Ballina Aktualitet Shqipëri Rama, “dush të ftohtë” rektorëve dhe dekanëve: Blejnë makina 76 mijë euro...

Rama, “dush të ftohtë” rektorëve dhe dekanëve: Blejnë makina 76 mijë euro dhe harxhojnë 6 milionë euro në vit, vetëm për rojet dhe sigurinë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e kësaj të enjte në një takim, rektorët dhe dekanët e Universiteteve.
Ai ka qenë shumë kritik me ta dhe tha se nuk beson më tek autonomia e Universiteteve.
“Konstatoj me keqardhje të madhe që rektori i Universitetit të Tiranës nuk e ka kuptuar akoma ligjin e arsimit të lartë.

Nuk e kam kuptuar se si Universiteti i Tiranës harxhon 6 mln euro për roje sigurie.
Zëri kryesor në buxhete janë automjete dhe orendi.
Kam parë specifikim nga një universitet, ku dekani kërkon veturë 76 mijë euro.
Nuk ka problem, ta ketë. Por këto gjëra t’i dinë të tjerët.
Të shohësh shpenzimet e Universiteteve, me disbalanca ekstreme.

Jam i gatshëm të marrë përgjegjësitë e mia dhe jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës mbi qeverinë që ka dhënë kjo protestë.
Kam besuar më shumë se ç’duhet tek autonomia universitare, nuk jam më për këtë.
Studentët kërkojnë më shumë vota për zgjedhejt universitare. Si do t’i përgjigjeni?

Ma thoni si i përgjigjeni ju, si i përgjigjet një qeveri e tërë një turme protestuesish që thotë nuk dua dialog por e dua këtë kështu; nga 10 për qind, në 50 përdind në zgjedhje.
Po ndodh diçka e pandodhur.
Hera e parë që një protestë studentësh mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen.

Kjo nuk është mister dhe as shkencë se kush e ka mbjellë këtë farë.
Fakti që pjesa më e madhe e studentëve dolën që janë në mbështetje dhe presin zgjidhje me të drejtë, a nuk e meritojnë vallë një reflektim”, tha Rama.
“Mos u fshihni dhe merrni përgjegjësitë në një situatë kur përgjegjësia është shumë e qartë. Nëse ka ardhur dita që të bëni këtë, duhet të rishikojmë autonominë universitare”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama shtoi se i gjithë bordi i administrimit në universitete duhen shkarkuar dhe të zëvendësohen me persona me profile publike.
“Kam dëgjuar që bordi i administrimit ka shumicë të zgjedhur nga qeveria. Po, sepse qeveria është financuesi kryesor.

Kam kërkuar të di një rast kur në një universitete ka ardhur një propozim për bordin e Administrimit dhe është penguar nga qeveria? Asnjë rast.
Qeveria nuk ka penguar asnjë vendimmarrje. S’po them që bordi ka funksionuar mirë, madje them se bordi duhet të shkarkohet i gjithi dhe duhet të zëvendësohen me persona me profile publike”, u shpreh ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews