Ballina Aktualitet Lajme Arratisja e Gruevskit, kryeprokurorja: Zbrazi llogaritë, por 120 mijë euro nuk…

Arratisja e Gruevskit, kryeprokurorja: Zbrazi llogaritë, por 120 mijë euro nuk…

Në Maqedoni autoritetet janë ende të habitur e tronditur nga arratisja e beftë e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, pak ditë para se ai të përfundonte në qeli për të kryer dënimin lidhur me çështjen “Tanku”.

Teksa Gruevski është fotografuar duke shëtitur i qetë në Hungari ku ka aplikuar për azil politik, kryeprokurorja e Prokurorisë Publike Speciale, Katica Janeva ka shprehur zhgënjimin për mosarrestimin e tij.

Sipas kryeprokurores maqedonase, ajo nuk ka pasur dijeni se Gruevski po i zbrazte llogaritë e tij bankare, pasi 120 mijë euro që ai kishte tërhequr sipas saj s’përbëjnë një shumë që ngre dyshime.

“Nuk e dinim se Gruevski po zbrazte llogaritë bankare, por edhe 120 mijë euro nuk është ndonjë numër impozant për të vënë në dukje se dikush po planifikon arratisjen”, theksoi Janeva në një intervistë për 1TV.

Ndërkohë, sipas prokurores tjetër Lile Stefanova, për llogaritë bankare të Gruevskit, nuk është fajtore Prokuroria Speciale, por gjykatat.

“Llogaritë e Gruevskit ishin propozim i yni që kur kemi dorëzuar akuzën për rastin ‘Titanik’. Kemi evidentuar se i akuzuari posedonte llogari dhe se të njëjtat mund t’i zbrazë dhe të arratiset. Lidhur me këtë morëm përgjigje nga Gjykata Penale, dhe më pas edhe nga Gjykata e Apelit, pas ankesës sonë. E përgjigja e tyre ishte se ato shuma parash nuk mund të trajtohen si rrezik për arratisje”, theksoi Stefanova.

Sipas mediave në Shkup, ish-kryeministri Nikolla Gruevski gjatë shtatorit të vitit të kaluar ka arritur të nxjerrë jashtë vendit rreth 230 mijë euro pa u ndaluar nga organet e hetuesisë, ndërsa para arratisjes ka zbrazur 35 llogari bankare.

@tn.lajmelokale
@tetovanews