Ballina Aktualitet Rajoni NATO paralajmëron Kosovën: Pasoja, nëse krijon ushtrinë!

NATO paralajmëron Kosovën: Pasoja, nëse krijon ushtrinë!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.

Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. “Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, tha Stoltenberg.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor.

Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s tërhoqi vërejtjen se nëse një gjë e tilë ndodh, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”. I pyetur se për çfarë pasojash bëhet fjalë, Stoltenberg tha se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.

Kreu i Aleancës së NATO-s konfirmoi se në takimin ministror është folur edhe në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore prej 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Hapa të tillë e rëndojnë edhe më shumë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon. U bëjmë thirrje si Prishtinës ashtu edhe Beogradit që të përmbahen nga provokimet dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme në mënyrë që të ecin kah një e ardhme më e mirë”, tha Jens Stoltenberg.

@tn.lajmelokale
@tetovanews