Ballina Argëtim Jetë & Stil Kjo ishte vallja e parë me ty

Kjo ishte vallja e parë me ty

Letër mbresëlënëse nga Lirim Alija në 24 vjetorin e martesës. Përndryshe, Lirim Alija ka shkruar tekstet e këngëve të njohura të Elitës 5: Donkishotët në korzo, Arkimedi, Zemër e thyer, Al Kapone, Nora, Simfonia e detit, Të pres etj. Çifti jeton në Itali.

Nga Lirim Alija

Kjo është vallja e parë me ty Sadije Ameti Alija. Edhe pse në fillim nuk dija, por dalëngadalë u mësova. Atëherë ishin vite të vështira dhe nuk kishim kohë për këngë e valle, sepse pikërisht ato ditë bëheshin përpjekjet e para për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ngjarje tjera me rëndësi.

Ne u martuan sipas zakoneve të vjetra, por me horizonte të reja. Çka të bënim, rrethanat ishin të tilla dhe mundësitë për të vepruar ndryshe ishin shumë të vogla, por me kalimin e kohës u vërtetuan fjalët mikluese të prindërve:”do ta gjejmë nusen më të mirë në botë” dhe “dashurinë duhet ta kërkoni, herët apo vonë, ajo do të vij”.

Ato ditë gjithçka më dukej konfuze, për të mos thënë e pakuptimtë. Do duhej të bëheshim speleologë, numizmatikë, arkeologë, apo ku ta di se çka…por, me kalimin e viteve mësova se jeta bashkëshortore është dhe do të mbetet gjithmonë udhëtimi i zbulimeve më të rëndësishme njerëzore.
Atëherë nga të dyja palët ishim të varfër, nuk e dinim ç’do të thotë të jesh i pasur, por dinim të ëndërronim.

Moti dikur, kur një njeri kishte kërkuar nga gjeniu i llambës magjike që ta bënte më të mençurin nga të gjithë meshkujt e botës, ai e kishte shndërruar në grua. Unë nuk do ta bëja këtë por, prej teje kam mësuar se sado i guximshëm dhe ambicioz të jetë njeriu, pa një mbështetje të fortë nuk mund t’i mbërrijë qëllimet e caktuara.
Falë teje për mua çdo gjë utopike u bë realitet.
Me ty i kam deshifruar shumë rebuse të jetës…shumë emocione, sentimente, frymëzime.

Pa ty unë do të isha një gladiator i nëpërkëmbur, apo një kalorës mesjetar i përhumbur rrugëve pa kthim, ndërsa tash ndjehem një mbret; një mbret me tre princër dhe një princeshë.
Ti ma mundësove që, edhe pse në moshë të shtyrë, ta vazhdoj shkollimin dhe të mos ndalem nga kjo rrugë deri në frymën e fundit. Sepse ti tashmë e ke kuptuar se ku ndodhet vendbanimi i shpirtit tim.

Në pyetjen: a do të ishte kaq shumë i njohur Françesko Petrarka me sonetët e tij, nëse ai do të martohej me Lauren?, më së miri i është përgjigjur Dritëro Agolli në harmoninë martesore që ka pasur me Sadijen. Ajo, jo vetëm se është përmendur shpesh në poezitë e tij, por gjithashtu për të, deri në fund të jetës mbeti burim i frymëzimeve në krijimtarinë madhështore.

Por unë nuk jam si asnjëri nga ata. Nuk e di, si të them, mbase…më inkurajon thënia e Niçes se, “disa njerëz lindin pasi të vdesin”.
Për mua, martesa është një libër, në të cilin vetëm kapitulli i parë është poezi, të tjerët vazhdojnë në prozë.
Gëzuar 24 vjetorin e martesës!
Zoti e bekoftë jetën tonë bashkëshortore!

@tn.lajmelokale
@tetovanews