Ballina Aktualitet Shqipëri ‘Nevojë për përmbysje’, Patozi: Nga protesta uroj të ngrihet forcë e re...

‘Nevojë për përmbysje’, Patozi: Nga protesta uroj të ngrihet forcë e re politike

Sot Protesta Studentore hyri në ditën e 8-të dhe situata që po përjetojmë ngjan si një “deja vu” e 28 viteve më parë. Për koincidencë sot është edhe 28 vjetori i krijimit të PD-së, forcës së parë opozitare, krijimi i së cilës solli edhe pluralizmin politik në Shqipëri.

Në studion e “Top Talk” i ftuar ka qenë një ish student në vitin 1990, e ish-deputet i PD, Astrit Patozi. Sipas tij, protesta e 28 viteve më parë me protestën që po zhvillohet këto ditë kanë të përbashkët nevojën për një përmbysje.

“Duket sikur nuk kanë asnjë lidhje të dy situata, por në fakt të dyja kanë të përbashkët nevojën për një përmbysje. 28 vite më parë Shqipëria kishte nevojë t’i jepte fund një prej diktaturave më të egra. Sot Shqipëria ka nevojë rrëzimin e një pushteti që ka abuzuar me lirinë dhe pushtetin. Shqipëria sot është një vend i korruptuar, i padrejtë dhe ku abuzohet periodikisht”, u shpreh Patozi, duke shtuar se është protestë spontane, të cilën e sjell koha.

Patozi shprehu dëshirën e tij që kjo protestë të përfundojë me krijimin e një force të re politike.

“Shqipëria është në një situatë anormale. Nëse protesta do të kishte të bënte vetëm me një ligj të caktuar, pasi qeveria do e kishte gjetur një zgjidhje. Ata janë në unison se nuk e konsiderojnë as qeverinë e tyre dhe as opozitën e tyre. Uroj që kjo protestë të përfundojë me një forcë politike dhe me kërkesa politike. Kemi nevojë për një riformatim të demokracisë. Nuk jam për rrugë revolucionare. Edhe studentët më duken se janë të këtij qëndrimi pasi janë paqësorë”, u shpreh Patozi.

Më tej ai shton se edhe nëse forca e re politike nuk do të krijohet nga studentët, do të jetë shoqëria shqiptare ajo që do ta nxjerrë një forcë të re politike.

Sipas ish-nënkryetarit të PD, kemi të bëjmë një rast unikal, pasi pakënaqësia e akumuluar s’ka të bëjë vetëm me qeverinë, por me të gjithë klasën politike.

“Secili prej nesh duhet të ulë kokën kur shikon atë zgjim të madh social që përfaqësohet nga studentët. Ata po refuzojnë çdo forcë politike. i drejtohet qeverisë, por refuzojnë edhe opozitën. Është rast unikal, akumulimi i kësaj pakënaqësie nuk ka të bëjë vetëm me një qeveri specifike, por me të gjithë klasën politike. Nuk mund të akuzohet vetëm kjo qeveri për problemet e mëdha të grumbulluar në Shqipëri. Studentët e kanë kuptuar këtë. Problemi është se çfarë Shqipërie i pret pasi të dalin nga auditore pas 3 vitesh”, u shpreh Patozi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews