Ballina Aktualitet Shqipëri Regjistrohet procedimi penal për skandalin te Unaza e Madhe (VIDEO)

Regjistrohet procedimi penal për skandalin te Unaza e Madhe (VIDEO)

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për skandalin e tenderit të lotit të parë të Unazës së Madhe të Tiranës. Hetimi është duke u kryer për veprat penale të shpërdorimin të detyres, shkeljen e barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.

Veprimi i parë që po kryen Prokuroria është sekuestrimi i të gjithë procedures së tenderimit ndjekur nga Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Enegjitikës dhe Infrastrukturës për këtë rast.

Për llogari të këtij procedimi janë dërguar dy shkresa drejt këtyre dy institucione ku kërkohet vënia në dispozicion të hetuesve i gjithë materialit që disponohet për projektin 18 milionë Eurosh.

Burime nga grupi hetimor thonë për TV Klan se nuk përjashtohet marrja në pyetje e zyrtarëve të cilët kanë kaluar nëpër duar procedurat e tenderimit.

Do të verifikohen të gjitha veprimet e këshillit teknik pranë ARRSH, i cili ka miratuar projektin dhe më pas ato të Komisionit të Vleresimit të Ofertave që pranuan ofertën prej 18 milionë Euro të kompanisë “DH Albania”.

Prokuroria do të sekuestrojë edhe materialet që kjo kompani ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në të dhënat që “DH Albania” ka dorëzuar bilance për vitin 2015, 2016 dhe 2017, thuhet se ka qarkulluar qindra milionë Dollarë, por dyshohet se edhe këto bilance janë të falsifikuara, pasi kompania rezulton e regjistruar vetëm në Qershor të vitit 2018, pak para se të fitonte tenderin.

E falsifikuar rezulton edhe data e regjistrimit si dhe një certifikatë e sekretarit të shtetit në Delawer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës kjo kompani nuk ka detyrime fiskale.

Hetim për këtë rast ka nisur dhe prokuroria amerikane, ku në SHBA ky fakt përbën një krim federal. Dyshimet për falsifikimin e firmës së sekretarit të shtetit të Delaware pritet të përfshijë edhe një kompani tjetër veç Danwell.

Bilancet e falsifikuara të viteve 2015, 2016, 2017 janë firmosur nga Chris Dunwell në cilësinë e Shefit të Zyrës së Financës të kompanisë ‘Dunëell Haberman’, janë certifikuar nga një tjetër firmë auditimi me emrin “William Vogel and Company” dhe janë vulosur nga noteri publik i njësisë New Castel të shtetit të Delaware, Clay Robertson.

Të gjithë këto emra tashmë duhet të verifikohen nëse kanë bashkëpunuar me njëri – tjetrin dhe kanë qënë pjesë e planit të mashtrimit, apo pronari i panjohur i kompanisë offshore “Dunwell Haberman” ka falsifikuar edhe firmat e tyre.

Vetë noterja Xhevahire Brahaj ka firmosur dhe vulosur si orgjinale dokumentacionin e paraqitur nga 26-vjeçari Avdiol Dobi, përfaqësues ligjor i ‘DH Albania’, të përkthyer nga Shenda Kruja, për të cilën, burime nga Prokuroria thonë se nuk ka pasur të drejtë të kryejë përkthimin, pasi nuk është në listën e përkthyesve ligjorë të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë rast, ligjërisht as noterja nuk duhet ta kishte pranuar përkthimin dhe për këtë arsye prokurorët dyshojnë se edhe pas përkthimit fshihen manipulime.

Që të fitosh një tender me ligjin e prokurimit publik në Shqipëri, duhet që kompania të ketë minimalisht eksperiencë prej 3 vitesh në treg, dhe po ashtu duhet të vërtetojë se situata financiare e saj nuk është në faliment.

Tv Klan

@tn.lajmelokale
@tetovanews