Ballina Aktualitet Opinione Luli i Vocërr në kohën e ‘qytetarit digjital’

Luli i Vocërr në kohën e ‘qytetarit digjital’

Nga Eva Marku

E kam ndjekur që nga dita e parë protestën e studentëve, edhe pse studimet e larta i kam përfunduar tri vite më parë. Një ditë madje, nuk ngurova që t’i bashkohesha edhe unë për pak minuta që të shikoja e të kuptoja më mirë nga afër se ‘çfarë i paska mërzitur vërtetë kaq shumë’.

Kur iu bashkova, mu kujtua edhe njëherë momenti kur së bashku me shokët e shoqet e fakultetit të Filologjisë protestuam pikërisht para Kryeministrisë pak vite më parë për ‘armët kimike’. Një ndër ‘fitoret’ më të denja dhe të bukura që do të kujtoj nga periudha universitare gjithmonë, madje më shumë se sa vetë momenti i diplomimit.

E kujtoj mjaft mirë dhe më vjen mirë që studentët e sotëm janë edhe më të aftë dhe të guximshëm të luftojnë për të drejtat e tyre. Të drejta që të gjithë e dimë mirë, pa bërë shumë filozofi, u takojnë. E nisa këtë shkrim për protestën, për të treguar një tjetër të vërtetë të hidhur që studentët na e rikujtuan, të gjithëve ne. Një të vërtetë të trishtë, që është varfëria! “Ku ka varfëri, nuk ka edukim”, thotë populli. E di, ka shumë raste varfërie në Shqipëri, por unë dua të ndaj një ‘histori’ ndryshe nga ato që na i përcjell media vizive.

Paraditen e sotme (21 dhjetor 2018), dola nga zyra për të marrë diçka të shpejtë për të ngrënë, aty pranë një Fast Food-i tek ‘Liceu Artistik’. Ambient të cilin e frekuentojnë më së shumti nxënësit e shkollës “Kosova” dhe të ‘Liceut’. Bëra porosinë për ta marrë me vete në zyrë, ndërkohë që po e prisja, vijnë një grup djemsh të moshës 9 apo 10 vjeç. Porositën sanduiçë modestë dhe u larguan për t’u kthyer më pas që t’i merrnin.

Disa prej tyre mund të them ishin veshur mirë, të tjerët disi të ‘sajuar’. Po i shikoja me vëmendje dhe u buzëqesha ndërsa po bënin llogaritë e “pagesës” qetësisht së bashku. Menjëherë sapo u larguan, pas tyre erdhi një bashkëmoshatar i tyri, nxori gurishtat nga xhepi dhe me një zë të ndrojtur kërkoi një tost të thjeshtë. Uli kokën dhe u struk duke pritur pranë derës. Më bëri aq përshtypje ai zë, saqë ktheva kokën për ta parë. M’u duk sikur e frikësova kur e pashë nga koka e deri tek këmbët.

Në këtë të ftohtë dimri, nuk mbante as një xhup veshur, por një bluze sportive me zinxhir, një fanellë poshtë, atlete bezi të zhubravitura nga shiu dhe balta (tip converse), xhinse dhe një palë çorape që më mirë të mos i përshkruaj. M’u prenë gjunjët dhe shtanga para tij, ndërsa punonjësit po merreshin me porositë e tjera, pa evidentuar atë ‘mjerim’ që kishin para syve. Mbase janë mësuar ta shohin më shpesh se unë dhe nuk u bën përshtypje.

Tentova t’ia paguaj por u stepa dhe thashë “mos e ofendoj”. Mora porosinë dhe u largova e trishtuar. Ky djalosh më preku thellë në zemër dhe më kujtoi “Lulin e Vocërr” të Migjenit, por në “kohën moderne”. Kur mu në zemër të Tiranës, në një nga zonat ku ka institucione të njohura, biznese me emër,bare dhe restorante me çmime për ‘Vip’-at, pashë atë mjerim. Pyes veten se çfarë skamjeje mund të ketë pak hapa më tutje në periferi apo qytete e fshatra të tjera të Shqipërisë.

Një fëmijë që s’ka mundësi të ushqehet dhe të vishet mirë, nuk do të ketë ‘luksin’ as të edukohet mirë, aq më pak të jetë pjesë e shoqërisë. Sepse pikërisht djemtë dhe vajzat si “Luli i Vocërr” mbeten jashtë kësaj ‘klase shoqërie’.

Ndaj, sot dhe gjithmonë duhet të protestojmë për ‘Lulin’, e shokët e shoqet e tij që të edukohen në barazi dhe të shijojnë fëmijërinë si moshatarët e tyre!

@tn.lajmelokale
@tetovanews