Ballina Suplement Arsimi Nikolla hyn mes turmës, studentët e refuzojnë: Turp! Jep dorëheqjen (Video)

Nikolla hyn mes turmës, studentët e refuzojnë: Turp! Jep dorëheqjen (Video)

SHPËRNDAJE

Protesta e studentëve vazhdoi para godinës së Ministrisë së Arsimit mbi 5 orë dhe nëpërmjet deklaratave, thirrjeve në kor dhe pankartave, ata kanë treguar se nuk do të ndalin “revoltën” e tyre përballë sistemit.

Duke qenë se protesta nuk ka organizatorë apo drejtues të mirëfilltë, kërkesat e tyre janë shtuar në numër, pasi studentët e çdo fakulteti përpiqen të ngrejnë kauzat e tyre.

Përveç 8 kërkesave primare që ia kanë drejtuar ministres Lindita Nikolla, e për të cilat thonë se mund të hyjnë edhe në grevë urie, studentët sot kanë kërkuar edhe “Vetting për pedagogët”, madje duke nxjerrë një listë me emra të atyre që kërkojnë ryshfet në këmbim të provimeve.

Në një moment gjatë protestës, ministrja e Arsimit ka dalë nga zyra e saj duke tentuar të hyjë në mes të turmës, e shoqëruar nga disa bodigardë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por është pritur me ovacione dhe ulërima pakënaqësie, çka ka bërë që të tërhiqet sërish brenda godinës për të shmangur tensionin dhe përplasjet.

Studentët nuk kanë pranuar negociata, por vetëm zgjidhjen direkte të kërkesave të tyre, ndaj në momentin kur ministrja e Arsimit tentoi të fliste me ta, ata kanë thirrur: “Turp! Turp! “.

Ndërkohë të tjerë studentë dëgjohen në video duke i kërkuar ministres dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, jep dorëheqjen. Jo politikë, jo politikë”.

Gjithashtu kanë brohoritur dhe i kanë rënë vuvuzelave duke nënkuptuar se e refuzonin Nikollën mes tyre, pasi ministrja ka dalë me truproja dhe këtë e cilësojnë si tentativë provokimi.

“Erdhi me truprojet e saj të kalojnë mes turmës dhe nga ne u mor sikur erdhi për të nxitur dhe për të thënë që jemi vandalë. Ministrja të vijë këtu pasi të ketë plotësuar kërkesat. Nuk ka negociata”, u shpreh një student.

Ndërsa ministrja pas tentativës për të negociuar me studentët ka folur për mediat, duke thënë se doli të komunikonte me ta pas kërkesave dhe parullave “Lindita Nikolla dil në bulevard”.

“Me vullnet e dëshirën e Lindita Nikollës, si nënë dhe ministre dola për tu thënë që çështjet zgjidhen duke komunikuar”, tha ajo.

E pyetur nëse ky ishte një provokim ndaj studentëve, ministrja nuk komentoi, ndërsa theksoi se dorëheqja e saj do të ishte akti më i thjeshtë, por ajo nuk largohet pasi nuk ka bërë ndonjë gabim.

“Studentët kanë gjithmonë të drejtë por zgjidhet me diskutim. Të parashtrojnë gjithë kërkesat që ata kanë dhe jo duke i ndryshuar ca sot e ca nesër. Jemi të hapur të adresojmë e shifra e fakte deri në fund Në çdo orë të ditës dhe kur studentët të dëshirojnë. Unë i pres. Është gjëja më e kollajtë por duhet të jetë në kushtet e papërgjegjshmërisë. Nuk është fundi i botës por Lindita Nikolla nuk ka bërë asnjë gabim”, u shpreh Nikolla.