Ballina Aktualitet Rajoni Vuçiqi merr pjesë në seancën e KS për Ushtrinë e Kosovës, më...

Vuçiqi merr pjesë në seancën e KS për Ushtrinë e Kosovës, më pas takohet me Thaçin në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të marrë pjesë të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, seancë të cilën e thirri Serbia pas formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Pas kësaj seance, Vuçiqi do të udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në takimin me liderët rajonalë, të cilin takim e organizon shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Këtë Vuçiqi e konfirmoi për mediumin serb “Prva”, duke theksuar se në Bruksel, me ftesë të Mogherinit, të pranishëm pritet të jenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pastaj kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Denis Zvizdiqi i Bosnjës, Zoran Zaevi i Maqedonisë si dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, transmeton Koha.net.

Të mërkurën, në darkën e punës tek përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, Vuçiqi tha se do të bisedojë për bashkëpunimin rajonal.

“Shkoj në New York, pastaj menjëherë në Bruksel. Kemi pranuar një ftesë të çuditshme, tre presidentë dhe tre kryeministra. Ndoshta kjo është mënyra për të lidhur Beogradin e Prishtinën, por tema do të jetë i tërë rajoni, ndoshta edhe CEFTA”, tha ai.

“Askush nuk kënaqet në dialogun në Bruksel, por paramendoni sikur të mos shkoj në këtë takim”, tha ai.

Pak kohë më parë, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, konfirmoi se seanca e së hënës në KS të OKB-së, ku do të diskutohet për Ushtrinë e Kosovës, do të jetë e hapur.

@tn.lajmelokale
@tetovanews