Ballina Bota Analiza Studimi: Fondamentalistët, kanë më shumë gjasa të bien pre e lajmeve të...

Studimi: Fondamentalistët, kanë më shumë gjasa të bien pre e lajmeve të rreme

Nga Tom Jacob

Saktësisht 2 vjet pas zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump – një garë e njollosur nga informacione qëllimisht të pasakta, që u shpërndanë përmes dhe “armatosën” mediat sociale – Amerika nuk ka arritur ende të përballet me problemin e lajmeve të rreme. Sesi përhapen ato, kjo mbetet një çështje qendrore, por një pyetje edhe më themelore, është se kush u beson atyre dhe përse?

Një studim i ri, siguron të paktën një përgjigje të pjesshme, duke identifikuar 3 grupe specifike njerëzish, të cilët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj tregimeve të rreme, dhe ofrojnë një arsye të mundshme se përse ndodh kjo.

“Individët e prirur të zhgënjehen, individët dogmatikë dhe fundamentalistët fetarë, kanë më shumë gjasa të besojnë lajmet e rreme”- shkruan një ekip kërkimor i drejtuar nga psikologu Majkëll Bronshtein i Universiteit të Jeilit. Kjo besueshmëri, është të paktën e pjesshme, për shkak të gjasave më të ulëta, që këta njerëz do të angazhohen në “të mendim aktiv mendje-hapur dhe analitik”.

Rezultatet e këtij studimi, plotësojnë ato të një studimi të kohëve të fundit, që gjeti se votuesit më pak analitikë në vitin 2016 ishin konservatorë në aspektin social, veçanërisht demokratët që tejkaluan linjat partiake për të votuar pro Trumpit. Ky kalim, mund të shpjegohet pjesërisht, me ndjeshmërinë e këtyre votuesve nda lajmeve të rreme.

Studimi i ri, i botuar në “Journal of Research Applied in Memory dhe Cognition”, testoi 948 të rritur që jetonin në Shtetet e Bashkuara, të cilët u rekrutuan nëpërmjet internetit. Ata u njohën me 12 tituj lajmesh aktualë dhe 12 fiktivë, në një format që shihet zakonisht në mediat sociale.

Titujt e rreme u morën nga tregimet e rreme, që qarkulluan gjerësisht gjatë zgjedhjeve të 2016,

së bashku me pretendimet që ishin gjykuar të rreme nga uebsajti “Snopes.com”. Si titujt e vërtetë, ashtu edhe ata të rremë u balancuan, për të favorizuar në mënyrë të barabartë demokratët dhe republikanët.

Pjesëmarrësit vlerësuan saktësinë e secilit duke përdorur shkallën nga 1 deri në 4. Ata gjithashtu përfunduan testet e dizajnuara për të matur dogmatizmin, fondamentalizmin fetar, mendimet deluzionare (pyetjet përfshinin “A ndiheni ndonjëherë, sikur ka një komplot ndaj jush?”), dhe shkallën e të qenit mendje-hapur.

Për këtë të fundit, ata treguan nivelin e tyre të pajtimit me deklarata të tilla si:”Një person, duhet të marrë gjithmonë parasysh mundësitë e reja”. Përveç kësaj, vullnetarët iu nënshtruan Testit të Reflektimit Konjitiv, duke shfaqur “probleme që kanë përgjigje intuitive por jo korrekte, që duhet të anashkalohen, për të arritur tek përgjigja e saktë”.

Programi mat prirjen e një individi për të analizuar problemet, apo për t’u mbështetur në të menduarit intuitiv. Rezultatet:Idetë deluzionale, dogmatizmi dhe fondamentalizmi fetar, ishin që të gjitha të lidhura pozitivisht me besimin tek lajmet e rreme”- raportojnë hulumtuesit.

Njerëzit që shënuan rezultatin më të lartë në këto tipare, prireshin të kishin rezultate më të ulëta në “të kuptuarit e vërtetë të medias” – aftësia për të njohur lajmet e vërteta si lajme të vërteta, dhe ato të rremet si të rreme. Analiza e mëtejshme, tregoi një shpjegim të pjesshëm ose mbase të plotë për këtë gjetje.

Rezulton se grupi i fundit i njerëzve, ishte gjithashtu më pak i prirur për t’u angazhuar në mendime të hapura dhe analitike, duke shmangur kështu një qasje njohëse, që “mund të dekurajojë gjerësisht bindjet e padrejta”, theksojnë studiuesit.

Rezultatet sugjerojnë, se mënyra më e mirë për të kundërshtuar lajmet e rreme, mund të jenë ndërhyrjet për të inkurajuar të menduarit me një mendje të hapur dhe në mënyrë analitike. Projektimi dhe zbatimi i programeve të tilla, do të ishte një sfidë e madhe.

Por, duke pasur parasysh mungesën e efektivitetit të kompanive të mediave sociale në kundërvënien ndaj keqinformimit, ndërtimi i një qytetarie më të zgjuar mund të jetë shpresa jonë më e mirë.

Pacific Standard – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews