Ballina Kultura Dossier DR. MAHMUT BAJRAKTARI (1935-2015), jeta dhe vepra e atdhetarit dhe veprimtarit nga...

DR. MAHMUT BAJRAKTARI (1935-2015), jeta dhe vepra e atdhetarit dhe veprimtarit nga Tetova

Material i shkëputur nga;
Mr. Sc. Ismet Jonuzi-Krosi “QËNDRESA SHQIPTARE NË JOGOSLLAVINË TITISTE” (1944-1990) Shtypshronja “Lumagrafik” – TETOVË, 2 0 1 8, fq 267, 268, 269, 270 dhe 271

Mahmut Muhamet Abdiu-Bajraktari, ka lindur në vitin 1935 në një familje me ekonomi mesatare. Është djali i Hafëz Muhametit, hoxhë që ka shërbyer si qatip në Eski xhaminë e Tetovës, por ekzistencën e ka siguruar me bujqësi dhe me një shitore afër shtëpisë.

Në vitin 1941, Mahmut Bajraktari në moshën gjashtë vjeçare e përjetoi me shumë gëzime ardhjen e Shqipërisë në Tetovë, kur qyteti vërtet ndryshon me një dinamikë të re që siç thotë dr. Mahmut Bajraktari se, qyteti pësoi një ndryshim të hatashëm në jetën e përgjithshme të banorëve të Tetovës, në pikëpamjen ekonomike filloi tregtia me Tiranën, që nga Italia sjellin mallra të ndryshëm, që ne atëherë e bletjtën radio aparatin “Filips”, në shtëpinë tonë. Tetova me rrethinë përjetoi zgjimin kulturor-arsimor me hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe.

Dr. Mahmut Bajraktari thotë se :” Unë si shumë fëmijë të tjerë u regjistrova në klasën e parë në gjuhën shqipe, mësuesi që na regjistronte prej meje kërkoi të regjistrohem me llagap e jo me mbiemrin Abdiu. Unë shpejtova me plot gëzim e në shtëpi ku e pyeta gjyshen, e cila më tha se ne jemi familja BAJRAKTARI. Dhe me këtë mbiemër e mbarova klasën e VIII të gjimnazit, por diplomën e maturës kërkova që të më shkruhet me mbiemrin Abdiu, ngase ashtu e kisha mbiemrin në sektorin e mbrojtjes në Komunë, në mënyrë që të pajtohet mbiemri për anulimin e shërbimit ushtarak gjatë studimeve . Thashë më parë se zgjimi kombëtar të gjithë tetovarët të vegjëli e të mëdhenj fesat e kuq i ndërruam me kësula të bardhë, filluam të mësojmë e të flasim gjuhën shqipe (deri me ardhjen e shtetit shqiptar në qytetin e Tetovës, gjuha e qytetit ka qenë turqishtja). Daja Mesut u punësua në Gjyq, edhe ai bashkë me ne mësonte gjuhën shqipe, u hapën shkollat e natë për të rritur, ku mësonin shkrim-leximin dhe gjuhën shqipe. . Më kujtohet sikur tani, përgatitja e shfaqes “Lulja e kujtimit”, ku daja im Musut Musai luante rolin e doktorit. Ky zhvillim i vrullshëm kombëtar, u ndal në vjeshtën e vitit 1944, kur u mbyllën shkollat dhe mësuesit na thanë të shkojmë nëpër shtëpi dhe se do të vazhdojmë përsëri kur do të na thërrasin. Pas ardhjes së partizanëve , për shqiptarët filluan ditët e rënda, pasoi bllokada e qytetit, filluan bastisjet e shtëpive. Të gjithë meshkujt në moshë mbi 16 vjet u mbyllën në Monopoll, ku kushtet jetësore kanë qenë shumë të vështira. Ditën e tretë të bllokadës, trumbetxhiu i thirri qytetarët në qendër të qytetit, ku gjoja do të ketë lajmërim.

Atë ditë në qendër në Çeshmën e Pazarit në qendër të qytetit, para të pranishmëve pushkatuan tre qytetarë të pa fajshëm me pretekst se në shtëpitë e tyre kanë gjetur armë. Fillojnë torturimet tjera, marrja e drithit, e leshit e të prodhimeve tjera që ishin për jetesë. Ata që nuk ishin në gjendje të paguajnë tatimet e larta, shtëpitë e tyre bastiseshin duke nxjerrë përjashta ato pak gjëra që i kishin si mbulesat, mutafët, kuajt, lopët e kështu me radhë që shqiptarët i lenin pa asnjë kusht për jetesë. Pas vitit të ri në këto kushte, ne na thirrshin të vazhdojmë vitin shkollor, por jo në shkollë fillore “Skënderbeu” ngase aty mësonin paralelet maqedonase, neve na vendosën në dy dhomat e medresesë së Xhamisë në Xharshinë e Epërme tek xhamia Muharemxhik. Mësues në klasën e katërt e patëm z. Abedin Fajën, ndërsa në klasën e pestë z. Enver Pullaqin. Mbas mbarimit të vitit shkollor u hap gjimnazi i parë në gjuhën shqipe dhe atë për fillim me tre paralele, unë me shokët që e mbaruam klasën e katër, u regjistruam në klasën e parë. Ato ditë për mua, ishin ditë frike dhe trishtimi.

E mbyllën në burg djalin e hallës Nijazi Rashitin, babai i të cilit vdiq në ditët e bllokadës , nuk kishte burra për varrimin e tij. Ne kërkuam që ta lirojnë prej Monopollit babën dhe mixhën, që të kryejmë ritualin fetar të varrimit.Ata ishin vendosur në burgun te policia e tashme, mbasi e kaloja Urën te gjimnazi, në ndërtesën e Muzeut ishte vendosur ushtria që atëherë i thoshin KNOJ, në atë rrugë nuk kishte civilë, unë para policisë me shportë në dorë pritja të del dikush ta merr dhe të ma kthefshin enët e ditës së përparshme dhe ndonjë teshë për të larë. Pas gjykimit, u gjykuan me 4 vjet burg, Halla mbeti vetë, ajo jetonte me ne, ngase në shtëpinë e saj instaluan banues të dhunshëm. Mbas gjykimit e çuan në burgun e Idrizovës. Në Idrizovë kishim të drejtë një herë në muaj ta vizitojmë dhe atë e shfrytëzonim për t’i çuar diçka për të ngrënë e për veshmbathjeje, më kujtohet shumë mirë se vizitat rëndomë i lejonin ditëve të diela, ngase ditëve të shtuna shkonim në Shkup me paepurin e vogël, ndërsa atë natë vendoseshim në Ali Beg Han.

Gjatë stinës së verës ishte vapë e madhe, kurse dimrit bënte ftohtë, nuk kishte ngrohje, dhe të nesërmen përkatësisht të dielave çoheshim herët në mëngjes, dilnim në vendin e caktuar ku kishte shpitera (rraba të rrafsha me kuaj që nxëntë nga 8 deri më 10 njerëz, e që na çonin për në Idrizovë). Pas vizitës ashtu siç shkonin edhe ktheheshim për në Shkup në stacionin e trenit të vogël për t’u kthyer për në Tetovë. Ne nuk ishim të vetmit prej Tetove, por unë pasi që shpeshherë e kam shoqëruar hallën time, më kujtohet se me ne udhëtonin edhe familjarët e Abas Efendisë, doktor Xhafer Sulejmanit, Emin Rashitit, Sami Jakupit e shumë e shumë të tjerë. Vazhdojnë torturimet ndaj popullit me pagesën e tatimeve të larta, me konfiskime, populli duronte, por dhembje të veçanti në popull shkaktonte burgosja e intelektualëve dhe patriotëve të grupit Ilegal të NDSH-së me Azem Moranën e të tjerët. Gjykimin e atyre e përcjellim me kujdes, e më në fund gjykimi me vdekje i Azem Moranës si dhe dënimet drakonike të disa intelektualëve tetovarë.Pason periudha e heqjes së ferexhesë, mandej detyrimi i nxënësve të gjimnazit që të mbajnë kapela. Hapja e shkollave në gjuhën turke, e më në fund fillimi i shpërnguljes për në Turqi. Në këtë kohë unë Mahmut Bajraktari me shokët Ymer Tresi (Guven) në Turqi, Xhelal Qypi, Skënder Luma, mbasi blejtëm letra për pllakat, bojë të kuqe e të zezë, shkuam në kopshtin tonë, ku kishim edhe bostan, premë një bostan përgjysmë, me çka e bëmë si tas e brenda futëm bojën e shkruajtëm pesë tabakë me përmbajtje që të prapsen shqiptarët për mos të shkojnë në Turqi.

