Ballina Aktualitet Maqedonia do të krijojë agjenci për rritjen e cilësisë në arsim

Maqedonia do të krijojë agjenci për rritjen e cilësisë në arsim

Për t’u ngritur cilësia në arsimin e lartë në Maqedoni nevojiten reforma të thella, me shumë mjete financiare për hulumtime shkencore si dhe harmonizim i programeve mësimore me kërkesat e tregut të punës, thonë njohësit e kësaj fushe.

Këto komente vijnë pasi Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se ka filluar me procedurat për themelimin e një agjencie të veçantë, e cila do të jetë përgjegjëse për cilësinë e arsimit të lartë.

Agjencia do të përbëhet nga Këshilli për Akreditim , Këshilli për Vlerësim si dhe drejtori i agjencisë do të zgjidhet nga Parlamenti.

Por, ish-ministri Arsimit në Maqedoni, Sulejman Rushiti vlerëson se agjencia në fjalë mund të shërbejë në masë të madhe në ngritjen e cilësisë së arsimit, vetëm nëse nuk ndërhynë në arsim.

Rushiti thotë se duhet zgjeruar kompetencat e veprimit të Agjencisë, e cila do të jetë përgjegjëse për cilësinë e arsimit të lartë, për të njëjtin duhet të sigurohet buxhet i pavarur dhe transparencë gjatë veprimit.

“Duhet të ketë vullnet politik që të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë këtu në Maqedoni. Gjatë gjithë këtyre viteve, çdo ligj që është miratuar është jofunksional, apo agjenci apo institucion që themelohet do të thosha dështojnë për shkak të mungesës së vullnetit politik apo vendosjes së personave jokompetentë në këto organe”, thotë Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit.

Profesorët universitarë dhe studentët thonë se për ngritjen e cilësisë në arsimit të lartë nevojitet të realizohet një strategji mirë e konceptuar, që do të vendoste një lidhje funksionale mes arsimit të lartë dhe shoqërisë, e cila siç thonë, është duke ndryshuar.

Ilia Acevski, ligjërues në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se kuadrot që dalin nga universitetet në Shkup nuk arrijnë të gjinden në tregun e punës, andaj nevojiten reforma të thella në universitet , sepse duket qartë se në këto institucione nuk dalin kuadro të arsimuara, por persona që posedojnë diplomë.

“Të gjitha institucionet arsimore në Maqedoni duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi rigoroz për punën që e bëjnë. Pra, nevojiten kontrolle serioze si për punën e universitete, po edhe kuadrove që ligjërojnë në këto institucione të larta arsimore”.

“Është shumë e qartë se cila është cilësia e arsimit, me vetë faktin se të rinjtë e posa diplomuar, perspektivën e shohin vetëm në administratë shtetërore. Ata, nuk mund të themi se pas studimeve janë të përgatitur t’u përgjigjen nevojave që ka sektori privat. Kjo ka kosto të lartë për të ardhmen e gjeneratave të reja”, thotë Acevski.

Profesorët universitarë theksojnë se arsimi i lartë, me hapjen e më shumë universiteteve në Maqedoni, po bën një lëvizje të madhe nga ajo elitare në masovike me rritjen e numrit të studentëve. Ndërkohë që hapet hendeku sepse mjetet e dedikuara për arsimin e lartë nga arka e shtetit janë shumë më të pakta krahasuar me numrin e studentëve që përfshihen në institucionet e larta arsimore, krahasuar me një dekadë më parë.

Ndryshe në bazë të një hulumtimi që ka realizuar Forumi Rinorë për Arsim dhe Shoqata e Analistëve dhe Hulumtuesve të rinj, në mbështetje të Fondacionit “Shoqëri e Hapur”, harxhimet e një studenti brenda muajit arrijnë nga 21 mijë denarë për studentët që studiojnë me participim dhe 22 mijë denarë për studentët që paguajnë shkollimin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews