Ballina Bota Paqe mes Kinës dhe SHBA-së, ulen tensionet tregtare

Paqe mes Kinës dhe SHBA-së, ulen tensionet tregtare

SHBA dhe Kina kanë rënë dakord për një armëpushim të vogël në luftën e tyre të shkallëzuar tregtare, pas një takimi midis presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping pas samitit të G-20.

Duke folur me gazetarët, presidenti Trump tha se marrëveshja e tij e bërë gjatë darkës me presidentin Xi do të shënohet si një nga marrëveshjet më të mëdha të bëra ndonjëherë. Sipas tij, ajo do të ketë një ndikim tepër pozitiv në bujqësi, prodhimet industriale, kompjuterat dhe çdo lloj produkti.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump ra dakord t’i lerë tarifat mbi 200 miliardë dollarë të produkteve kineze në normën 10 për qind dhe të mos i rrisë ato në 25 për qind, siç kishte kërcënuar të bënte më 1 janar.

“Kina ka rënë dakord të blejë një sasi produktesh bujqësore, energjetike, industriale dhe produkte të tjera nga Shtetet e Bashkuara për të zvogëluar disbalancën tregtare mes dy vendeve tona. Kina ka rënë dakord të fillojë menjëherë blerjen e prodhimeve bujqësore nga fermerët tanë”, tha sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders

Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, presidentët Trump dhe Xi gjithashtu “ranë dakord të fillojnë menjëherë negociatat për ndryshimet strukturore në lidhje me transferimin e detyruar të teknologjisë, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, barrierat jotarifore, ndërhyrjet kibernetike dhe vjedhjet kibernetike, shërbimet dhe bujqësinë.

“Të dy palët ranë dakord të përpiqen që ky transaksion të përfundojë brenda 90 ditëve të ardhshme. Nëse në fund të kësaj periudhe, palët nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, tarifat prej 10 për qind do të rriten në 25 për qind “, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews