Ballina Aktualitet Opinione Maqedonia përkrah diplomimin e pamerituar

Maqedonia përkrah diplomimin e pamerituar

Nga Arben Llalla

Arsimi shqip pas viteve 1990 ka degraduar duke e ulur cilësinë e tij në të gjithë trevat shqiptare nga Shqipëria mëmë, Kosova e Maqedonia. Për pasojë kombi shqiptar ushqehet me padije dhe mediokritet duke mbetur pas nga kombet e tjera. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha.

Dikur studentët shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni quheshin me të drejtë studentë heronj që kanë qenë në krye të lëvizjeve kombëtare nga protestat e 1968, 1981 e deri në themelimin e Universitetit të Tetovës më 1994. Prej disa vitesh Unionet e studentëve janë kthyer në vegla të partive politike. Nuk kemi dëgjuar prej kaq kohësh që Unionet e studentëve shqiptarë të protestojnë për të drejtat e tyre në veçanti në Maqedoni. Me ç’duket studentët janë të kënaqur me jetën e tyre studentore dhe programet mësimore në universitet që ndjekin në këtë pjesë të trojeve shqiptare. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militantë partiakë, të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund t’i ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.

Janë institucionet shtetërore dhe në veçanti Ministria e Arsimit e Republikës së Maqedonisë që nxisin diplomimin e pamerituar e shkollës së mesme me shpejtësi nga katër vite në dy vite. Diku nga vitet 2008 Ministria e Arsimit hapi drejtori të veçantë për të fituar diplomën e mesme duke dhënë disa provime dhe diplomoheshe brenda dy viteve. Kjo lloj metode lejoi për moshat e rritura mbi 25 vjeç që nuk kanë patur mundësi të mbarojnë shkollën e mesme në kohën e duhur për shumë arsye të diplomohen me shpejtësi duke dhënë provime çdo muaj kundrejt një pagese.

Kjo farë metode e nxitur nga vetë ministria e arsimit e Maqedonisë barazoi injorantin me nxënësin që ndiqte shkollën e mesme në mënyrë të rregullt, duke përfituar dije të merituar. Skandalet vazhdonin, kur këta të “moshuar” që diplomoheshin brenda dy viteve ndiqnin edhe universitetin dhe më tej këta të diplomuar në mënyrë të pamerituar filluam t’i shikonin drejtues të lartë nëpër institucionet shtetërore, mësimdhënës nëpër universitete, nëpër shkollat fillore e të mesme.

Skandalet vazhdojnë deri aty se këta “gjeni” të Guinness brenda 10 viteve arrinin të diplomoheshin me diplomë të mesme, universitare dhe të doktoronin. Pë pas, të bëheshin drejtorë të shkallës së parë, deputetë dhe ministra në Republikën e Maqedonisë.

Prandaj, studentët e sotëm duhet të ngrihen për të ndalur këtë lloj diplomimi që fillon nga shkolla e mesme e përfundon në gradën “Doktor Shkencash”.

Jemi dëshmitarë se shumë tema magjistraturash dhe doktoraturash nga kandidatët që diplomohen me këtë kategori i kanë blerë temat duke paguar shuma të ndryshme që variojnë nga 800 euro deri në 3.000 euro. Fakte ka plot, sepse dëshmitarë jemi vetë ne, pasi nuk ka njeri që nuk e di se si funksionojnë këto gjëra, por heshtim, dikush nga frika e dikush nga indiferentizmi.

Si përfundim, askush nuk e meriton të quhet intelektual, kur ende është përgjumësh ndaj këtyre fenomeneve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews