Ballina Opinione Në përkujtim të profesorit

Në përkujtim të profesorit

Nga, MUHAMED HALILI

Ngadalë perëndoi edhe një vit i përvjetoreve shqiptare. Kryengritja e shqiptarëve të Maqedonisë, ajo tetovare, e vitit 1968, plotë para pesëdhjetë viteve, ndoshta në vete mbante frymëzimin e lëvizjeve studentore në Francë dhe mbarë Evropën frymëzuar nga shkrimtari ekzistencialist Zhan Pol Sartër për krijimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë, ndoshta mbante frymën e pranverës studenteske beogradase sepse trungu organizator i atyre protestave ishin studentë shqiptar që studjonin në atë universitet atëherë me renome të lartë evropiane shndërruar në qendër studimi për të rinjtë e republikave të federatës dhe studentë të Azisë dhe Afrikës, nga shtete të Lëvizjes së të painkuadruarve, si kundërpeshë e blokut sovjetik të Paktit të Varshavës dhe NATO-s.

Koka e asaj lëvizjeje dhe krejt lëvizjeve tjera me dashuri kombëtare nuk ka dyshim se ishte kryengritësi i palodhshëm dhe i pamposhtur Memetriza Murtezani- Gega, të cilit më vonë iu bashkangjitë dhe i ndejti besnik platformës së tij Rafi Halili. Nuk duhet mohuar se gjashtëja studentore beogradase dha kontribut të madh në zhvillimin e mëtejmë të demonstratave që nisën spontanisht më 22 dhjeor 1968 në Tetovë në shenjë revolte nga grisja e flamurit kombëtar nga një shovinist i përbetuar maqedonas hjekur nga punëtoria e Ismail Spahiut i njohur si Ismail Terzija, një atdhetari të rrallë që bante qeleshe të bardhë ala dibrançe.

Ne gjenerata e atëhershme e gjimnazit me mall dhe dashuri i kujtojmë çastet kur dilnim nga oborri i shkollës dhe me admirim e shikonim në ndërtesën karshi që ishte shkolla fillore “Istikball” se si valon flamuri kuqezi sëbashku me flamujt tjerë fill pas sjelljes së ligjit për përdorimin e flamujve.Natyrisht se ky ishte flamuri i parë kombëtar që ishte ngritur në një institucion shtetëror drejtor i së cilës ishte atdhetari i shquar Vehap Lushi.

Kishte atëherë atdhetarë të shumtë shqiptarë që e mbanin gjallë dhe e kultivonin frymën shqiptare në popull dhe ndër të rinjë. Si të rinjë shpesh dëgjonim për heroizmat dhe atdhedashurinë e doktorëve Harun Jakupi dhe Mahmut Bajraktari, doktor Jusufit, arsimtarëve Abdulla Kalishta e Salajdin Hyseini, Gani Luma etj, që kronistët i shënuan në kronikat e tyre. Por pati një plejadë të madhe arsimtarësh e profesorësh, nxënësish e punëtorësh që aktivisht e kultivuan dashurinë ndaj gjuhës , shkollës shqipe dhe flamurit kuqezi me shqiponjën dykrenëshe dhe nuk e gjetën vendin e tyre në kronikat festive të ditëve të sodit. Po të fillojmë t’i rradhisim lista do të jetë tepër e madhe: prof.Myhedin Hadri, Qerim Krasniqi, Sabiha Rexhepi, Nexhmedin Hyseni, Xhevahir Shaqiri e shumë e shumë të tjerë që mbetën jashtë kronikave të këtyre ditëve. Atyrëve koha ua bëri të padrejtën por edhe historia e përsërit të njejtën.

Shumica prej tyre, të lodhur dhe raskapitur nga jeta sot prehen në qetësi, nuk janë ndër të gjallët dhe nuk flasin. Por edhe sikur të ishin gjallë ata nuk do të flisnin për veprat e tyre sepse parësorja për ta ishte kombëtarja e jo personalja. Ata kanë qenë gjeneratë e idealeve dhe jo tenderëve. Në këtë vazhdë nuk duhet lënë në harresë edhe kontributin në frymëzimin patriotik të gjeneratave të atëhershme, profesorin e sociologjisë Beqir Berisha.

Do të ishte shumë e padrejtë të mos përmendim faktin se beteja për gjuhën shqipe dhe simbolet kombëtare nuk zgjati vetëm një ditë dhjetori të 68-tës por ajo vazhdoi me dekada të tëra gjatë së cilës qindra arsimtarë të vendeve të ndryshme të Maqedonisë u dëbuan nga puna, disa qindra të tjerë një pjesë të mirë të jetës së tyre e kaluan nëpër burgje; gati të gjithë shkollave të mesme në gjuhën shqipe iu vu dryri sepse mësuesit, nxënësit refuzuan politikën asimilatore të asaj kohe shprehur me të ashtuquajturat “paralele të përziera” ku mësimi do të zhvillohej në gjuhën maqedonishte me nxënës shumicë shqiptarë dhe një pakicë e vogël nxënësish dhe arsimtarësh maqedonas.

E si të harrohen sakrificat e gazetarëve të TV Shkupit dhe “Flakës së vëllazërimit” për ruajtjen dhe përdorimin e toponimeve shqipe: të Murat Isakut, Menduh Ajdinit, Alush Kamberit, Nijazi Muhamedit, Enver Shalës (kërkoj falje nëse dikujt ia bëra me hile!) e shumë e shumë të tjerëve emrat e të cilëve mund të mos i kem ditur dhe përmendur. Dhe, si të harrohet se “Flaka” qe gazeta e parë në gjuhën shqipe në të gjitha trojet shqiptare të Jugosllavisë së atëhershme e cila filloi e para ta shkruaj gjuhën e njësuar letrare shqipe, fill pas Kongresit të drejtëshkrimit!

Ajo betejë vazhdoi edhe me kembënguljet e mëvonshme popullore për gjuhë shqipe dhe simbole kombëtare shqiptare simbole të së cilës ishin Fadil Sulejmani, Rufi Osmani, Alajdin Demiri, Vebi Bexheti etj, etj.

Sot kur shkruhet dhe flitet për shtimin e paraleleve shqipe në shkolla të mesme në Tetovë është absurd të mos përmendet emri i një malësori të mprehtë në mendje, atdhetarit të devotshëm, profesorit i cili matematikën e ftohtë ua mbolli me dashuri të zjarrtë gjeneratave të reja dhe krijoi gjenerata e gjenerata arsimtarësh të kësaj lënde abstrakte. Ky ishte Abdylbaki Bajrami.

Abdylbaki Bajramin e njoha në kohën kur ai ishte kryetar i Organizatës së rinisë në gjimnaz dhe më kontaktoi caktoi të jem pjesë e një delegacioni të kryesuar nga ai dhe në përbërje të së cilit ishin edhe nxënës tjerë të shembullorë dhe atdhetarë të mirë si Vullnet Palloshi,(tashmë i ndjerë) Merije Vejseli etj., dy përfaqsues të shkollës së mesme tekstile dhe dy të shkollës së mesme të bujqësisë ose gjithsejt 10 anëtarë, (emrat e të cilëve nuk i dija) që më 18 tetor 1968 të bëjmë takim me udhëheqjen komunale për zgjërimin e paraleleve shqipe në gjimnaz, me qëllim hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të tekstilit dhe ate bujqësore, për zgjërimin e lëndëve në gjuhën shqipe në gjimnaz, etj. Natyrisht se bojkotimi njëditësh i mësimit më 18 tetor 1968 në gjimnaz ka qenë vepër e Beqir Berishës dhe profesorëve tjerë të gjimnazit dhe ideatorit symprehtë dhe të palodhshëm Abdylbaki Bajrami.

Profesor Abdylbaki Bajramit i jemi mirënjohës edhe për kontributin e tij të madh dhe të palodhshëm në zhvillimin e lëvizjes politike në vitet e 90-ta. duke e vënë në shprehje suksesin e përgjithshëm kombëtar e jo interesat e ngushta personale.

Loading...