Ballina Shëndeti Dietat/ 120 mijë njerëz heqin dorë nga mishi dhe produktet e bulmetit

Dietat/ 120 mijë njerëz heqin dorë nga mishi dhe produktet e bulmetit

Sipas fushatës ‘Janari Vegan’, më shumë se 120,000 njerëz kanë deklaruar se do heqin dorë nga mishi dhe produktet e bulmetit këtë muaj dhe rreth 3 milion njerëz në Britaninë e Madhe raportohet se kanë planifikuar të heqin dorë nga alkooli në ‘Janarin pa Alkool’. Ndërkohë më shumë ushtrime në palestër është një nga rezolutat më të zakonshme për Vitin e Ri. Sidoqoftë a ja vlen të keni një dietë të shëndetshme vetëm për një muaj?

Janari Vegan

Dietat vegane nuk konsiderohen vetëm të shëndetshme por edhe të mira për planetin- edhe nëse janë vetëm për një muaj, sipas disa ekspertëve. Konsumimi i ushqimit është përgjegjës për rreth 17% të emetimeve të gazit të serrës në Britani çdo vit, sipas Dr. Marco Springmann, një studiues i njohur mbi qëndrueshmërinë mjedisore në Universitetin e Oksfordit.

Nëse të gjithë në Britani do hanin ushqime vegane për një muaj, emetimet e gazit të serrës të lidhura me ushqimet do uleshin 6%, shton ai. Benefitet potenciale të shëndetit janë gjithashtu një tërheqje e madhe për Janarin Vegan dhe dietologia Lily Soutter beson se njerëzit që bëhen pjesë e tij mund të shohin një ndikim të madh.

Sipas saj, efektet pozitive mund të shihen në nivelet e sheqerit në gjak, kolesterolit, tensionit të gjakut dhe humbjes së peshës brenda pak javësh.

Ndërsa dietologia Dr. Laura Wyness shprehet se megjithëse një dietë vegane ka benefite shëndetësore, njerëzit gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm.

“Është më mirë që ndryshimi drejt një diete vegane të bëhet gradualisht gjatë një periudhe disa mujore në mënyrë që njerëzit të gjejnë receta të reja që mund t’i shijojnë dhe të sigurohen se ushqimet që konsumojnë të përmbajnë të gjitha vlerat ushqyese që u nevojiten”, paralajmëron ajo.

Janari pa alkool

Ndërsa shpesh sugjerohet që lënia e alkoolit në janar mund të çojë në dyfishimin e konsumimit të tij në muajin shkurt, studimet tregojnë të kundërtën. Universiteti i Sussex zbuloi se njerëzit që morën pjesë në “Janarin pa Alkool” konsumojnë më pak në gjashtë muajt e ardhshëm pas sfidës. Përfitimet shëndetësore afat shkurtra të lënies së alkoolit përfshijnë rënie në peshë, lëkurë më të shëndetshme dhe përmirësim të cilësisë së gjumit.

Dhe për ata që pinë alkool për t’u çliruar nga stresi, reduktimi i alkoolit gjithashtu mund të ketë një efekt pozitiv në shëndetin mendor. Pa harruar se është një mënyrë për të kursyer para çdo muaj.

Palestra

Më tepër ushtrime në palestër është diçka që shumë njerëz premtojnë se do bëjnë çdo vit të ri por ekspertët theksojnë që të mos tregohemi shumë të ashpër. Trajneri personal Chris Hall ka disa këshilla praktike.

“Nëse nuk keni bërë ushtrime më parë, përpiquni të shkoni në palestër dy herë në javë për një orë, dhe më pas mund të shkoni më shpesh. Është shumë e rëndësishme të çlodheni ndërmjet seancave të ushtrimeve në palestër pasi kjo gjë lejon muskujt të rriten”, shprehet ai.

Dr. Sander van der Linden, drejtor i laboratorit të vendim marrjes sociale në Universitetin Cambridge, thotë se ka shumë arsye për të patur besim nëse bëni ndryshime në janar.

“Një nga gjërat më të rëndësishme është të ndani rezolutat tuaja me të tjerët – ka më shumë mundësi t’i përmbaheni atyre nëse angazhimi është publik. Një nga arsyet pse këto fushata janë kaq shumë popullore është se janë vetëm për një muaj” shprehet ai.

Loading...