Ballina Këshilla Ditën që do ta shohësh veten me thinja përpara pasqyrës, kthehu e...

Ditën që do ta shohësh veten me thinja përpara pasqyrës, kthehu e lexoji fjalët e këtij burri

Është e vështirë të plakesh. Nuk do ta pranosh, por nuk e ndal dot.

E bukura është se të del plotësisht nga mendja.

Mendon se je ende i ri, derisa një ditë e sheh veten me thinja përpara pasqyrës. Sheh përreth fëmijët e tu të rritur dhe nipërit apo mbesat që luajnë rreth shtëpisë.

Aty kupton se koha ka kaluar pa e kuptuar dhe ti nuk ke bërë dot asgjë për ta ndalur.

Aty kupton se je plakur. Mirëpo je plakur nga jashtë, sepse nga brenda çdokush është aq sa e ndjen veten se është. Mos u trishtoni. Edhe plakja ka të mirat e veta.

Vitet e shumta mbi supe të japin mësime të vlefshme dhe të gjithë të besojnë problemet e tyre, pasi e dinë se pjekuria dhe përvojat e tua do t’i japin këshillat më të vlefshme për të ecur të sigurtë në jetë.

Këto janë disa nga mësimet që unë kam nxjerrë në jetë dhe dua që edhe ju t’i dini, nëse ende nuk i keni përjetuar, apo nuk jua kanë thënë:

Shumë njerëz i lëndojnë personat e mirë, sepse kërkojnë për dikë më të mirë në jetën e tyre, por gjithmonë përfundojnë me dikë më të keq dhe pastaj pendohen. Harrojnë se pendimi është i kotë, sepse askush me mend nuk rikthehet sërish me atë që e ka lënduar.

Gjithkush përpiqet të gjejë njeriun e duhur në jetë, por askush nuk përpiqet të jetë vetë njeriu i duhur. Askush nuk përpiqet të vetëpërmirësohet dhe të bëhet i duhuri për dikë tjetër. I kërkojmë gjërat të gatshme, pa dhënë aq sa duhet nga jeta jonë.

Kalon shumë kohë, ndonjëherë edhe e gjithë jeta, derisa një person e kupton realisht se ka jetuar për të kënaqur të tjerët dhe ka përfunduar disa herë i lënduar vetë. Është e trishtë, por edhe pse thuhet se njerëzit mësojnë nga dhimbjet, nuk është dhe aq e vërtetë. Njerëzve u duket e ëmbël dhimbja prej atyre që duan.

Nuk duhet ta besosh gjithçka verbërisht. Është e kotë. Secili ta tregon historinë, sipas këndvështrimit të vetë. Jo më kot thuhet: “Dëgjo 100 vetë dhe bëj si di vetë”. Dëgjoji gjithë versionet e mundshme të një historie, por në fund vendos vetë për atë që e beson si të drejtin.

Ngjyrat e vërteta të atyre që të rrethojnë, njihen gjatë stuhive më të rënda të jetës. Mos prit t’i njohësh në gëzime njerëzit rreth teje. Të tërë të afrohen, të buzëqeshin dhe të bëjnë të besosh se duan më të mirën për ty në momente të gëzuara. Ama të paktë janë ata që do të qëndrojnë me ty në vështirësi dhe akoma më të paktë ata që do të ndihmojnë të dalësh prej vështirësive.

Çdo gjë që ta kanë marrë dhe mendon se e meritoje, do të kthehet 10-fish tek ty. Zoti punon për ata që e meritojnë. Nëse ti meriton paqe, lumturi, shëndet, miq, familjarë dhe financa të mira, Zoti do të t’i japë ato.

Njerëzit më të lumtur nuk janë ata që marrin, por ata që japin. HIdhni sytë përreth. Ata që kanë zili të tjerët dhe marrin sa më shumë prej tyre, kënaqen për momentin dhe më pas trishtohen. Nuk ngopen asnjëherë. Ata që japin, janë ata më të lumturit. Njerëz të tillë lumturohen nga lumturia e të tjerëve.

Ndërkohë që koha kalon, fillon të mos interesojë aq shumë sasia, sa cilësia. Nëse më parë kërkoje të kishe sa më shumë miq, të mbaje marrëdhënie të mira me sa më tepër të afërm apo fqinj, me kalimin e kohës fillon dhe bëhesh më përzgjedhës. Në jetën tënde fillon dhe lejon vetëm ata që mund të të falin diçka.

Gjëja më e mirë që mund të bësh, është ta falësh atë që ka gabuar. Mos i mundo ata më tepër, pasi mjaft keq janë ndjerë, kur e kanë kuptuar gabimin e tyre. Fali dhe harroje çfarë të kanë bërë. Jeta vazhdon. Mos u kap pas së shkuarës. Fali ata që të kanë lënduar, por trego më tepër kujdes që të mos lëndohesh sërish herë tjetër.

Kuptimi i jetës nuk qëndron tek të bërit keq. Të bësh keq është gjëja më e lehtë që ekziston. E vështirë është të bësh mirë dhe të mbahesh mend për mirë, ndaj lëri njerëzit më mirë, nga sa i ke gjetur. Përqafoje dhimbjen. Puthe atë që po vuan. Bëhu mik me të humburin. Duaje të vetmuarin.