Ballina Opinione Andi Bushati: Gent Cakaj, si një tender me letra fallco

Andi Bushati: Gent Cakaj, si një tender me letra fallco

Nga Andi Bushati

Argumentimi që i ka bërë Presidenti Meta rrëzimit të kandidaturës së Gent Cakës si Ministër i Jashtëm ka nxjerrë edhe njëherë në pah shndërrimin e shtetit të Edi Ramës në një bordello.

Aty kuptohet fare qartë se si ish numri dy i diplomacisë për gjysëm viti, ka ushtruar funksionin në shkelje flagrante të ligjit, pa u pajisur me çertifikatën e sigurisë.

Por, e keqja nuk përfundon me mosplotësimin prej shtatë muajsh të këtij formulari që jep garancinë e domosdoshme për të verifikuar të ardhurat, figurën morale dhe mosimplikimin e tij me shërbimet e huaja sekrete.

Ajo është bërë edhe më e madhe, kur u dhanë sinjalet e para se kjo mungesë përbënte arsyen se përse kreu i shtetit mund të mos e dekretonte “djalin e lexuar”, të pilotuar nga Prishtina.

Aty në panik dhe me urgjencë, Edi Rama e përdori Cakën si një obortar të rëndomtë, duke e detyruar të bëjë atë që pati “harruar” t’a kryente për një kohë të gjatë. Madje mëkati qe edhe më i rëndë, sepse ai nuk përdhosi vetëm figurën e kandidatit për ministër të jashtëm, por edhe institucionin e DISK, që ka për detyrë të lëshojë çertifikatën e sigurisë.

Ky organizëm që duhet të bëjë verifikime të gjata dhe të thelluara, që duhet të investigojë në shtetet e huaja ku ka jetuar më parë kandidati për të dalë i pastër, që duhet të verifikojë gjithçka rreth tij, e mori kërkesën në datë 3 janar dhe dha përgjigje … në 4 janar.

Ai e shpalli Cakën të kulluar vetëm në 24 orë, sepse kaq i shpejt i duhej Edi Ramës për nevojat e tij politike.

Kjo histori që i përngjan fiks tenderave me letra fallco dhe milionave që shpërndahen me urdhër të kryeministrit duke shpërfillur çdo ligj dhe çdo institucion, nxjerr në pah dy antë të errëta.

Së pari, ajo është një provë më shumë se në ç’pikë janë telendisur institucionet shqiptare në shtetin personal të Edi Ramës ku nuk përfillet asnjë normë tjetër përpos urdhrave të tij.

Së dyti, ajo na tregon shumë, për karakterin, formimin, personalitetin e “djalit të lexuar” nga Prishtina, që lejon të përdoret me një lehtësi të pabesueshme, si mish për top.

Ç’do kush pas kësaj historie mund të pyesë: po mirë Rama qenka i tillë, që nuk përfill asnjë rregull veç vullnetit dhe pasionit të vet, po ky zyrtar i ri, i edukuar në perëndim, formimin e të cilit na e kanë ngritur në qiell, si pranon me kaq mungesë respekti për veten, t’a lëvizin si gur shahu? Ç’farë dinjiteti ka ai, sa do të kulluar t’a konsiderojë veten, të përtypë kokëulur, fillimisht kryerjen e aktivitetit pa çertifikatë sigurie dhe më pas farsën e pastërtisë brenda 24 orësh, kur dihet që ky proces mund të kërkojë edhe javë?

Ky servilizëm i pështirë, i denjë për një zyrtar të nëntshtruar, që çon raport shefit edhe kur pi kafe me gazetarë, përtej çdo debati kushtetues i jep të drejtë Ilir Metës në zgjedhjen që ka bërë.

Sepse Shqipëria nuk e ka luksin të ketë ministër të Jashtëm një çilimi kamikaz që ka si të vetmen vlerë përunjësinë e verbër ndaj padronit.

Në këto momente, kur Tirana zyrtare duhet të përballet me aventurën Thaçi – Rama për coptimin e Kosovës (të cilës Ditmir Bushati i doli kundër) dhe me firmosjen e marëveshjes së detit me Greqinë (që duhet kaluar nga presidenca), më pak se gjithçka asaj i duhet një lake i nënshtruar në krye të diplomacisë.

Pikërisht për këtë rrefuzimi i Ilir Metës për të rrëzuar dekretin për Gent Cakën, është po aq sa dinjitoz edhe historik.(lapsi.al)

Loading...