Ballina Suplement Arsimi Arsimi i Kosovës në grevë/ Mësuesit duan rritje rroge, studentët me kërkesa...

Arsimi i Kosovës në grevë/ Mësuesit duan rritje rroge, studentët me kërkesa të tjera (VIDEO)

Punonjësit e shkollave fillore, ato të mesme dhe universitetet publike të Kosovës, janë hedhur në një grevë të përgjithshme, për t’i bërë trysni qeverisë që të ndryshojë ligjin e pagave, duke rritur normën e pagesës për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor publik.

Krerët e sindikatave të arsimit thanë se greva do të vazhdojë deri sa të zbatohen kërkesat e paraqitura. Pretendimi i tyre është që normat e parashikuara në ligj të rriten me të paktën 30 për qind.

Zyrtarët qeveritarë kanë bërë thirrje që grevës t’i jepet fund dhe që zgjidhja të gjendet përmes bisedimeve. Ndërkohë, përfaqësues të studentëve nga universitetet publike të Kosovës, kanë kërkuar nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, të shkarkojë anëtarët e NISMA-s nga bordet drejtuese të universiteteve publike, duke paralajmëruar bojkot të njësive akademike, nëse nuk plotësohet ky kusht dhe kërkesa të tjera që do t’i paraqesin në protestën e 16 janarit.

“Protesta e 16 janarit vjen si pakënaqësi e studentëve lidhur me zhvillimet e fundit në MASHT, në raport me universitetet publike. Studentët protestues kanë përkrahjen e të gjitha organizatave studentore të universiteteve publike”, u shpreh Diar Statovci, nga Grupi i Pavarur i Studentëve.

Si arsye për këtë protestë, studentët kanë përmendur edhe kushtet jo të mira në këto universitete, apo mungesën e bursave.