Këto parulla i shpërndajtëm; një në Eski Xhami, një në Xhaminë e Sahatit, një në Xhaminë e Çarshisë, së Epërme, një në fshatin Xhepçisht dhe një në fshatin Reçicë. Në çdo tubim familjar ose me shokë, flitshim për ndalimin e shkuarjes, se nuk kemi perspektivë në vend të huaj, por duhet të qëndrojmë në votrat tona shekullore e t’i ruajmë malet, fushat, varrezat e tjerë. Por, prapë se prapë vuajtja e viteve të hershme i bënte njerëzit që t’i lënë votrat e veta, pasurinë e shitshin për një shumë të vogël simbolike me të vetmen arsye që t’i paguanin tatimet dhe borxhet ndaj shtetit, sepse pa pastruar borxhin nuk jepshin lejen e shpërnguljes për në Turqi. I pari prej familjes Bajraktari që shkoi në Turqi ishte daja më i vogël Mesut Musai, i cili ka qenë në grupin e Sadudin Gjurës, i cili ka qenë në treshin e Ismail Saitit, Seid Musait dhe Mesud Musai. Shkonin të afërmit, fqinjët, karvani i njerëzve që shpërnguleshin ishte i madh edhe pse ne ishim mjaft aktiv në terren dhe kërkonim nga ata të përbetohen se nuk do t’i braktisin këto treva shqiptare.

Rasti i dr. Ymer Tresit, shoku im që së bashku u regjistruam në Fakultetin e Mjekësisë, por një ditë babai i tij më thotë se do të gjejë unë ndonjë dinarë, por edhe babi yt le të gjejë ndonjë dinarë, që të blejmë ndonjë shtëpi të vogël që të kemi ku të rrini, e mbasandaj të mbaroni studimet që edhe mund t’i shesim. Mbas disa ditësh Ymer Tresi më thotë se, nuk e regjistrova semestrin ngase shkojmë në Turqi. Më 27.03.1956, unë posa kisha dalë prej provimit të lëndës së fiziologjisë, erdha në banesë, ku para banesës takova dy persona të pa njohur, të cilët më pyetën për Abaz Dukagjinin se a banon këtu, unë u vërtetova se ata janë kolegët e tij prej fakulteti dhe se kërkojnë një libër prej Abazit. Hyra në banesë dhe pasi Abazi nuk ishte aty, dola dhe u tregova se nuk është këtu, por ata më thanë se do të presin, ndërsa pas pak kohe Abazi erdhi. Por, nuk ishte ashtu siç më thanë, ngase ata menjëherë e legjitimuan Abazin, e kontrolluan, më kontrolluan edhe mua dhe Mujdin Sadikun mandej edhe dhomën ku banonim . Nga dhoma morën disa libra, fotografi dhe letra, por në ato letra brenda ishte edhe letër e Ymer Tresit, i cili prej mallit për vendlindjen përveç tjerash shkruante:”a do të jemi gjallë që të vij edhe njëherë në Tetovë ta shoh flamurin kuq e zi…”.

Pasi e morën Abazin, ne u përgatitëm se edhe neve do të na marrin ngase vazhdimisht ishim bashkë. Atëherë filluan të më ndjekin. Vinin rregullisht në fakultet që të më ndjekin mua, e më thirrshin në biseda. Më thoshin se unë jam në radhë që të burgosem në qoftë se nuk bashkëpunojë me ata. Nëse unë pajtohesha të bashkëpunojë, ata më “ofronin” stipendi dhe një vendbanim në konviktin e studentëve. Unë arsyetohesha se nuk kam kohë të merrem me gjëra të tilla, ngase unë kam ardhur që të studioj dhe se nuk kam aftësi që të merrem me punë të tilla. Edhe përkundër refuzimit tim kategorik, sërish dy inspektorë më përcillnin. Një herë inspektori Cele më thirri në shtëpinë e tij. Në atë kohë të them të vërtetën e humba krejtësisht vullnetin për studime, ngase pritsha që së shpejti do të më burgosin, kështu kaloi ai vit akademik deri sa në qershor apo në korrik nuk më kujtohet mirë kur edhe u mbajt gjykimi ndaj grupit të Rifat Palloshit, Raif Maleziut, Abaz Dukagjinit prej Tetove, prof. Remzi Pustinës nga Dibra, Adnan Agait, Abdyrahim Taravarit që të dy nga Gostivari dhe disa të tjerëve. Jeta u bë mjaft e vështirë. Gjithkund përcjellje nga inspektorët e punëve të brendshme. Nuk kursenin askënd nga familjarët tanë dhe shokët. Shkuarja për në Turqi kishte marrë hovin e vet. Ishte mjerimi ynë, që nuk ka të përshkuar. Në vitin 1958, unë si absolvent i mjekësisë, dhashë lutje për stipendi, përgjigja dihej para kohe. Më thanë në formën zyrtare :” se odbiva. Nemamo sredstva niti potreba za lezari za oshta praksa.” Në qershor të vitit 1961, i mbarova studimet. Erdha në Tetovë. Sa po kishte hyrë në fuqi ligji për vaksinimin e fëmijëve. Dita e parë e punës ishte në katundin Shipkovicë e mandej në Brodec, Veshallë, Bozovcë dhe në Vicë, të them të vërtetën për të parën herë i shëtitëm këto katunde të bukura të Malësisë së Sharrit.

Në vitin 1962, më erdhi thirrja për në ushtri, ndërsa në anën tjetër kisha marr një informatë se isha në listën e zezë të pushtetit sllavokomunist. Deri atëherë, por edhe pas meje ishte e drejtë që të gjithë mjekët të shkonin ushtar në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë. Por, unë dhe dr. Harun Jakupi jemi dërguar në ushtri në profesione krejtësisht tjera. Mua më dërguan në njësitin e këmbësorisë në qytetin e Quprisë, po ashtu edhe dr. Harun Jakupin diku në Serbi. Unë shërbeva në ushtri për shkak se si civil pata hepatitin dhe nga kjo arsye u lirova si i paaftë për përherë, ndërsa dr. Harun Jakupi, për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor pas tre muajve emërohet si mjek në ambulancë. Në vitin 1967, e fillova përvojën e specialistit të pediatrisë dhe atë 12 muaj në Tetovë, ndërsa në muajin janar të vitit 1968, stazhin e fillova në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.

Këta vite ishin relaksim serioz, nga shtypja sistematike e pushtetit që ushtroi deri sa e rrëzuan nga pushteti antishqiptarin e përbetuar Rankoviqin. Në verën e vitit 1968, një ditë Xhevdeti, shoferi i kryetarit të komunës, na solli një lajm të mirë se do të mund të përdoret flamuri ynë kombëtar dhe atë në festat fetare dhe ato shtetërore.

Për këtë që kuptova nga Xhevdeti, të them të drejtën më gëzoi pa masë, por për këtë pas disa ditësh has edhe në gazën e atë hershem “Nova Makedonija” dhe atë disa rreshta për përdorimin e flamurit, duke e arsyetuar se flamujt më nuk kanë domethënie territoriale. Më 29.XI.1968, pas shumë vitesh valoi flamuri ynë kombëtar dhe atë nëpër institucionet shtetërore dhe nëpër disa shtëpi e dyqane. Por, që është për të përmendur se në ditën e festës në fjalë, nëpër shumë vende flamuri ynë kombëtar ishte dëmtuar e përbaltur, edhe pse për këtë ngjarje nuk pati ndonjë reagim, me çka kjo edhe kaloi në heshtje. Vjen 22.XII.1968, dita e Bajramit. Kjo ditë siç dihet në kohën e ish Jugosllavisë shënohej si dita e Armatës Popullore Jugosllave. Flamujt shqiptar valonin nëpër minaret e xhamive të Tetovës, nëpër shumë shtëpi e dyqane. Diku ka ora 20, ndodhesha para Shtëpisë së Mallrave së bashku me Ibrahim Nuriun dhe Nexhati Kulikun. Në këtë vend një nga një filluan të vijnë si mësuesi Salajdin Hyseini, dr. Harun Jakupi dhe atdhetari Abdulla Hyseini-Kalishti. Në këtë takim u fol se pak më parë se Sreçko Janevski e ka këputur dhe zvarritur flamurin tonë kombëtar.

Të gjithë ishim të revoltuar, por nuk kishim ndër mend të ndërmarrim ndonjë gjë, pos që ishim të indinjuar. Por, në ndërkohë atypari kaloi me hapa të nxituar Ismail Spahiu, në drejtim të dyqanit të vet. Atëherë Abdulla Kalishti i tha dr. Harunit, shko e këshilloje të mos shkoje te Sreçko Janevski, ngase mund ta keqtrajtojë policia. Haruni iu afrua e bisedoi me Ismail Spahiun, të cilin e kishte këshilluar që të shkojë e ta paraqes rastin në policinë e Tetovës, ndërsa Ismaili i kishte thënë që ne të shkojmë e t’i gjejmë se ku janë djemtë, se ata kanë një copë hekur me vete. Ne u nisëm prej platos para Shtëpisë së Mallrave e drejt kah hyrja në parkingun e qendrës së qytetit, ku takuam një grup të rinjsh, të cilët ishin mjaft të revoltuar. Ne i këshilluam që të shkojnë e ta lajmërojnë Xhemail Vejselin, i cili në atë kohë ishte sekretar i komitetit të partisë për Tetovën, por të rinjtë propozuan që edhe ne të shkojmë me ata, ngase nuk e njihnin Xhemail Vejselin. Pranuam dhe, shkuam bashkërisht në drejtim të spitalit ku e kishte banesën sekretari i komitetit. Pasi që arritëm aty pari, të rinjtë i lamë që të presin, ndërsa ne vendosëm të futemi brenda.

I ramë ziles së banesës, doli Xhemail Vejseli e na pyeti se çfarë ka, ne i treguam se në dyqanin e mjeshtrit-rrobaqepës Ismail Ustahut, Sreçko Janevski e ka grisur flamurin shqiptar. Me të kuptuar për këtë ngjarje edhe Xhamail Vejseli i nervozua dhe e shau Sreçko Janevskin-bullgarin, e na tha që të shkojmë në milici ta paraqesim rastin, ndërsa ai do t’i telefonojë kryeshefit Burhan Nebiut që të vjen e të merr masa përkatëse. Prej atje u nisëm në milici, atje gjetëm policin kujdestar, ne derisa e njoftuam për rastin në fjalë, mbërriti edhe Burhan Nebiu. Doktor Harun Jakupi, iu drejtua Burhan Nebiut me këto fjalë:”E more Burhan, të mos ishe ti këtu kryeshef, do të shifshi ju se çfarë do të bënim ne.” Biseduam me Burhanin, dhe e pyetëm se a mund të vëmë flamur tjetër në vendin ku është grisur, e ai na tha se po. Dolëm prej oborrit të milicisë, e u drejtuam për në qendrën e qytetit. Rrugës disa të rinjë filluan të kapen për xhepash, filluan të mbledhin para. U afrova tek ata dhe i pyeta se çfarë janë duke bërë, e ata më thanë se janë duke mbledhur para që ta blejnë një flamur kombëtar që ta vendosin në vendin e atij që ishte grisur. Mua nuk më pëlqeu ky veprim, mendova se mund të merreshin në përgjegjësi nga organet shtetërore si këta që japin para edhe shitësi që do ta çelte dyqanin jashta kohës së orarit të punës ngase ora kishte vajtur 21.

I këshillova që ta huazojmë një flamur prej ndonjë shtëpie, ndërsa ata më pyetën prej kujt mund të marrin flamur, e unë i drejtova për te z. Abdullahu-djali i Xhemil efendisë, ngase e kisha parë duke kaluar aty pari te shtëpia e tyre. Pas pak kohe në qendër të qytetit u paraqitën Ibrahimi vëllai i vogël i Abdullahut në përcjellje të Sami Numanit (Foto Sami), flamurin e kishin mbështjellur në shtizë e më thanë se përse e kam kërkuar flamurin. Unë u thash se e kërkova që t’ua japim djemve të usta Ismailit. Deri sa ktheheshim prej milicisë, gjatë rrugës e vërejta komandantin e milicisë, i cili shpejtonte në kahen e kundër të rrugës që ecnim ne. Të them të vërtetën kur e pash komandantin e milicisë, atëherë vendosa që të shkoj te dyqani i usta Ismailit që t’i shikoj djemtë se çfarë janë duke bërë. Pasi arrita, kuptova se po përpiqeshin se si ta vendosin flamurin, por assesi nuk mundeshin. Atëherë i këshillova që ta çelin dyqanin e t’i marrin shkallët me çka edhe ashtu vepruan. Pasi mbaroi akti i vendosjes së flamurit në dyqanin e usta Ismailit, ne mbetëm ende në qendër të qytetit dhe një grup të rinjsh që ishin në hyrje të parkingut.

Por, në këto çaste kur ne bisedonim, u duk Sreçko Janevski i shoqëruar me dy femra (duket se ishte nëna dhe gruaja e tij), i cili kaloi nëpërmes grupit tonë dhe të rinjve. Edhe pse fare mirë të gjithë e vërejtëm, por nuk i thamë gjë, ndërsa ai futi dorën në xhep dhe e nxori pistoletën, të cilën e regëtoi në formë akapadahiu që neve të na provokojë. Atëherë njëri prej nesh bërtiti me zë:“Ua Sreçko shovinisti”. Të gjithë iu vërsulëm Sreçko Janevskit, ndërsa ata dy gratë filluan të piskasin, ndërsa shogeni iku për në hotel “Maqedonia”. Turma e frutuar nga sjellja e tij, menjëherë e drejt para hotelit, ku ia thyen disa xhama, ndërsa mua më paraqitet Sefoja e më thotë do ta thejmë dyqanin, në ndërkohë në sheshin e qytetit shohim shumë milicë. Dolën disa funskionarë si Konstandini, Xhemail Vejseli e disa të tjerë, që ta qetësojnë masën që ishte e revoltuar tej mase prej aktit provokues. Por, në ndërkohë në sheshin e qytetit ishin tubuar shumë qytetarë ngase sa kishin dalë prej kinemasë dhe u bashkangjitën me turmën që thirrte “Fadil-Tito”, dhe pas një kohe u shpërndajtëm nëpër shtëpia. Të nesërmen, pra më 23 dhjetor 1968, unë shkova në Shkup në klinikën e pediatrisë ku isha në specializim. Pas vizitës kishim ligjëratat, por në këtë vizitë mu afrua dr.

Vullnet Starova e më tha se më thirrën drejtori i Klinikës profesori Duman ë zyrën e tij. Unë dola nga amfiteatri ngase drejtori më kishte kërkuar urgjentisht, hyra në zyrë e u përshëndetëm dhe dy të tjerë që ishin të pranishëm edhe pse nuk i njofta fare se kush janë. Profesori Duma më njoftoi me ata dy, e më tha se kanë diçka që të bisedojnë me mua, ndërsa vetë e lëshoi zyrën e shkoi. Ata menjëherë u prezantuan se janë nga Sektori i Punëve të Brendshme, dhe se janë të interesuar të dinë për ngjarjet e mbrëmshme në Tetovë. Unë u tregova krejt se çfarë kishte ngjarë, ndërsa ata morën shënime dhe në fund shprehën keqardhje që kishte ndodhur një rast i tillë në Tetovë. Si rëndom, pasi dola prej klinikës shkova në stacionin e autobusëve, ku e takova profesor Murat Isakun dhe, së bashku hipëm në autobus. Gjatë udhëtimit për në Tetovë, i tregova për ngarjet e mbrëmshme në Tetovë dhe për bisedën me inspektorët e SPB-së. Nuk më kujtohet se si reagoi profesor Murat Isaku, që atëherë ishte i punësuar në RTVM në redaksinë e gjuhës shqipe.

Pasi zbritëm nga autobusi, dëgjuam krisma , atëherë kuptova se këtu në Tetovë ndodhën diçka e kobshme për ne shqiptarët. Shkova në shtëpi, pasi drekova, dola në qendër të qytetit, ku kishte lëvizje të popullatës, kishte mjaft milicë. Më pas erdhën shokët e u takova me dr. Harun Jakupin, Abdulla Kalishtin dhe Salajdin Hyseinin, por pas pak kohe u shpallë orë policore me çka ne u shpërndajtëm. Të martën shkova në punë në Spitalin e Tetovës, në repartin e infektologjisë, atje bëja punë e specializimit. Atë ditë morëm vesh se dr. Harun Jakupi, është burgosur. Në oborr të spitalit takova dr. Gjerçen, i cili më provokoi duke më thënë se, Haruni është i burgosur dhe se e kanë maltretuar shumë, unë thash vetëm se gabim është i informuar. Në Tetovë ishte gjendje e tensionuar. Policia ishte shumëfishuar, të cilët bridhnin nëpër rrugët e qytetit, ndërsa dëgjonim lajme se po i burgosin pjesëmarrësit e demonstratave.

Të enjten në mëngjes, mora vesh se Abdylaziz Abdiu, djali i mixhës në mëngjes me të vëllain Abdylhadiun kanë dalë jashtë qytetit nëpër fusha. Shkova në punë, gjatë vizitës me dr. Vukashinin-kryeshef i repartit, erdhi Shefqiu e më tha se dy policë më kërkojnë në korridor. Dola e u takova, pasi më pyetën se a jam unë dr. Mahmuti, atëherë më thanë se më thirrin në polici për bisedë. Hipëm në veturën e tyre e shkuam në polici, por për habi policët u sollën mjaft të kujdesshëm ndaj meje duke më thënë ju kërkojmë falje që t’i xjerri të gjithat që i kam nëpër xhepa, ndërsa derisa më kontrollonin derën e hapi komandanti i policisë dhe u tha se s’ka përse ti kërkoni falje, këtu ashtu është rendi, mandej më çuan në zyrën e drejtorit të burgut, të cilin e njihja që më parë e emrin e kishte Kërste. Në këtë zyrë ishin dy agjentët, të cilëve ua tregova rastin e ngjarjeve të 22 dhjetorit në zyrën e prof. Duma në Shkup. Këta të dy nuk më pyetën për ngjarjet, por direkt më thanë se çfarë e kam Abdylaziz Abdiun, u tregova se e kam djalë mixhe, edhe pse ata fare mirë e dinin se ne jetonim në një shtëpi, e më pyetën se ku gjendet Abdylazizi, kurse unë ua ktheva se është e vërtetë që jetojmë në një shtëpi, në një oborr, por se ku është Azizi nuk e di. Pas një kohe ata dolën e më lanë vetë mua me Kërsten, pra pasi mbetëm vetëm ai më thotë :”a be doktore, ako znaesh kade e Aziz kazhi, pa idi doma”, unë edhe këtij i thash se nuk kam njohuri, por unë me sa e di ai është në shtëpi. Pas pak sërish erdhën dy inspektorët dhe sërish avazi i më parshim kërkonin të tregoj se ku është Azizi, ndërsa unë u thosha se nuk e di. Kah ora 15, më çuan në një dhomë tjetër, e cila ishte e zbrazët.

Më mbyllën brenda, aty prita deri sa u bë terr, ra nata. Erdhën e më morën dhe kur dola në korridor te shkallët poshtë e pash mësuesin Salajdin, vetëm sa u pamë, dhe atë e nxorën përjashta e mua më zbritën poshtë. Më hipën në një veturë e tipit “Fiat 1300”, shoferi, unë dhe tre policë të armatosur. Në fillim mendova se shkojmë në gjyq, por më pas pash se u drejtuam kah Shkupi. Kur mbërritëm në Shkup, edhe atje nuk u ndalë në gjyq, mendova se shkojmë në Idrizovë, por edhe atje jo, vazhdoi rrugën për në Çair, e atëherë më nuk e dija se ku më dërgonin dolëm në një vend të hapur. Gjatë rrugës shikoja një vijë uji, të them të vërteten atëherë më hyri një dozë e theksueshme dyshime se ndoshta po më vrasin. Pas pak kohe arritëm te një ndërtesë, para së cilës u ndalë vetura, e më pas u fut brenda në një korridor plot me dritë ku pritshin plot civilë në këmbë. Pasi më kontrolluan edhe njëherë, ma shkruajtën emrin dhe mbiemrin e më çuan brenda në korridor të gjatë, ku vërejta shumë dyer, e çela njërën prej tyre e më lëshuan brenda pa mos e ndezur dritën.

Pasi u adaptova, pash se kishte dy krevate, por që të dy ishin të zënë me dy të burgosur, të cilët ishin shtrirë në to. Pash se nuk kam se çfarë të bëjë, u ula në dysheme dhe u mbështeta për muri. Pas pak kohe këta dy të burgosurit si unë, filluan të më pyesin se kush jam, prej nga jam, pse jam i burgosur, ndërsa unë ua ktheva se jam nga Shkupi, punoj me tregti dhe jam i burgosur për mungesë të një shume parash. Pas kësaj bisede u hap “penxherja” e derës së dhomës së burgut. Dhe, pyeti një policë, a ka ndonjë të ri, unë u paraqita, megjithëse para do kohe ma shkruajtën emrin dhe mbiemrin. Ma morën Letrën e njoftimit më pyetën si e kam emrin dhe mbiemrin dhe prej nga jam, pse jam i burgosur dhe e mbylli penxheren. Atëherë kata dy shokët filluan sërish, por tash në gjuhën shqipe të më pyesin. Unë tregova se jam mjek dhe mund të bisedojmë çyshtje mjekësore.

Të nesërmen mi nxorën flokët me çka kuptova se në këtë burg do të më mbajnë një kohë të gjatë. Me këta shokë qëndrova vetëm disa ditë, mandej njërin e dërguan në Idrizovë, i cili ishte i gjykuar për vrasje, tjetri ishte prej Struge student i vitit të dytë në drejtësi, të cilin e lëshuan në shtëpi. Nuk e mbaj mend se pas sa kohe më dërguan te gjykatësi hetues, me sa më kujtohet se më pyeti njëfarë Haxhi Saukov, se a dëshiroj avokat mbrojtës, ndërsa unë i thash jo, ngase me sa e di unë nuk kam bërë diçka kundërligjore. Tortura fizike nuk kam përjetuar, por tortura psikike dhe atë të karakterit tinëzak kam përjetuar shumë.

Gjatë burgut që vuajta mund të përshkruaj rastet të cilat më kanë lënë mbresa të thella në jetën time. Më kujtohet se ditëve të diela shtronim kërkesa me shkrim që përkonin me ushqimet dhe për cigare. Një të diele, përveç tjerash kërkova 10 pako me cigare dhe 2 kutia me shkrepsa. Të nesërmen më sollën vetëm 12 kutia me shkrepsa pas asnjë pako cigare. Reagova, por ata mu përgjigjën se do të gjendemi disi, do të mund të më sjellin nga 2 ose 3 cigare. Unë kuptova lojën e tyre se dëshironin të jem në kontakt të përhershëm me ata, dhe për këtë pas pak kohe kur m’i sollën cigaret, unë në mënyrë kategorike i refuzova dhe u thash se nuk më duhen dhe prej aty çasti e ndërpreva përdorimin e cigares deri sa na lejuan pako të na sjellin prej shtëpie. Pas gjithë kësaj, më vizitoi avokati Sejdi Raufi, të cilin e kishte angazhuar familja ime, por pasi mora aktakuzën, porosita të angazhojnë avokat nga Kroacia, jo se mund të ndryshonte e ta ndërronte rrjedhën e gjykimit, por për ta sensibilizuar çështjen që të ketë jehonë sa më të madhe për padrejtësitë që na bëhen neve shqiptarëve në Maqedoni. Gjykimi ynë u mbajt në kushtet që dihet për në atë kohë.

Na dërguan ashtu të lidhur me një kombi, e më pas na thanë se gjykimi anulohet se gjoja me vonesë na paskan dërguar thirrjet për gjykim dhe se nuk paskemi pas kohë për ta përgatitur mbrojtjen. Ndërsa në gjykimin tonë, pasi u lexua aktakuza, u rreshtuan dëshmitarët, shumica e të cilëve ishin policë si dhe ishte një mjek dr. Zdravko Vasilevski, gjinekolog, të cilin e kam pasur shok gjeneratë në gjimnazin e Tetovës dhe në fakultet në Shkup, i cili përveç tjerave pohoi se gjoja më paska parë mua me do njerëz që ai nuk i njeh, që disa prej tyre kanë qenë me kësula të bardha, pra me këtë dëshiroj të them se të gjithë dëshmitarët ishin parapërgatitur. Njëri prej policeve, i cili ishte dëshmitar, pyeti a mund të lexohet dëshmia e tij , por gjykatësi e refuzoi në mënyrë kategorike. Trupi gjykues na shqiptoi dënimet si të fajshëm me këto dënime:

Dr. Harun Jakupi – 5 vjet heqje lirie,
Salahudin Hyseini – 4 vjet heqje lirie
Dr. Mahmud Abdiu-Bajraktari – 4 vjet heqje lirie dhe Abdulla Hyseini-Kalishti – 18 muaj heqje lirie.

Mbas vuajtjes së dënimit, dolëm nga burgu. Populli i Tetovës na bëri një mikpritje të jashtëzakonshme që deri atëherë s’kishte ndodhur. Një javë ditë njerëzit kanë ardhur për të na vizituar dhe atë që nga mëngjesi e deri në orët e vonë të natës me çka na dhanë mbështetje të pa rezeve dhe se janë me ne për të drejtat e kombit shqiptar. Më pas fillova specializimin, nuk më inkuadronin në punë, nuk më jepnin pasaportë. Njëfarë Gjore dhe një farë Sllobodani më kushtëzonin duke më thënë se do të japim pasaportë për të dalë jashtë shtetit, por me kusht kur të kthehem të vij te këta e të raportoj për të gjithat se me cilin jam takuar, kush me cilin takohet e kështu me radhe, të cilën gjë. Pasi që unë gjithmonë kam kundërshtuar ndaj këtyre, ata edhe nuk më dhanë pasaportën. Unë dhe dr. Harun Jakupi edhe më parë kemi qenë në listën e zezë të tyre, me siguri për shkak të aktiviteteve tona kombëtare, e veçanërisht me aktivitetet tona kundër shkuarjes së shqiptarëve për në Turqi. Ne të dy jemi të vetmi mjekë që në ushtri kemi shkuar nëpër njësite të rëndomta, unë në këmbësori e dr. Harun Jakupi në artileri. Të gjithë shokët tjerë mjekë, kanë shkuar në akademinë ushtarake të mjekësisë në Beograd, dhe janë emëruar nëpër ambulancat e garnizoneve nëpër Jugosllavi.Megjithëse isha në vijimin e specializimit të sëmundjeve pediatrie, jo vetëm se nuk më lejuan të vazhdoj specializimin deri në vitin 1977, por me pretekst se s’ka mjek punova 6 vjet në ambulancën në dhënien e mbrojtjes shëndetësore. Ndërroi jetë më 5 janar të vitit 2015. Lavdi jetës dhe veprës së intelektualit dhe atdhetarit Mahmut Bajraktarit!

@tn.lajmelokale
@tetovanews