Ballina Sport City e nis vitin me fitore, Guardiola triumfon ndaj rivalit direkt për...

City e nis vitin me fitore, Guardiola triumfon ndaj rivalit direkt për titull Jurgen Klopp

Manchester City ka mposhtur Liverpoolin me rezultatin 2-1 në Etihad Stadium, në ndeshjen direkte në garën për kreun e tabelës në Premier League

Rastin më të mirë në minutat e para të takimit e patën miqtë. Sadio Mane krijoi hapësirë në zonë, me një top fantastik nga Mohamed Salah dhe goditi nga afërsia, mirëpo ishte i pafat pasi topi u përplas në shtyllë.

Më pas, John Stones në përpjekje për ta larguar topin e goditi portierin Ederson dhe topi për pak sa nuk e kaloi vijën fatale, por mbrojtësi ishte vendimtar në largimin e tij.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 40-të. Sergio Aguero pas një një topi të dhënë në zonë nga Bernardo Silva dhe nga një pozicion i vështirë arriti të shënojë.

Me epërsi të vendasve, skuadrat shkuan në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Redsat barazuan rezultatin. Andrew Robertson priti një harkim në zonë dhe e dërgoi topin me shpejtësi drejt Roberto Firminos, i cili e futi në rrjetë (64’).

Megjithatë, gëzimi i miqve nuk zgjati shumë, pasi vendasit e rikthyen epërsinë. Leroy Sane pranoi një asistim nga Raheem Sterling dhe goditi për ta ndëshkuar Alissonin (72’).

Xherdan Shaqiri e zëvendësoi Sadio Manen në minutën e 77-të, mirëpo nuk arriti t’i ndihmonte skuadrës së tij për të nxjerrë rezultat pozitiv nga ky takim.

Me këtë fitore, Manchester City renditet në kuotën e 50 pikëve, katër më pak se Liverpool dhe pritet të shohim një garë interesante në vazhdim të sezonit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews