Ballina Aktualitet Kosovë SHBA, qendrim tjetër nga BE dhe NATO: Krijimi i ushtrisë së Kosovës,...

SHBA, qendrim tjetër nga BE dhe NATO: Krijimi i ushtrisë së Kosovës, hap pozitiv

SHBA mendon ndryshe nga NATO lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës njoftuar për t’u formalizuar më 14 dhjetor. Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka deklaruar për RTK se krijimi i ushtrisë është një hap pozitiv. “Liderët e Kosovës kanë folur për mënyrën sesi Forcat e Armatosura të Kosovës do të marrin pjesë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit.

Kjo është e mirëpritur. Kosova ka arritur pikën kur në vend se të jetë vetëm konsumator i sigurisë ndërkombëtare, mund të kontribuojë në të”, citohet të jetë shprehur Kosnett. Ai ka folur edhe për nevojën e dialogut me Serbinë duke theksuar se me dialog nënkuptohet diskutimi i të gjitha çështjeve që i mbajnë të dyja vendet të ndara për shumë vjet.

Në këtë kuadër Kosnett ka bërë një sqarim rreth pozicionit të SHBA për çështjen e kufijve. “Disa njerëz kanë keqkuptimin se SHBA ka bërë presion për ndryshime kufitare apo një shkëmbim territoresh. Siç ma kanë bërë të qartë eprorët e mi në Uashington, ajo çfarë ne jemi të interesuar është një marrëveshje e negociuar në mirëbesim nga të dyja anët”, tha ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews