Ballina Aktualitet Sociale “Ty të ka dënuar Zoti me këtë djalë”, historia prekëse e Elisabetës...

“Ty të ka dënuar Zoti me këtë djalë”, historia prekëse e Elisabetës (Video)

Djali i Elisabetës është i veçantë, sepse ka lindur albin dhe për këtë gjë ai ka rënë pre e bullizmit që i vogël. Kjo e ka bërë që ndonjëherë të braktisë dhe shkollën. Në studion e “Ka një mesazh për ty”, nëna e 11-vjeçarit rrëfen vështirësitë me të cilat përballet i biri, por edhe ajo vetë.

“Unë jam fëmijë i një divorci, në moshën 5 vjeçare më janë divorcuar prindërit. M’u ndanë prindërit, mamaja emigroi në Greqi, babai erdhi me shtëpi në një fshat të Fierit dhe me peripeci u rritëm. Siç e kanë shqiptarët që martojnë vajzat e vogla, më martuan edhe mua shumë të vogël. E pranova, u martova, të gjitha në rregull. Pas 2 vjetësh erdhi në jetë djali, për të cilin jemi këtu. Orgesti në Prill mbush 11 vjeç. Unë si e vogël që isha (16 vjeçe), edhe këto vizitat nuk i kryeja tërë kohës, sado ishte shtatzëni e vështirë… Duhet të merrja shumë vitamina për djalin, që unë nuk i mora. Djali lindi albin.”

Çdo të thotë albin?
“Pa pigment, bjond. Unë kam lindur ashtu vetë, por tani jam ndryshe. Ndoshta e kemi pak në gen. Por peripecia fillon tani, që është bjond. Deri në moshën 4 vjeç, që e kisha në shtëpi, ne e pritëm dhe e deshëm ashtu siç ishte. Por kur u përball me realitetin, kur filloi të shkonte në kopsht… edhe atje nuk e pati shumë të vështirë, sepse ishte i vogël për të kuptuar. Në klasë të parë e pati më të vështirë. Mësuesja, të cilën nuk dua ta gjykoj se është edhe nënë vetë, nuk ma priti mirë fare dhe e uli djalin në bankë të fundit. Djali ka edhe probleme me përqendrimin e syrit (i dridhet syri). Ai mendon se po ta ketë më afër diçka e sheh më mirë, edhe pse në të vërtetë njësoj e sheh.”

Elisabeta tregon se i biri vinte në shtëpi dhe e pyeste përse ishte kështu, përse nuk ka të tjerë si ai.

Por çfarë të keqe ka të jesh albin?
Nëna e Orgestit tregon se në rastin e tij, ai përballet me talljet e shokëve. “Tani u rrit dhe nuk m’i shpreh sepse e sheh që mërzitem”, shton ajo.

Elisabeta tregon se djali i saj ka ndryshuar disa shkolla, ndërsa nuk janë të pakta rastet që iu është dashur të përballet edhe me banorë të lagjes, të cilët e paragjykojnë Orgestin nga mungesa e dijes…

“Më 4 Gusht, kishim një dasmë nga njerëzit e burrit dhe shkoj në parukeri për t’u rregulluar dhe kthehem dhe për 2 orë do të nisesha për në lokal. Unë punoj banakiere në një lokal. Shpeshherë gjatë gjithë beharit, djali vinte më thoshte, dy-tre herë, që është një burrë, më bezdis… thonë që është pijanec. Unë e anashkaloja këtë gjënë, nuk e dija që ai rrallë pinte, ishte normal. Atë ditë, sa isha rregulluar ndërsa djali luante jashtë hyrjes. U mbështeta, se mendova gjithë natën, thashë po fle pak. Djali vjen dhe i bie derës me të dyja duart. Trembem, hap derën dhe e pyes “çfarë ke mami?”. Mbante dorën tek faqja që e kishte të skuqur. Më qëlloi ai burri më thotë, që të kam thënë tërë kohës. Para se të dilja lajmëroj policinë dhe dal dhe e qëlloj atë burrin dhe i them ca fjalë në nerva e sipër. Në moment vjen policia.”

Por përse e qëlloi djalin?
“I dukej si i sëmurë dhe nuk donte që t’i rrinte afër fëmijëve të tij. Kishte vetë dy goca. Dhe e më e keqja ishte që në polici tha: E qëllova se më ngacmon gocat. Shkojmë në polici. Një polic i ri, të cilin e falenderoj shumë, iu duk anormale: Po ti burrëri me këtë bën, i tha? Në polici më thanë të bëja denoncim, por më erdhi keq, kështu që vendosa të bëja vetëm një ankesë”.

Ndryshe nga sa besonte Elisabeta, gjërat nuk do të mbylleshin me kaq. Bashkëshortja e zotërisë në fjalë do ta përballte pak ditë më vonë në rrugë, duke mos i kursyer fjalët e rënda.

“Pas një jave, unë po ikja për në punë me djalin. Unë zonjën se njihja fare, ne jetojmë në një lagje, por ngaqë jam gjithë kohës në punë, se njihja. Ndalon në rrugë dhe më thotë: Ty po të kërkoja. Ndal dhe e pyes, njihemi? Më thotë: Jam gruaja e atij që futi surrati jot në burg. I thashë, ti je nënë vetë, nuk e mendon që pata të drejtë të mbroj fëmijën tim. Por rri mi, më tha, ty të ka dënuar Zoti me këtë fëmijë.”

Këto fjalë kaq të rënda dhe të padrejta sollën edhe reagimin e vetë drejtuesit të “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea, i cili tha: “Për çfarë? Një fëmijë si drita, se i ka flokët e bardhë dhe vetullat e bardha të paska dënuar Zoti? Domethënë shenjë e një injorance të theksuar dhe mjerë ajo për këtë injorancë që ka. Nëse ka dënuar Zoti, dënon këta njerëz për injorancën e tyre, e jo djalin tënd e dashura ime.”

“Unë nuk mund të edukoj tërë shqiptarët, por të paktën me një fëmijë… jo timin, me çdokënd. Unë kam qenë edhe në Greqi, ndoshta dhe atyre nuk u pëlqente, por thonin: Sa i veçantë, sa i bukur… e bënin të ndihej mirë. Ndërsa këtu thonë: “Iii si qenka ky “, shtoi Elisabeta më tej.

“Faleminderit Zotit nuk janë të gjithë kështu, por ata që janë, e kanë problemin me veten e tyre dhe nuk është problemi tek djali yt”, tha më tej Gjebrea./tvklan.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews