Ballina Aktualitet Kultura KËNGËT, BESIMET DHE RITI MBI LINDJEN E FËMIJËS NË MALËSINË E TETOVËS

KËNGËT, BESIMET DHE RITI MBI LINDJEN E FËMIJËS NË MALËSINË E TETOVËS

Nga Remzi Aliu

Këto ceremoni, kanë të bëjnë me çastet më të rëndësishme të jetës së banorit të kësaj malёsie. Ato si zakonisht lidhen me lindjen, fejesën, martesën, dasmat dhe vdekjen.


L I N D J A

Lindja, është një nga ngjarjet me të rëndësishme të jetës familjare. Ajo e gëzon pa masë çiftin e rinjë, por edhe të tjerët të cilët presin lindjen e fëmijës.
Në malësi, tradicionalisht më tepër i janё gëzuar lindjes së djalit e më pak asaj të vajzës, sidomos kur lind fëmija i parë.
Me lindjen e djalit, supozohet se “hapet dera e shtëpisë”, fitohet krahu i punës dhe trashëgimtari i familjes, kurse vajza llogaritet si “person i derës së huaj”.

Ritet dhe zakonet e paralindjes i kanë edhe besimet dhe qëllimet e tyre. P.sh. nëna kur është shtatëzanë, mbrohet nga punët e rënda dhe gjatë kohë nuk tregon se është shtatëzanë me qëllim të mbrojtjes nga “syri i keq” .
Besimi tjetër me rëndësi, është edhe momenti kur fëmija së pari herë vjenë në jetë dhe lëvizë në barkun e nënës. Nëse nëna e ndjenë fëmijën të gjallë pranë ndonjë mashkulli, besohet se foshnja do të jet mashkull, apo do ti merr vetitë karakteristike të po atij personi që ndodhet pranë saj, ose e kundërta do të ndodhej, poqese nëna ka qenë pranë gjinisë femërore.
Lajmi për lindjen e fëmijës, i gëzon pa masë të afërmit dhe ato që informohen për lindjen. Ata në shenjë mirëkuptimi i urojnë duke thënë:

“Qoftë me jetë të gjatë” dhe me dorë prekin vathët prej ari, apo ndonjë objekt tjetër prej metali. (ari, do të thot se fëmijës i dëshirojnë të bëhet i pasur si ari, kurse metali të bëhet i fortë si ai).

Urimet për lindjen e foshnjës mund të jenë të llojeve të ndryshme, si: ”Shiqir që paska shpëtuar”, “U baftë burrë me mjekër” apo “U baftë nuse si zanë mali ”, “ Me jetë të gjatë” etj.
Te shtëpia e prindërve të nuses, lajmin për lindjen e fëmijës e kumton një më i ri i familjes së dhëndrit, të cilit i jepen dhurata në para ose në mjete materiale.

Më parë nëpër fshatrat e Malёsisё, lindjet bëheshin me ndihmën e nënëlokeve, kurse tani në të shumtën e rasteve, ata bëhen në spitalin e qytetit, ku kushtet për lindje janë më të mira.
Këngët e lindjes, nëpër rite janë të shumta. Këtu, mirë është ruajtur trashëgimia e kësaj pasurie shpirtërore. Ato nëpërmjet këngës, urojnë dhe dëshirojnë që fëmija të bëhet i fortë, punëtorë, i pasur, shkollarë, atdhetar etj.

Pakzimi i fëmijës, bëhet pas ditës së shtatë të lindjes. Emrat i zgjedhin më të vjetrit e familjes, por edhe dy të rinjtë. Sipas besimeve fetare, që të jetë i plotëfuqishëm emri, preferohet që ai t’i “këndohet”, nga ana e Imamit të fshatit. 
Imami e merr fëmijën në prehën, dhe në mënyrë të qetë, ia këndon në veshin e djathtë dhe të majtë “Ikametin” dhe “Ezanin”, 
Pas pakzimit, i uron jetë të lumtur dhe të gjatë duke e lëshuar këtë uratë:

“O zot i madhërishëm! Ndihmoju prindërve të tij që ta risin dhe ta edukojnë pa vështërsi të madhe këtë fëmijë. Bëre kët fëmijë të dobishëm për prindët e tij, farefisin, kombin dhe mabrë njerëzinë. Dhuroi kësaj foshnje forcë dhe lumturi në jetë, vyrtite të larta morale, shëndet e pasuri të moralit dhe pajisje me ndjenja patriotike që të jetë në shërbim të kombit, fesë dhe atdheut gjatë tërë jetës së tij”.

Pas pakzimit dhe këndimit të kësaj lutje, Imami e dorëzon fëmijën, i uron pakzimin dhe i jep një dhuratë në të holla. Më vone edhe prindërit e foshnjës, Imamit i dhurojnë dhurata në të holla ose mjete materiale.
Pas pakzimit, të gjithë anëtarët e familjes, ndijnë një kënaqësi dhe gëzim të madh sepse tanimë, foshnjën do ta thërrasin në emër. Të rejat, pakzimit i kanë kushtuar këngë dhe si të tilla ato duken dhe këndohen kështu:

Po këndon bilbili për maj çeshëm,
Kush ta ka vu emnin kaç të heshëm?
-Ai babaj jem durët në xhepa,
Pret të rajtem unë si lumi si reka.
Kush ta vu emrin taj more Besmir?
Çaj babaxhysh xhi ma shaum xhi më don.

Pas pakzimit, vazhdojnë ceremonitë tjera rreth lindjes së foshnjës.
Ka raste kur nusja me vite të tëra nuk lindë fëmijë. Kjo është një brengosje e madhe për dy të rinjtë. Ata bëjnë përpjekje për të kërkuar zgjidhje dhe shkakun e moslindjes. Pasi të gjehet shkaku, gëzimi është shumë i madh dhe me rastin e lindjes, therret “Kurban”…
Nëse pas të gjitha mundimeve, konstatohet se njëri nga prindët “nuk ka fëmijë”, për të patur trashëgimtar familja, fëmia huazohet nga i vëllai, apo nga ndonjë i afërmi i familjes.

Pas lindjes së fëmijës, fillojnë edhe ritualet tjera të ndryshme:
Riti i parë është ai i “Kokrrave”.
Në këtë ceremoni, ftohen të afërmit e nuses, farefisi i djalit dhe tërë fqinjët për t’u gostisë me kokrra të zierra të misrit dhe të grurit, të përziera me sheqer. Kjo bëhet me qëllim të shëndetit të foshnjës dhe “shtimit të bereqetit”.

Nusja me foshnjën, është e shtrirë në shtrat dhe pranon peshqeshet që ia sjellin të ftuarit në këtë ceremoni. Aty organizohet edhe rast gëzimi që përcillet me këngë dhe valle ku këndohet: 

Na ka lij nji gjalë i vogël, me gjojën si pare,
I kan ardhë dajxhavajcat, kijt me sheqerpare.
Na ka lij nji gjalë i vogël, gjojën si bilbil,
I kan ardhë dajxhavajcat, krejt me aligjin.

Hajde të këndoni o ju motra,
Se lindi ni gjal u g’zu votra.
Lujni o ju shoçe lujni mos u ndalni,
Na e ka ba nausja ate xhi don gjali.

Hajni koka e elbebija,
Të bahet gjali si zotnija.
Hajni elbebija me koka gruni,
Hajrli të koftë oj nause çuni.
Hajni elbebija pajni uji n’bardak,

Hajrli të koft gjali oj nana plakë.
Hajni koka e pajni uji me shishe,
Hajrili t’koftë gjali oj nana xhishe.
Mori hajni kokat o me sheqer,

Për hajr të koft gjali, o Jeton ylber,
Mori hajni kokat o me llokum,
Për hajr të koft gjali, or Jeton fodull. Mori hajni kokat, e lujni napër lule
Për hajr të koft gjali, Selvije fodulle.
Mori hajni kokat, lujni napër lale,
Për hajr të koft gjali, Selvije qibare.

Dy ditë, para se t’i mbush gjashtë javë nusja me foshnjën, shkon në vizitë te prindët e vet dhe atëherë thuhet se foshnja “ i ka ba ditët”.
Pasi të kthehet nusja, me foshnjën nga dajallarët, organizohet një drekë solemne e cila quhet ”babina” (mamitë). Këtu mysafirët e ftuar, pos dhuratave të shumta, sjellin edhe nga një tepsi me ëmbëlsira të llojeve të ndryshme.
Edhe dalja e “Dhëmbëve të parë”, përcillet me rit që ka të bëje me ndarrje të dhuratës të cilën e ndanë, ai person i cili ia shehë për herë të parë fëmijës daljen e dhëmbit.

Edhe “Bërja e hapave të parë”, është një shprehje gëzimi tek prindët. Shpeshherë ndodhë që fëmija, gjatë kohë te ecë këmbadoras, e të mos ngrihet në këmbë një kohë të gjatë. Kjo i brengos prindërit dhe u jepë një shaks, për të organizuar një rit i cili ka të bëje me ecjen:
Fëmija, merret dhe nxirret në oborr. Ngarkohet me thupra dhe më pas detyrohet të ecë këmbadoras. Duke ecur, nga barra e fëmijës merret një thupër dhe i drejtohet:
-A do hecish, a do të pres?!
-Jo. Mo m’pre se do heci.

Kështu veprohet tri herë, pastaj merren thuprat, ndizet një zjarrë, ngrohet uji dhe lahet foshnja duke thanë: “Si ecën uji, të ecë Fёmija”.
Qethja e foshnjës, bëhet në etapa të ndryshme. Dikush e qethë pas tetë muajsh, dikush pas një viti, kurse dikush këtë e bënë më vonë ose më herët sipas dëshirës. Flokët që i hiqen i hudhen në lumë duke thënë: ”Si hecën ujti, ti hece shëndeti”, ”Si hecen uji i shpejt, çaç frajk t’i rajtën flokët”.
Fazës së zhvillimit të fëmijës, vashat i këndojnë:

 Ore Besmir aga si tranafil,
Kur na lijve taj, kimi ba shiqir.
Shiqir or allah xhi kujtove,
Për ket gjalin mallin na e çove.
Nanën e babën na e gjazmove.

Po këndojnë bilbilat, herët në sabah,
Rajtet Besmir aga shiqir or allah.
Rajtet Besmir aga ne gazmohna.
Ni degë trandafili ni degë jorgovana.

Sa i vogël Besmir aga ka dalë në midan. 
E pajtën Besmir ylberin, xhi dush me ngranë ?
A sheqr-llokum bre ylber, a hallva-terhan?
-S’du sheqer-llokum bre babo, s’du hallva terhan,
Ni parë petka pi kangeri, për traupin tamam.

Hecën Besmir aga me pantulle,
Dil oj shoçe oj cauca fodulle,
Dil e shajhe gjalin xhi ka nana,
Si bafçja kur çelen jurguvana.
Dil e shajhe gjalin xhi ka baba,
Si bafçja kur çelën lule t’bardha.

Oj paqeta me cigare Drava,
Kush t’kënonte ore Besmir aga.
-Mi kënojshin moj, motrat e mija,
Mun si shpezët, kur rajnë napër hije.
-Mi kënojshin moj, motrat e mdhaja,

Si shpezët e malit napër ara. – Më kënonte motra vetull holla,
Mun si shpezët xhi knojnë napër molla.

Krehi cauca krajen, ra dielli maj arë.
E rajtim Besmir ylberin si kinxhi sugjar. 
Si kinxhi sugjar ne e rajtim.
Me sheqer llokum e kanajtim.

@tn.lajmelokale
@tetovanews