Ballina Aktualitet Shqipëri Tension te Kryeministria, protestuesit: Rama po tenton të blejë 200 studentë

Tension te Kryeministria, protestuesit: Rama po tenton të blejë 200 studentë

Kushtet e këqija të motit dhe temperaturat nën zero nuk i kanë penguar dhjetëra studentë që të vijojnë protestën e tyre para Kryeministrisë, duke bërë thirrje për të mos dialoguar me shefin e qeverisë Edi Rama.

Në një moment ka pasur tension poshtë zyrës së Ramës, pasi studentët protestues janë përplasur me policinë, që i ka penguar të mbajnë mjetet ngrohëse.

Policia i ka hequr studentëve bombolat e gazit, që ishin vendosur aty për t’u ngrohur studentët.

“Punonjësit e policisë na penguan, këtu është bërë një shtetrrethim, te kjo rruga kam numëruar 10 policë, janë shtuar forcat e policisë kudo. Nuk plotësuan procesverbal për atë që morën. Nuk tërhiqemi nga qëndresa jonë natën. Kryeministri mund të deklarojë çfarëdolloj gjëje në media, por ky është realiteti”, deklarojnë studentët për mediat.

E teksa studentët kërkojnë nga kryeministri plotësimin e 8 kërkesave, ata kanë deklaruar se Rama po tenton të përçajë studentët e të nxjerrë jashtë loje kauzën e tyre, duke “blerë” rreth 200 studentë, me synim që të takohet me ta nesër në Kuvend në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

“Edi Rama po blen studentë, rreth 200 studentë. U ka dhënë lekë për të realizuar gjoja një takim për dialog. Ata nuk janë pjesë e jona dhe ne do i demaskojmë. Nesër i ftojmë të gjithë të protestojnë”, shprehen studentët.

Ata gjithashtu theksojnë se do të demaskojnë të gjithë ata që bien pre e tentativës së kryeministrit për t’i blerë.

“Ata që blihen dhe mashtrohen për një dialog, nuk do të jenë më pjesë e grupit”, thonë studentët para Kryeministrisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews