Ballina Aktualitet Kosovë Shpend Ahmeti kryenegociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë

Shpend Ahmeti kryenegociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë

Me 59 vota të 61 deputetëve të pranishëm, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën dhe ekipi negociator për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rezoluta është hartuar nga Partia Socialdemokrate në opozitë, e cila bëhet pjesë e ekipit negociues të propozuar nga qeveria e Kosovës. Projekt rezoluta përfshinë parimet e bisedimeve me Serbinë dhe në të kërkohet që çdo marrëveshje e mundshme të kalojë përmes parlamentit të Kosovës.

Delegacioni do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Pjesë e delegacionit do jenë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, ministri nga radhët e pakicës turke, Mahir Yagcilar, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vende janë të rezervuara për dy partitë opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosje.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, tha se rezoluta përfshinë të gjitha çështjet e ngritura në diskutimin publik e parlamentar për bisedimet. Sipas tij vendimmarrja në këtë proces ka kaluar te delegacioni shtetëror i cili edhe mandatohet edhe i jep llogari parlamentit.

“Me rezolutë zotohemi e me platformën shtetërore do të konfirmohen pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Përmes këtij procesi të dialogut përfundimisht Serbia do të obligohet të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran përndryshe nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë. Republika e Kosovës nuk do të zbatojë asgjë njëanshëm”, tha ai.

Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje bojkotuan seancën ndërsa kërkuan legjitimitet qytetarë para se të formohet çfarëdo ekipi negociator.

@tn.lajmelokale
@tetovanews