Ballina Bota 2018-ta i’u dha një “shuplakë” të gjithë liderëve botërorë

2018-ta i’u dha një “shuplakë” të gjithë liderëve botërorë

Gjuhëtarët dhe ekspertët kanë zgjedhur fjalë të ndryshme për vitit 2018. Oksfordi zgjodhi fjalën “toksike”, të tjerë zgjodhën fjalën “drejtësi, ndërsa disa zgjodhën “populizmin”.

Por të gjithë pajtohet se viti 2018 pa një sërë tronditjesh politike që dobësuan pothuajse të gjithë liderët politikë, duke filluar nga ata që ishin parë si e ardhmja si Emmanuel Macron, për të vazhduar me liderët e “pamposhtur” si Vladimir Putin dhe Viktor Orban apo populistët si Donald Trump dhe Mateo Salvini dhe duke e mbyllur me liderë që ishin parë si shembuj të qëndrueshmërisë politike si Angela Merkel. Zemërimi i qytetarëve kundrejt elitave politike rreth e rrotull globit duket se nuk kurseu askënd.

Shembujt më të egër pasqyrohen në lajmet e përditshme. Presidenti Donald Trump kryeson radhën e këtyre dështimeve falë mbylljes së qeverisë, politikave kundër emigrantëve dhe luftës tregtare me Kinën. Largimet në stafin presidencial kanë arritur nivele katastrofike: 65 përqind e skuadrës fillestare të Trump është zëvendësuar, pa përfshirë anëtarët e kabinetit , ku 13 nga 24 zyrtarë janë larguar. Ndëtkohë aleancat tradicionale janë duke u zbehur dhe rendi botëror shumëpalësh është duke u dobësuar.

Në Britani, qeveria e kryeministres Theresa May ka këmbëngulur në një përpjekje të dëshpëruar për t’u larguar Bashkimi Evropian dhe për të vendosur kushtet e tërheqjes, të cilat BE-ja i refuzoi që nga fillimi.

Për shkak të mbështetjes së dobët në parlament, por edhe brenda partisë së saj ajo ka të ngjarë ta nxjerrë Britaninë nga unioni europian pa një marrëveshje përfundimtare, vetëm e vetëm për të shmangur opsionin e vetëm të arsyeshëm: një votim të ri mbi anëtarësimin në BE në Mbretërinë e Bashkuar. Siç u zbulua këtë vit, votuesit ishin mashtruar nga aktivistët e Brexit, të cilët gënjyen për pasojat e largimit nga Bashkimi Europian.

Drafti i “divorcit” të Brukselit dhe Londrës do të duhet të miratohet fillimisht nga parlamenti britanik dhe më pas nga udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së. Pas këtij hapi ai do to të duhet të ratifikohet nga Parlamenti i SHBA-së dhe Parlamenti Europian. Kryeministrja May siguroi kohët e fundit mbështetjen e kabinetit të saj për marrëveshjen pas një takimi pesë orësh, por disa ministra kanë folur kundër saj. Ajo është përballur me një reagim të ashpër nga një pjesë e deputetëve të partisë së saj që kërkonin një “Brexit” më të ashpër.

Në Francë, Emmanuel Macron dukej si shpresa më e madhe e botës perëndimore me planet e tij të reformave gjithëpërfshirëse dhe vizionin për një BE më të bashkuar. Por kreu i Elizesë e mbylli vitin mes revoltës më të ashpër të parë që ka parë një vend perëndimor gjatë dekadës së fundit. Protestat e “jelekverdhëve” filluan si një revoltë kundër rritjes së taksave të karburantit, por u kthyen në një manifestim të dhunshëm anti-qeveritar.

Macron ka rënë në kundërshtim me deklaratat e tij për shtrëngim ekonomik brenda Eurozonës duke bërë lëshime me vlerë deri në 11 miliardë euro, ndërkohë qëpopullariteti i tij vazhdon të jetë në pikën më të ulët që pas ardhjes së pushtet. “Jelekverdhët” donin më shumë sesa thjesht premtimet e një politikani. Ata donin masa zyrtare, donin të mos i kishin më xhepat bosh, donin ndryshime të prekshme në jetën e tyre të përditshme. Dhe presidenti Macron e mori mesazhin. Në fakt ai nuk kishte zgjedhje tjetër. Presidenti e dinte se nëse jelekverdhët nuk merrnin atë që donin, qeveria do të binte.

Një tjetër lidere e fuqishme e perëndimit, kancelarja gjermane Angela Merkel, e kaloi shumicën e vitit duke u përballur një revoltë brenda koalicionit qeveritar, Bashkimit Kristian Demokratik dhe partisë bavareze, Bashkimit Kristiano-Social. Rebelët konservatorë paralizuan qeverinë duke kërkuar politika më të ashpra kundër emigracionit dhe duke e futur Merkelin në beteja të lodhshme politike. Ajo humbi shumicën e mbështetjes në dy zgjedhje të rëndësishme shtetërore, dhe u detyrua të heqë dorë nga udhëheqja e partisë.

Merkel është cilësuar gjithmonë si një shtyllë e qëndrueshme në kohë trazirash, një politikane e fortë dhe e pamposhtur që ndihmoi në forcimin e politikës dhe ekonomisë së vendit të saj, por edhe diktoi drejtimin e ndjekur nga Bashkimi Europian. Ky imazh i një gruaje të hekurt, të vendosur dhe me ide të qarta në krye të Gjermanisë dhe të BE-së u godit fort në 2015, gjatë krizës së refugjatëve. Pikërisht vendimet e veprimet e saj gjatë kësaj krize janë arsyeja kryesore e krijimit dhe forcimit të një mjedisi të paqëndrueshëm politik sot edhe në Gjermani.

Por 2018-ta ishte viti i kaosit edhe për demokracitë e tjera.

Qeveria populiste në Itali krijoi një buxhet plot me fantazi që e çoi drejt një tjetër përplasje me BE-në, e cila paralajmëroi se do të vendoste sanksione të rënda ekonomike. Pak pas këtij paralajmërimi, zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini ka thënë se është i përgatitur të përballet me krerët e BE-së. Qeveria populiste e Italisë ka refuzuar të ndryshojnë objektivin e deficitit për të përmbushur premtimet e fushatës si futja e të ardhurave themelore universale, ulja e taksave dhe ulja e moshës së daljes në pension.

Moti i keq i keq në Itali ka bërë po ashtu që projektet e mëdha infrastrukture të jenë një prioritet i qeverisë, përfshirë këtu edhe pasojat e shembjes së urës në Xhenova, ngjarje që solli edhe njëherë në vëmendje investimet e plakura të vendit. Salvini iu përgjigj me sarkazëm lajmeve se komisioni do të dënonte Italinë. “Një letër nga BE? Unë po pres një letër edhe nga babagjyshi,” u tha ai gazetarëve. Kreu i Lega Nord tha se ishte i gatshëm të “përballej me Jean-Claude Juncker dhe këdo që refuzonte një buxhet që” sipas tij, “u përgjigjej nevojave të italianëve”.

Në Spanjë, qeveria e Mariano Rajoy u përball me një sërë skandalesh korrupsioni, duke bërë që rivali i tij socialist Pedro Sanchez ta rrëzonte me një grusht shteti parlamentar. Po edhe Sanchez duket se po dështon: Qeveria e tij është e shqetësuar nga skandalet, ai përballet me trazira nga Katalonia, ndërkohë që partia nacionaliste Vox po fiton popullaritet dhe ka fituar përfaqësim në parlamentin rajonal të Andaluzisë.

Suedia dhe Letonia po e presin gjithashtu vitin e ri pa qeveri pas muajsh të tërë negociatash të dështuara për formimin e koalicionit. Në Suedi, partitë po përpiqen të përjashtojnë një rivale gjithnjë e më të fuqishme populiste. Në Letoni, koalicioni qeveritar mund të përfshijë një parti të fuqishme që konsiderohet si pro-ruse, por rezultatet për të dyja vendet janë të njëjta: 2018-ta solli një frakturë të pashembullt politike në historinë e të dyja vendeve.

Në Belgjikë, qeveria sapo është rrëzuar nga një parti nacionaliste që bën fushatë kundër refugjatëve dhe kundërshton paktin e emigracionit të Kombeve të Bashkuara që u miratua nga Belgjika së bashku me 163 vende të tjera në maj.

Por ky nuk ka qenë një vit i shkëlqyer as për politikanët e fortë të regjimeve hibride.

Vladimir Putin u rizgjodh sërish president, por që nga ajo kohë po përballet me rënien e popullaritetit, për shkak të rritjes së moshës së pensionit. Ekonomia e Rusisë dhe të ardhurat po bien, ndërkohë që Putini po përballet me armiqësinë e liderëve perëndimorë për shkak të ndërhyrjes së shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse në vendet e tyre.

Kryeministri indian, Narendra Modi po e nis vitin 2019 duke humbur zgjedhjet në tre shtete ku Partia e tij Bharatiya Janata ishte dikur dominante. Efektet e gabimeve të tij në politikë dhe kontrolli mbi institucionet financiare të vendit janë pjesërisht përgjegjëse për dështimin e tij. Urjit Patel, guvernatori i bankës qendrore, dha dorëheqjen këtë muaj pas përpjekjeve të Modit për të dobësuar pavarësinë e bankës dhe për të marrë kontrollin mbi rezervat e saj. Edhe pse rritja ekonomike ka qenë e fortë, ajo nuk ka qenë gjithëpërfshirëse siç ishte premtuar pasi papunësia në Indi ka arritur nivele rekord.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, konsolidoi fuqinë e tij me një fitore zgjedhore, por u përball me tronditje të fuqishme në ekonominë e vendit. Ekonomistët botërorë parashikojnë se Turqia do ta fillojë vitin e ri e zhytur në recesion. Lira është monedha e dytë më e dobët në botë pas asaj argjentinase, duke humbur rreth 29 përqind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan.

Ndërkohë, princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dikur si një reformator i guximshëm, u përball me zemërimin ndërkombëtar pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi brenda konsullatës saudite në Stamboll. Akti brutal ka dëmtuar mbështetjen ndërkombëtare për të dhe ka hedhur hije dyshimi mbi reformat e tij.

Por as rivali më i madh i Arabisë Saudite, Irani, nuk ka pasur një vittë mirë. Për shkak të protestave të brendshme dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara, asnjë nga fuqitë europiane nuk kanë qenë në gjendje të mbarojë regjimin e udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka pasur një vit të tmerrshëm.

Ndërkohë në Hungari,Viktor Orban duket se e ka tejkaluar dorën me një sërë masash që kanë për qëllim konsolidimin e pushtetit të tij mbi gjykatat dhe mediat, si dhe një ligj të kohëve të fundit që ka potencialin për të detyruar hungarezët të punojnë jashtë orarit pa pagesë. Ai po përballet me protesta të vazhdueshme dhe ka përdorur dhunën kundër protestuesve.

Elitat, si ato demokratike dhe ato autoritare, janë tanimë më të dobëta se kurrë. Protestat dhe partitë anti-establishmentit po forcohen kudo, nga Perëndimi në Lindje. Edhe pse kanë qëllime të ndryshme, ata kanë fituar zemrat dhe mbështetjen e qytetarëve. (Bloomberg-Gazeta Si)

@tn.lajmelokale
@tetovanews