Ballina Aktualitet Ekonomi Lufta tregtare Kosovë – Serbi

Lufta tregtare Kosovë – Serbi

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në betejën e dytë më të rëndësishme pas luftës së vitit 1999, atë për ndarjen e tregjeve. Pas rritjes së tarifave doganore 100% nga Kosova ndaj importeve serbe, përveçse ka nisur rritja e çmimeve, tregu rrezikon të ketë mungesa në grurë, sheqer dhe vaj.
Cili është bilanci në shifra i masës dhe si mund të përfitojë Shqipëria nga hapësirat e lira që janë krijuar në tregjet e Kosovës. 

Rreziku i tregjeve të Kosovës

Tregjet e Kosovës rrezikojnë të përfshihen në një situatë emergjente nga mungesa e disa artikujve bazë si gruri, vaji, sheqeri dhe çeliku që importoheshin nga Serbia deri para rritjes së tarifave doganore 100% nga qeveria e Kosovës.

Vitin e kaluar, Kosova importoi 450 milionë euro mallra nga Serbia, prej të cilave 111.8 milionë euro vlera e artikujve ushqimorë të konsumit të domosdoshëm si grurë, vaj, sheqer etj. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha për Monitor se ka një lloj emergjence në këtë drejtim, duke pranuar faktin se vendimi i qeverisë së Kosovës ishte mekanizmi i fundit që u përdor ndaj masave diskriminuese të Serbisë në marrëdhëniet tregtare dypalëshe.

Eksportet e Kosovës në Serbi vitin e kaluar ishin vetëm 48 milionë euro. Kjo vlerë është e papërfillshme për tregjet serbe, por për shtetin e ri të Kosovës ato përbëjnë me shumë se 12 % të totalit të mallrave që Kosova shet jashtë vendit.

Përveç rritjes së çmimeve në produktet jetike, situata shihet alarmante në furnizimin normal me grurë në një periudhë të afërt. Nuk ka tregje të afërta zëvendësuese, ndërkohë që produktet ushqimore nuk duhet të mungojnë. Furrat në Kosovë e çuan çmimin e një kilogrami bukë në 40 cent nga 30 që ishte më parë në momentin kur nisi aplikimi i taksës 10%.

Zoti Rukiqi tha se furrat spekuluan në rastin kur taksa u rrit 10%, por së fundi është shtuar kontrolli për të parandaluar të paktën spekulimin. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës, duke realizuar 14 % të totalit të importeve dhe 12% të eksporteve, sipas statistikave zyrtare. Për Serbinë, eksportet në Kosovë zunë rreth 2.6 % të totalit në vitin 2017. Të dhënat tregojnë se bilanci kosto – përfitim i rritjes së tarifave doganore me Serbinë dëmton më së shumti Kosovën, e cila ka me shume varësi ndaj tregtisë me Serbinë se me çdo shtet tjetër, sidomos në disa artikuj jetikë si mielli.

Por grupet e interesit dhe lobet e biznesit që dëmtohen më shumë nga kjo situatë, duke përfshirë edhe konsumatorët, duket se janë gati të përballojnë pasojat. Qeveria e Kosovës vendosi t’i kundërpërgjigjet Serbisë me një luftë tregtare së fundmi pas refuzimit për anëtarësimin në Interpol.

Kosova dhe Serbia trashëgojnë nga ish-Federata Jugosllave një traditë të gjatë bashkëpunimi tregtar. Duke e konsideruar si pjesë të saj, Serbia kishte aplikuar lehtësi në tregti deri sa Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Këtu nisën konfliktet dhe diskriminimet ndërmjet dy vendeve. Automjetet e Kosovës detyroheshin të ndryshonin targat në kufi me ato të Serbisë, teksa nuk njiheshin vulat e doganës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës edhe më parë ka aplikuar masa tarifore ndaj Serbisë duke e detyruar atë të ndryshojë qëndrimet në procedurat teknike të zhdoganimit. Konfliktet tregtare ndërmjet dy vendeve duket se kanë prekur edhe Shqipërinë.

Prej disa vitesh, linja e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë nuk është vënë në funksion për shkak se, Kosova duhet të marrë një kod transmetimi nga ENTSO (Rrjeti Europian i Operatorëve të Transmetimit të Energjisë), pasi nuk njihet si zonë kontrolli. Serbia ka kërkuar që Kosova të njohë operatorin serb të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës, në shkëmbim të njohjes së Operatorit të Transmetimit të Kosovës si entitet më vete. Kosova nuk e ka bërë këtë njohje, për pasojë linja e transmetimit të energjisë qëndron sot e kësaj dite e bllokuar.

 

Shqipëria, në sfond të “luftës”

Në sfond të kësaj “lufte” Shqipëria duhet të përfitojë ekonomikisht, duke u bërë furnitori i Kosovës për disa artikuj. Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se Shqipëria lehtësisht mund të zëvendësojë importin e hekurit, pasi një pjesë e madhe e tij importohej nga Serbia. Gjithashtu disa nënprodukte të naftës dhe vajrave. Por Shqipëria nuk ofron shumë lehtësi në tregti, pasi disa tarifa ekstra si skanimi dhe taksa mbi Rrugën e Kombit i rrisin kostot e tregtisë. Dy shtetet e të njëjtit komb duhet të kishin menduar më me pjekuri vite me parë që të rrisnin bashkëpunimin tregtar dhe të fitonin tregjet e njëra – tjetrës, tha Rukiqi.

Kosova, varësi nga Serbia në tregti

Eksportet e Kosovës në Serbi gjatë vitit 2017 ishin rreth 48 milionë euro duke zënë 12.6% të totalit të eksporteve. Serbia është partneri i dytë tregtar pas Shqipërisë sa u përket eksporteve. Eksportet e Kosovës arritën në 378 milionë euro gjatë vitit 2017, sipas të dhënave nga portali i statistikave të tregtisë në CEFTA. Eksportet e Kosovës në Serbi, në më shumë se gjysmën zoterohen nga mineralet dhe nafta, 15% nga cigaret dhe pijet, 8% nga ushqimet dhe kafshët e gjalla, etj.

Importet e Kosovës gjatë vitit 2017 arritën një vlerë prej 3 miliardë eurosh. Në këtë shumë, 450 milionë euro ishin nga Serbia duke zene 2.6 % te totalit të eksporteve Serbe qe me 2017 ishin rreth 17 miliardë euro. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës në drejtim të importeve, në vend të dytë vjen Gjermania dhe me pas Turqia, ndërsa Shqipëria është partneri i nëntë tregtar në drejtim të importeve, me vlerë 151.8 milionë euro.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Serbia, gjatë 2017 kryesisht furnizoi me ujë të thjeshtë dhe të gazuar, sheqer, vaj ushqimor nga luledielli, grurë, pije joalkoolike, benzinë motorike, vajra të gazit, preparate të pastrimit, si dhe të energjisë elektrike. Importet nga Serbia, rreth 25% e tyre, dominohen nga ushqimet dhe kafshët e gjalla, me vlerë rreth 111,8 milionë euro, 23% nga mineralet, 20% nga materialet e fabrikave, 9% nga pijet dhe cigaret, 9% produkte kimike, 4% makineri dhe pajisje, 4% materiale të përziera të fabrikave etj. Eksportet serbe gjatë vitit 2017 arritën në 15.4 miliardë euro. Eksportet në Kosovë zunë 7% të totalit të eksporteve serbe gjatë 2017.

A mundet Shqipëria ta zëvendësojë Serbinë në tregti!?

Krijimi i një hapësire të re në tregjet e Kosovës nga “bllokimi” i importeve serbe i ka krijuar Shqipërisë mundësi të reja për të avancuar më tej tregtinë me Kosovën. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se nga Shqipëria mund të zëvendësohen lehtësisht disa nënprodukte të naftës dhe hekurit që importoheshin nga Serbia.

Kosova aktualisht importon hekur nga Shqipëria dhe Serbia, por kjo e fundit mund të zëvendësohet me hekurin e prodhuar në Shqipëri. Vlera e hekurit të importuar nga Serbia në Kosovë arriti në vitin 2017 mbi 80 milionë euro. Ndërsa vlera e hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit që u importuan nga Shqipëria gjatë vitit 2017 ishin mbi 90 milionë euro. Zoti Rukiqi thotë se mund të zëvendësohen edhe nafta dhe disa nënprodukte të saj me importe nga Shqipëria.

Por Shqipëria nuk mund të zëvendësojë disa produkte që tashmë importohen nga Serbia si gruri. Serbia aplikon politika subvencionuese për prodhimin e grurit, duke ofruar çmimet më të lira në rajon edhe për miellin. Tregu i Kosovës dominohet thuajse nga mielli serb. Sipas statistikave zyrtare të Kosovës, në vitin 2017, eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin rreth 8 miliardë lekë, ose 63 milionë euro.

Nga ana tjetër, i vetmi shtet me të cilën Shqipëria ka suficit tregtar është Kosova. Eksportet drejt saj më 2017 ishin rreth 20 miliardë lekë, me një rritje 26% në krahasim me 2016. Por në raportin me totalin e eksporteve të Shqipërisë, ato zënë një peshë të vogël, Shqipëria, rreth 80% të eksportit e realizon me Italinë, Kosova është partneri i dhjetë tregtar i Shqipërisë në eksporte. Aktualisht partneri kryesor tregtar i Kosovës është Serbia.

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet në një masë të madhe nga prurjet e emigrantëve.Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partnerë tregtarë të ndryshëm.

Mallrat më të eksportuara me Kosovë janë produktet e naftës dhe të hekurit dhe materiale të tjera ndërtimi si tulla, çimento, frutat dhe perimet. Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 3% të totalit mallrave nga jashtë. Më 2017 ato arritën në vetëm 8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave. Që në vitet e para të tranzicionit kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria krijoi lidhje tregtare me Italinë. Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Ndërsa Kosova ka eksportues të parë Shqipërinë dhe për nga importet, Shqipëria renditet e shtata, në listën e vendeve me të cilat Kosova bën tregti.
Volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës u rrit gjatë periudhës 7-mujore (janar-korrik 2018) me 14%, por baza e ulët e tregtisë e zbeh arritjen. Rezultatin më të madh në volumin tregtar e dhanë eksportet nga Shqipëria, të cilat u rritën në janar-korrik me 17.8%, teksa rritje shënuan edhe importet nga Kosova me 5.7%. Produkti më i eksportuar në Kosovë gjatë këtij viti ishin materialet e ndërtimit, energjia elektrike, ndërsa mallrat më të importuara, ushqimet.

Lufta tregtare Kosove – Serbi, historia e konflikteve

  • Pasi Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008, Serbia dhe Bosnja bllokuan mallrat nga Kosova, pasi Vulat e UNMIK u zëvendësuan me vulat e shtetit të ri të Kosovës.
  • Në vitin 2011 ndaloi importin e të gjitha produkteve nga Serbia dhe vuri taksë doganore 10% mbi importet e Bosnjës.
  • Po në vitin 2011, Serbia pranon vulën e doganës së Kosovës
  • Në vitin 2015, Serbia nuk i njeh certifikatat që shoqëronin produktet e naftës, dhe po në të njëjtën mënyrë kundërpërgjigjet edhe Kosova.
  • Në vitin 2016 të dyja shtetet hyjnë në konflikt duke bllokuar tekstet shkollore respektive, masë e cila nisi fillimisht nga Serbia.
  • Në korrik të 2018, Kosova aplikoi për një javë tarifa 30% më të larta për produktet bujqësore të Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë.
  • Në nëntor 2018, Kosova vendos fillimit rritje të tarifave doganore me 10% ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës. Po këtë muaj u vendos që të rriten me 100% tarifat ndaj importeve të Serbisë.

Bilanci i dëmeve

Mediat në Serbi publikuan këto ditë artikuj me të cilët shpjegojnë se dëmi ekonomik i Serbisë deri në fund të vitit do të jetë rreth 22 milionë euro nga rritja e tarifave doganore. Nëse tarifat në fuqi nga Kosova do të qëndrojnë për një kohë më të gjatë, eksportet e Serbisë do të përkeqësohen. Sipas projeksionit më pesimist, nëse asnjë mall serb nuk do të shitet në Kosovë, eksportet Serbe do të bien me 2,6% më 2019, ndërsa Kosova do të ketë humbje më të mëdha, si në drejtim të eksporteve, por efektet më negative do të jenë në rritjen e çmimeve të ushqimeve, sidomos bukës.

Nëse bllokohet totalisht shitja e mallrave në Serbi gjatë vitit 2018, eksportet e Kosovës do të bien me të paktën 12.6% në vitin 2019. Kosova është një ekonomi importi, pasi në një vit importon më shumë se 3 miliardë euro mallra dhe eksporton vetëm 380 milionë euro. Bllokimi i eksporteve në Serbi do të thellonte më tej deficitin tregtar.

Pas rritjes së tarifave doganore me 10% në fillim të nëntorit, furrat shtrenjtuan me 30% çmimin e artikujve të brumit dhe bukës, duke e çuar çmimin e saj në 40 cent nga 30 që ishte më parë. Më shumë se sa për rritjen e çmimeve, z. Rukiqi është i frikësuar për mungesën e miellit në treg. “Kjo do të ishte më e rëndë” – tha ai. Duke e konsideruar të domosdoshme rritjen e tarifës doganore nga qeveria e Kosovës, ai u tërhoqi vëmendjen qeveritarëve të Kosovës se duhet të ishin më transparent. “Para se të merrej vendimi duhet të ishin lajmëruar bizneset, në mënyrë që të parapërgatiteshin për të ndryshuar burimet e furnizimit, që konsumatorët të dëmtoheshin sa më pak”, tha Kryetari i Odës Ekonomike, Rukiqi./Monitor/

@tn.lajmelokale
@tetovanews