë), Ndërndërnejk, Vorret e Vjetra, Strëna, Udha e Ngushtë, Selishtë ( sipas të dhënave historiografike para shumë shekujsh lokaliteti i fshatit ka qenë në këtë vend), Kërsti, Ograde, Përroi Dërnik, Përroi Novoçejcë, Lumi i Fshatit Kushi ( që edhe sot lagja pranë këtij lumi e ka emrin familja KUSHI), Bazhdarica, Vakofi, Pravejca, Vërtaç, Drenovejcë (deri para do kohe vend moçal), Jelet, Përkaçat, Gërcivec, Kujriat, Kamjanajcat, Ozunejcë, Zbiralla, Tuma, Udha e Shkupit, po ashtu mbi fshat ka nje kështjellë për të cilën nuk ka asnjë të dhënë dhe se nuk dihet prej kur ekziston, me siguri se përkon nga antikiteti i vonshëm i periudhës iliro-romake etj. e shumë e shumë vendemërtime të vogla që ruhen me xhelozi nga pallçishtasit ( Shënimet për vendemërtimet i kam regjistruar në vitin 1996 nga i ndjeri Jusuf Abdiu (1928-2003) ).

FISET

Si në të gjitha lokalitetet tona edhe ky fshat ende i ruan emrat e familjeve e ato janë; Dërnejke apo Nurishe (kjo familje thonë se është më e lashta dhe se mban emrin e lokalitetit të fshatit DËRNIK që nuk dihet se kur ka datuar dhe se kur është shpërngulur në Pallçishtin e sotëm dhe se lokaliteti i DËRNIKUT haste në analogjinë e shkruar historike dhe se është diku në vendin e quajtur DËRNIK ku ka pasur edhe kishë të lashtë që kufizohet me Novakën dhe Kamjanin, por të periudhës së para shekullit të XV), Hoda, Hoxha, Maçora, Kushe (që edhe lumi e ka këtë emër LUMI KUSHI që kjo hidroleksemë shpjegohet se nga osmanishtja do të thotë ZË BILBILI, GURGULLIMË QË I NGJANË ZËRIT TË BILBILIT), Çange, Berishë (sot u thonë Munçe), Cërnalevë, Çitake, Shikle, Çajane, Dese, Xheloke, Baollarë, Kuke etj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews